English

Ambasadori i SHBA-ve, Withers, përshëndet anëtarësimin në NATO

Tiranë, 10 prill, NOA - Ambasadori i SHBA-ve i akredituar në Tiranë, John L. Withers ka përshëndetur sot, anëtarësimin e vendit tonë në NATO gjatë një ceremonie të mbajtur me këtë rast.

"Për shumë e shumë vite, aspiratat e Shqipërisë për NATO-n shiheshin në të "ardhmen". Tani, e "ardhmja" është sot. Dikur ne flisnim për realizimin "një ditë" të ëndrrës së Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Ajo ditë është sot", - theksoi z.Withers.

Sipas tij, për Shqipërinë dhe miqtë e saj, Kroacinë dhe miqtë e saj, një ditë të afërti edhe për Maqedoninë dhe miqtë e saj, anëtarësimi në NATO është diçka kaq emocionuese sa është e vështirë të përshkruhet me fjalë.

"Prandaj, ju kërkoj ndjesë që po huazoj fjalët e një njeriu të madh, i cili vite më parë foli në një ngjarje të madhe në historinë e vendit të tij, me fjalë që sot duken kuptimplotë për Shqipërinë"- u shpreh ambasadori amerikan në fjalën e tij përshëndetëse.

Duke iu referuar historisë, ai kujtoi se "vite më parë, ne patëm një takim me historinë, dhe tani është koha për të përmbushur angazhimin tonë… Vjen një çast, rrallë në histori, kur një komb kapërcen nga e vjetra tek e reja, kur një epokë përfundon dhe kur shpirti i një populli i shtypur për kohë të gjatë, gjen shprehje. Është me vend që në këtë moment solemn, të zotohemi me përkushtim për shërbim ndaj vendit dhe popullit, si dhe ndaj kauzës më të madhe të njerëzimit."

Ambasadori amerikan, Withers, deklaroi në fund, se ai sillte përshëndetjet e përzemërta për shqiptarët nga Amerika dhe gjithë vendet e tjera të NATO-s.

s.v/NOA

KOMENTE