English

Mjeshtër i plaçkitjeve, kapet duke vjedhur pasi iu falën vite dënimi

Gjirokastër, 9 Prill NOA - Një person të cilit i ishin falur tetë vite dënimi me burg për vjedhje të pasurisë shtetërore, është kapur këtë radhë duke plaçkitur pasuri private.

Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA informon se nga ana e Specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër është bërë ndalimi i 42-vjeçarit Panajot (Qemal) Rondo, lindur dhe banues në lagjen "Cfakë" të qytetit Gjirokastër.

"Ndalimi i tij u bë për arsye se më 25 mars të këtij viti, Prokuroria ka nxjerrë urdhër ndalimi për të pasi ka dokumentuar me prova ligjore se është autor i vjedhjes së banesës së J.B., nga fshati Dhuvjan i rrethit Gjirokastër, ndodhur më 14 shkurt 2009, ku ka vjedhur sende të ndryshme.

Pas komunikimit me Prokurorinë, sot në mëngjes, u bë kontrolli në banesën e të dyshuarit, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një troko, një pompë uji elektrike dhe pajisjet e saj të cilat dyshohet se i ka vjedhur në banesën e J.B.

Policia detajoi për agjencinë NOA se po gjatë kontrollit të ushtruar iu gjetën edhe 3 troko, dy trapano, një kompresor, dy pompa uji, një fshesë me korent, një radio dore e sende të tjera të dyshuara si të vjedhura në banesa të tjera në fshatin Dhuvjan e në zonën e Dropullit të rrethit Gjirokastër.

Rondo, ishte i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, (në vitin 1986, ka vjedhur në ish ndërmarrjen e bonifikimit dhe është dënuar me 14 vjet burg, duke bërë vetëm 8 vjet burg pasi vitet e tjera iu falën).

Tani, 42-vjeçari duhet të rikthehet në qeli pasi  policia i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dosjen ndaj Rondos, për veprime të mëtejshme.

v.d/NOA

KOMENTE