English

Çashku i shtrin dorën Berishës, për zgjidhjen e çështjes "Marubi"

Tiranë, 8 prill NOA - Rektori i Akademisë së Filmit & Multimedias Marubi, Kujtim Çashku, i është drejtuar sot me një letër të hapur, Kryetarit të Këshillit të Ministrave Sali Berisha, ku i shtrin dorën për bashkëpunim dhe mirëkuptim.

Në letër, Çashku thotë se gjatë muajit shkurt e në vazhdim Akademia e Filmit dhe Multimedias "Marubi" po përballet me një situatë mjaft dramatike për mbarëvajtjen e aktivitetit të saj.

"Segmente të caktuara të administratës shtetërore me mendësi të kufizuara e jo integruese, të cilët e shohin artin e kulturën thjesht si "biznes", kanë çuar në politika të gabuara, keqinformuese e keqdashëse,

në dëm të veprimtarisë së institucionit tonë artistik e edukativ", - thotë Çashku.

Sipas tij, situata konfliktuale mes Albafilm, MTKRS dhe "Marubit" degradoi më 21 shkurt në përdorim dhune ndaj studentëve dhe pedagogëve nga disa forca të policisë së komisariatit nr. 4 të Tiranës.

"Administratorë të Albafilmit dhunuan në mënyrë të paligjshme institucionin tonë arsimor, duke na shkaktuar një dëm të gjithanshëm. Kudo brenda dhe jashtë vendit u përcoll një imazh që nuk i shërbente funksionimit normal të shtetit ligjor e shtetit të së drejtës, mbasi u anashkaluan struktura të rëndësishme institucionale të ekzekutivit e gjyqësorit", - vijon letra e hapur.

Më tej Çashku kujton faktin se zanafilla e projektit të Akademisë Filmit & Multimedias "Marubi" ka nisur që më 2001, përmes një korrespondence zyrtare e shtetërore, mes Ministrisë e Kulturës së Shqipërisë, dhe Ministrisë së Jashtme Franceze, për hapjen e shkollës së parë të filmit "Marubi" dhe vënien në dispozicion të saj të mjediseve të (ish Kinostudios) Albafilm.

"Për fat të keq, ky vullnet politik nuk ka qenë konseguent përgjatë ecurisë dhe zhvillimit të projektit "Marubi". Ndërrimet e individëve në apo me pushtet në administratën shtetërore kanë krijuar jo rrallëherë keqkuptime e keqinformime të vullnetshme, kundër "Marubit", - vlerëson Çashku.

Duke folur më tej, në emër të pedagogëve dhe studentëve të "Marubit", Çashku thotë se "ne të frymëzuar nga një vullnet pozitiv, gjejmë rastin t'ju drejtojmë një thirrje publike për zgjidhjen e drejtë dhe të arsyeshme të çështjes "Marubi".

Çashku sqaron se "e bëjmë këtë në besimin tonë se aktet e dhunshme nuk reflektojnë vizionin tuaj e të qeverisë suaj për kulturën dhe arsimin, gjë që u duk qartë në mënyrën se si Ju reaguat ndaj ngjarjeve tek "Marubi" me masat e marra ndaj segmenteve të caktuara".

Këtu, Çashku shpreh bindjen se "aktet e dhunës nuk reflektojnë politikat e administratës së shtetit Shqiptar, por të atyre segmenteve që në mënyrë aktive keqpërdorin pushtetin, duke u fshehur pas "ligjit" , "moralit" e "ndershmërisë".

Sakaq, Çashku evidenton në letrën drejtuar Berishës, se ende sot, Akademia "Marubi" si një shkollë arti, me karakter thellësisht publik e jofitimprurës, që prodhon filma e vlera kulturore, mbetet e rrethuar me tela që prej 47 ditësh.

Sipas Çashkut, "studentëve dhe pedagogëve të saj u është hequr mundësia të lëvizin me mjete dhe pajisje xhirimi pikërisht kur janë në fazën e realizimit të filmave dhe punimeve të diplomave, dhe njëkohësisht ndodhen nën presioin permanent të ndërprerjes gati të përditëshme të procesit akademik nga struktura të Albafilm dhe policisë private të nën kontraktuar prej saj".

Duke shprehur mirënjohje për lehtësimet që shteti i ka bërë kulturës e arsimit, artit në tërësi, Çashku thotë se qeveria i ka parë ata si faktorë të rëndësishëm të stabilitetit ekonomiko-politik dhe integrimit euro-atlantik të vendit.

Në këtë pikë, Çashku drejton kërkesën kah Berisha, që "të shihnit, në frymën e arsyes dhe perspektivës çështjen "Marubi", përmes punës, fakteve dhe sukseseve të Akademisë dhe gjetjen e një zgjidhjeje optimale e të drejtë për të gjithë, në dobi të interesave madhore të kulturës së vendit tonë e rajonit".

Pasi përmend një mori kontributesh që Çashku thotë se ka "Marubi", jep disa sugjerime"

1. Heqjen e rrethimit me gardh telash, të territorit ku janë akoma investimet e AFM "Marubi" dhe të partnerëve perëndimorë, në mënyrë që të ç'bllokohet e normalizohet procesi akademik dhe jeta kulturore tek "Marubi".

2. Marrja e masave për gjetjen dhe dënimin e personave të Albafilmit apo MTKRS, që kanë keqinformuar organet shtetërore, që nga paraqitja e lulishtes dhe kinoteatrit të "Marubit" si territor i lirë, ndërkohë që aty janë investimet e pesë vjetëve, deri tek mosveprimi i vullnetshëm i disa strukturave përgjegjëse për administrimin e pronës publike për gati pesë vjet rresht. Â

3. Gjetjen e një zgjidhjeje definitive, të pranueshme e ligjore, që nuk do të dëmtonte

interesat dhe standardet e larta të formimit kinematografik dhe aktiviteteve me interes publik kombëtar të "Marubi-t". Â

4. Mbështetje për punën tonë sipas formatit amerikan "land-grant university", ku shteti mundëson veprimtarinë akademike në një rajon të paprivilegjuar, apo në një fushë jo-fitimprurëse, duke lejuar përdorimin e pronës publike që ka në administrim, për përparimin e dijes dhe artit.

Sipas Çashkut, "realizimi i këtyre pikave do të transmetonte imazhin e vërtetë të përparimit demokratik të Shqipërisë që nga rënia e komunizmit, imazhin e një vendi progresiv, ku e drejta nuk harron, imazh ky i domosdoshëm për momentet integruese Euro-Atlantike të vendi tonë".

e.l/NOA

KOMENTE