English

Kosova zyrtare lejon futjen e presidentit serb, Tadiç, në territorin e saj

Prishtinë, 17 prill, NOA - Qeveria kosovare ka lejuar futjen në territorin e Kosovës të presidentit serb, Boris Tadiç, pas një mbledhje të posaçme që zhvilloi për këtë qëllim.

Pritej që vizita e parashikuar e Tadiç në Kosovë të ngjallte mjaft reagime në radhën e autoriteteve kosovare, të cilat nuk kishin ndërmend ta lënë të kalojë kufirin e shtetit të Kosovës.

Por në fund kanë vendosur ta lënë, duke e kushtëzuar që të mos bëjë deklarata politike.

Ndërkaq, deri në orët e para të paradites, qarkullonte lajmi se Ministria e Punëve të Brendshme kosovare kishte autorizuar policinë që t'ia ndalonte hyrjen në Kosovë presidentit serb, por mbledhja e qeverisë përmbysi gjithçka.

Autoritetet kosovare kohëve të fundit ua kanë ndaluar disa herë hyrjet në Kosovë zyrtarëve serbë, përfshirë këtu edhe ministrin për Kosovë në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç. Deri vonë, vizitat e udhëheqësve serbë në Kosovë ishin lejuar nga UNMIK-u, por kjo përgjegjësi tani ka kaluar në duar të institucioneve të vendit.

n.e/NOA

KOMENTE