Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Shkrimtari Ylli Polovina prezanton librin e tij Ndarje me të shkuarën
English

Shkrimtari Ylli Polovina prezanton librin e tij "Ndarje me të shkuarën"

Tiranë, 23 prill NOA - Shkrimtari i njohur Ylli Polovina promovoi sot në Tiranë, në një takim me gazetarë, librin e tij të fundit "Ndarje me të shkuarën".

Ndër botimet e tjera të autorit janë "Natalja", historia e divergjencave politike mes Tiranës dhe Moskës në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar, ngjarje që shkaktoi ndarje të përdhunshme mes dashurive të sinqerta mes studentëve shqiptarë dhe vajzave ruse.

Po ashtu veçohet edhe "Skafistët në top sekret", ku trajtohet e gjithë historia konkrete e raporteve mes Tiranës dhe Romës, e tensionuar shpesh për shkak të trafikut ilegal nëpërmjet gomoneve të klandestinëve.

Dukuria nis që me arratisjen e parë që tendosi këto raporte, atë të familjes Popa, e cila u strehua në Ambasadën Italiane në Tiranë. Libri përfundon me përpjekjet që kanë bërë të dy shtetet për ta minimizuar këtë trafik dhe më në fund për ta zhdukur përfundimisht, çka është një sukses i madh që nuk duhet harruar.

Gjithashtu, një tjetër botim është "Një kolonel mes Tiranës dhe Prishtinës", libër ku tregohen për herë të parë shumë të pathëna nga lufta e UÇK dhe e NATO-s për çlirimin e Kosovës.

"Ndarje me të shkuarën"

Në qendër të librit është arrestimi dhe burgosja nga një prokurore e Drejtorisë së Antimafies së një qyteti të madh italian të një ish-zëvendësministri shqiptar të Punëve të Brendshme të periudhës së regjimit komunist, i cili mbulonte në rastet e mungesës së ministrit, edhe zbulimin.

Me këtë term atë kohë kuptohej rrjeti i personave të shërbimit të fshehtë që të kamufluar si diplomatë punonin në strukturat e ambasadave shqiptare jashtë vendit.

Personazhi kryesor i librit "Ndarje me të shkuarën" në këtë post ka qenë prej vitit 1982 deri në 1989, duke u bërë kështu dëshmitar i shumë ngjarjeve kyçe të fundit të diktaturës. Në të njëjtën kohë ai u gjend i pranishëm edhe në të fshehtat e marrëdhënieve mes Romës dhe Tiranës.

Ky funksionar i kohës përjetoi periudhën kur Enver Hoxha ishte në një gjendje shëndetësore të përkeqësuar dhe tashmë pas pothuaj një dekade të tërë eliminimesh fizike në krye të partisë së vetme në pushtet, në të quajturën Byro Politike, përfundoi beteja mes të gjithë pretendentëve për ta zëvendësuar.

Në prill 1985 diktatori ndërroi jetë dhe pasuesi i tij, tashmë pa asnjë konkurrent apo rival, mbeti Ramiz Alia. Më pas ky do të jetë edhe presidenti i tranzicionit të Shqipërisë nga vetizolimi komunist në një shoqëri e shtet të hapur ndaj pluralizmit të politikës dhe të tregut.

Ndërkohë zëvendësministri shqiptar i Punëve të Brendshme i viteve 1982-1989, në vazhdim të detyrave funksionale të pararendësve të tij, do të mbulonte edhe veprimtarinë sekrete të një baze ekonomike, e cila merrej me tranzitimin e fshehtë të duhanit nga porti i Durrësit drejt brigjeve italiane, për t'u shitur këtu kontrabandë.

Libri "Ndarje me të shkuarën" nis me arrestimin e tij të papritur në aeroportin e Bolonjës në dhjetor 2003, i ardhur aty me vizë të rregullt për një aktivitet ekonomik treditor binjakëzimi me një dhomë tregtie vendase.

