English

Urdhri i Infermierit ndalet në problemet e mamive dhe fizio-terapistëve

Tiranë, 21 prill NOA - Urdhri i Infermierit të Shqipërisë, në kuadrin e Muajit të Infermierisë që vazhdon deri më 12 maj ka nisur zhvillimin e takimeve në nivele lokale me përfaqësues të shërbimeve shëndetësore.

Në to po diskutohet dhe po paraqiten problemet reale me të cilat përballet kategoria e infermierëve, mamive dhe fizio-terapistëve në mbarë vendin.

Gjatë këtyre aktiviteteve të zhvilluara në nivel qendrash shëndetësore apo spitale rrethesh, infermierët po sensibilizohen për rritjen e nivelit etiko-profesional dhe po diskutohet mbi tematika për rritjen e profesionalizmit të kësaj kategorie në sektorin shëndetësor.

Ndërkaq, këto takime po shërbejnë në të njëjtën kohë edhe për ballafaqimin e punës dhe sjelljes së infermierëve, në përshtatje me Kodin Etik.

Ditët e fundit janë zhvilluar takime në Korçë, Elbasan dhe Vlorë dhe është menduar që në përmbyllje të këtyre aktiviteteve të zhvillohen edhe konferenca rajonale me pjesëmarrjen e infermierëve në rang qarqesh.

6 maj është përcaktuar data e një konference të tillë në Korçë, ndërsa në Elbasan ajo është konkluduar të organizohet në datën 28 prill.

Nga ana e tij, Presidenti i Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, Sabri Skënderi shprehet se infermierët nuk duhet të ndiejnë inferioritet në aspektin profesional para mjekëve, porse puna e tyre duhet të stimulohet për të krijuar rezultate edhe më shumë efikase në këtë sektor.

Ndërsa zv/presidenti i këtij organizmi, Eduard Qazimi vë në dukje faktin e përmirësimit të kualifikimit të infermierëve shqiptarë, duke synuar shtimin e numrit të atyre që janë me arsim të lartë në të ardhmen.

Këto aktivitete të zhvilluara pritet të pasohen me një seri aktivitetesh, duke filluar nga tavolinat e rrumbullakëta, seminare, takime në nivel institucionesh dhe rajonal etj.

Ato do të përmbyllen në me një konferencë kombëtarë në Ditën Ndërkombëtare të Infermierit, në 12 maj.Â

Vend kryesor në aktivitete do t'i kushtohet gjithashtu zbatimit të ligjit dhe kodit Etik Deontologjik të infermierëve, vlerësimit dhe përfaqësimit të këtyre profesionistëve në të gjitha nivelet e shëndetësisë shqiptare.

Në aktivitetet, që do të ndërmerren në kuadër të këtij muaji, do të vlerësohen arritjet, që nga dyfishimi i pagave për personelin e kujdeseve, Ligji për UISH, Kodi Etik-Deontologjik i Infermierëve, krijimi i Qendrës Kombëtare për Edukim të Vazhdueshëm, fillimi i studimeve për masterin në infermieri, etj.Â

e.l/NOA

KOMENTE