English

Presidenti Topi zhvilloi një takim me Ministren e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar Tejlor

Tiranë 23 prill NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave, Ministren e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baroneshën Uinfrid An Tejlor.

Gjatë takimit, kreu i shtetit Topi, njohu Ministren Britanike të Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar me disa prej zhvillimeve më të fundit të brendshme në Shqipëri, duke u ndalur tek hapat që po ndërmerren në vend në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2009

"Këto zgjedhje do të jenë tregues i dukshëm i një stabiliteti të konsoliduar politik në vend dhe si kriter me rëndësi për kandidaturën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian" u shpreh Topi. Ndërkohë Topi vlerësoi bashkëpunimin dypalësh të deritanishëm në fushat politike, në reformimin e forcave të armatosura, procesin e çarmatimit të municioneve, të rendit, etj, shprehu interesimin për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe parashtroi kërkesën për më shumë shkëmbim përvojash në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes në vend, në rajon e më gjerë. Në fjalën e saj Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, Baronesha Tejlor, shprehu përgëzimet e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një vend të denjë për Aleancën, vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke siguruar vazhdimin e partneritetit dhe bashkëpunimit mes vendeve.

k.k/NOA

KOMENTE