Siç më pas pak nga pak bëhet e qartë në pamundësi ta prangosnin në vendin e tij "loja" e nxjerrjes nga kufiri për ta futur në territorin italian u krye nëpërmjet një operacioni të kombinuar prej një sektori të caktuar të prokurorisë dhe policisë italiane me një apo dy individëve të pranishëm në një sektor të administratës shqiptare.

Libri mbyllet në fund të janarit të vitit 2005, kur pas afro katërmbëdhjetë muajsh, ndërsa u mbyll në katër burgje italiane, prej një gjykate vendase ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme i regjimit komunist u vlerësua si i pafajshëm dhe u shpall i çliruar nga të gjitha akuzat, duke u liruar menjëherë dhe rikthyer në vendin e tij.

Edhe pse ndërthuren e shpalosen në këtë hapësirë kohore, pra nga arrestimi në zhburgimin e tij, e gjithë lënda dhe personazhet e tjerë të librit "Ndarje me të shkuarën" përfshijnë ngjarjet e dy dekadave të tëra, të ndara në mes nga viti çlirues 1990.

Ndër mesazhet më kryesorë të tij janë:

1.

Opinionit publik në Shqipëri për herë të parë i bëhet i ditur arrestimi jashtë shtetit i një ish-funksionari të lartë të para vitit 1990 dhe i të vetmit deri tani.

Duke e deshifruar ngjarjen gradualisht për lexuesin bëhet e qartë se me këtë arrestim "ekselent", rreth të cilit në Tiranë u mbajt heshtje e plotë, kemi të bëjmë me një veprim arbitrar të mbështetur mbi akuza të montuara, të devijuara dhe në një rast edhe të falsifikuara rëndë, për të goditur e diskriminuar jo thjesht personin e prangosur, jo ish-funksionarin e të kaluarës komuniste, por vetë kryeministrin shqiptar të fillimit të viteve dymijë. Kështu me pjesëmarrjen e vetëdijshme, në disa raste edhe të pandërgjegjshme, të disa individëve në një media të rëndësishme të vendit fqinj si edhe të të tjerëve në një prokurori rajonale të antimafies, në Itali u vu në jetë një intrigë e organizuar prej një grupi të caktuar rival në Tiranë.

Kemi të bëjmë edhe njëherë tjetër, ashtu siç edhe gjatë përleshjes së gjatë brenda Byrosë Politike të diktaturës, të një rasti tjetër të ashpër, tashmë në dekadën e dytë të pluralizmit shqiptar, të luftës brenda llojit politik.

Ky rast në librin "Ndarje me të shkuarën" është i identifikuar dhe ka të bëjë me artikullin e botuar në gusht 2002 në revistën italiane "Espresso" me titullin "Padrinua i Shqipërisë" dhe i ribotuar më pas në disa media shqiptare.

Që prej këtij çasti për herë të parë zbulohet për lexuesit intriga dhe e fshehta e vërtetë që rri pas atij publikimi.

Siç tashmë dihet kryeministri shqiptar i kohës e paditi revistën italiane për shpifje dhe e fitoi dëmshpërblimin.

Me dy të akuzuar që fituan pafajësinë nga vetë gjykata italiane mbyllet edhe mesazhi i parë i librit, duke theksuar se nuk mund të merret nëpër këmbë me mendësi koloniale imazhi i një vendi ende në rritje dhe akoma i pafuqishëm të vetëmbrohet nga arroganca e disa individëve të huaj, në thelb lakmitarë ta ngrenë karrierën e tyre personale me fate popujsh e individësh të tjerë.

2.

Duke patur si temë themelore denoncimin e kësaj intrige, në libër përfitohet të hidhet dritë mbi pjesën tjetër të jetës së ish-zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të dekadës së fundit të viteve tetëdhjetë.

I akuzuar se rreth viteve dymijë ka bërë kontrabandë duhani kundër Italisë, kur kjo gjë nuk ishte aspak e vërtetë, zbulohet edhe pjesa tjetër e njërës prej ngjarjeve më të diskutuara: ajo e tranzitimit të duhanit gjatë regjimit komunist, trafikim që kishte nisur që në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar.

