English

Konkurs për esenë më të mirë rreth çështjeve të integrimit

Tiranë, 16 Prill NOA - Ministria e Integrimit në bashkëpunim me universitetin e Tiranës dhe GTZ lançoi sot nisjen e një konkursi me studentë të fakultetit të Shkencave Sociale, Ekonomisë dhe Drejtësisë, të cilët do të japin me shkrim këndvështrimin e tyre rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Mbështetur në njohuritë e tyre rreth kësaj çështjeje, por edhe duke patur në dispozicion libra dhe materiale të Qendrës së Informacionit dhe Dokumentacionit pranë Ministrisë së Integrimit, studentë të vitit të tretë dhe të katërt të këtyre fakulteteve, do të shkruajnë ese që do të përzgjidhen dhe vlerësohen nga një juri ekspertësh të Ministrisë së Integrimit dhe përfaqësues të UT-së. Qëllimi i këtij aktiviteti është përfshirja e studentëve në çështjet e integrimit, pikërisht në kohën kur procesi ka kaluar në një fazë të rëndësishme të tij, hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Temat e esesë janë tre: 1. Përfundimi i procesit të ratifikimit të MSA-së, përfitimet dhe detyrimet që burojnë prej saj 2. Shqipëria në BE, të prirur për të qenë sa më shpejt anëtarë apo për të përmbushur cilësisht reformat 3. Procesi i Integrimit europian, proces i vullnetit politik apo i zhvillimit funksional Çmimi i parë do të jetë një shkollë verore studimi në Gjermani për një periudhë kohe katërjavore, me seminare rreth procesit të integrimit, komunikimit ndërkulturor, tregut të përbashkët etj.

Kreditet e këtyre seminareve, janë të vlefshme për studentët në provimet e mëtejshme të tyre rreth çështjeve të integrimit europian.

Çmimi i dytë do të jetë një kurs gjuhe gjermane Niveli i Parë (ose i avancuar, nese fituesi ka njohuri gjuhe), që do të ofrohet nga Deutschzentrum - Zyra e Projekteve te Institutit GÅ‘ethe, ndërsa çmimi i tretë një paketë librash. Në ceremoninë e lançimit të konkursit, përveç Ministrjes së Integrimit znj.Majlinda Bregu, rektorit të Universitetit të Tiranës, prof.dr Dhori Kule, dekanit të fakultetit të drejtësisë prof. Skënder Koçeku, dekani i Fakultetit të Ekonomisë prof.dr.Omer Stringa dhe atij të Shkencave Sociale prof.Theodhori Karaj, morën pjesë edhe studentë të Universitetit të Tiranës.

e.l/NOA
KOMENTE