Në librin "Ndarje me të shkuarën" për herë të parë bëhet një përpjekje të tregohet si realisht ka funksionuar kjo bazë sekrete, zbulohen personat e huaj kyç të multinacionaleve amerikane.

Lexuesi me këtë rast informohet edhe për një të vërtetë: përdorimin nga zbulimi shqiptar i këtij aktiviteti edhe për qëllime të grumbullimit të informacionit të fshehtë.

Kështu pak nga pak ngjarjet shkojnë drejt nxjerrjes nga sekreti i lidhjeve dhe kontakteve të hamendësuara e të tërthorta të zbulimit komunist shqiptar me shërbime inteligjente amerikane.

Në libër dukshëm të qartësuara janë edhe ato të raporteve me një shërbim të caktuar të fshehtë italian, të interesuar për zhvillimet e pritshme në rajon, duke u hedhur dritë edhe mbi shumë ngjarje deri tani të mbuluar me misterin e kohës dhe të heshtjes.

3.

Siç bëmë të ditur më parë duke qenë se ish-zëvendësministri në mungesë të ministrit mbulonte edhe informatorët e kamufluar si diplomatë në librin "Ndarje me të shkuarën" dhe nëntitull "Një jetë para dhe pas vitit 1990" zbulohet edhe një pamje e re periudhës së fundit të regjimit komunist: prania në të e një lufte mes properëndimorëve dhe prolindorëve, betejë që e ka shoqëruar shtetin shqiptar gjatë gjithë historisë së formimit të identitetit të tij dhe sidomos në etapën kyçe të krijimit e shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar.

Më vonë ajo do të vijojë edhe në të gjitha fazat e konsolidimit të tij, republikane, monarkike, komuniste apo edhe pluraliste. Tashmë dihet që vendi ynë dhe të gjithë shqiptarët masivisht janë bashkuar me Perëndimin.

4.

Duke qenë se pa e lexuar librin kanë ndodhur keqkuptimet e para, siç edhe në hyrje të tij është shënuar se në të e vërteta historike dhe krijimtaria artistike ndihmojnë njëra-tjetrën, informojmë median se personazhi kryesor në bashkëveprim me të edhe të tjerë, nuk është plotësisht një person real, por një histori e marrë nga realiteti dhe e përpunuar sipas të gjitha rregullave të një vepre artistike.

Pra ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të viteve 1982-1989 është një tip i përgjithësuar dhe identifikimi i tij me çdo emër konkret është gjymtim i panevojshëm i mesazhit social që ka libri "Ndarje me të shkuarën".

Prej këtej vetëkuptohet se ai pothuaj nuk ka të bëjë drejtpërsëdrejti me pohimin apo mohimin e shumë ngjarjeve dhe sekreteve të kohës.

Në pjesën më të madhe ato janë marrë prej autorit nga kontakte dhe persona të tjerë, prej dokumenteve të kohës dhe nga çdo burim tjetër i vlerësuar si i sigurt.

Duke qenë një histori e romanizuar gjithçka që është mishëruar tek një personazh i përket një grupi të caktuar social e politik.

5.

Edhe pse shumica e ngjarjeve të librit ndodhin në Itali jeta shqiptare zë vend të dukshëm, duke përfshirë këtu edhe pamje të dhunshme të diktaturës si edhe të rezistencës së madhe ndaj saj jo vetëm nga të quajturit "armiq të partisë", por edhe nga atdhetarë që kishin pikëpamje të djathta dhe antikomuniste.

Prej këtej rrjedh edhe kryemesazhi i këtij libri: Ndarja me të shkuarën.

Prej saj, sidomos nga diktatura, ende trashëgojmë të pavërteta të mëdha.

Një ndarje e vendosur prej saj do të thotë të kemi forcën shpirtërore të rikthejmë plotësisht mes nesh dhe pa u vonuar të gjitha vlerat e mohuara apo të shtrembëruara të historisë sonë.

Libri përshkruan një ndarje me të shkuarën që i shërben të ardhmes së shoqërisë sonë të lindur nga Lëvizja e Dhjetorit.

e.l/NOA

KOMENTE