English

A do të pranojë Serbia çdo vendim të GJND-së ?

Analizë nga RFE

Vuk Jeremiç ka thënë se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën, madje edhe nëse GJND vendos ndryshe. Ekspertët në Beograd e quajnë imoral qëndrimin e tillë dhe e krahasojnë me qëndrimin e Adolf Hitlerit.

Procesi para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë praktikisht filloi me deponimin e parashtresave të anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Çështjen e obligimit të Serbisë e aktualizoi ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, kur u pyet se a do ta njohë Serbia Kosovën nëse Gjykata vendos se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. "Jo, kurrë dhe në asnjë rast", u përgjigj Jeremiç. Shtrohet pyetja - si të kuptohet ky qëndrim? Në tetorin e kaluar, para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shefi i diplomacisë serbe kështu e arsyetoi iniciativën e Serbisë.

"Përgjigjja që duhet të merret në formë të mendimit këshillëdhënës, do të bazohet në të drejtën ndërkombëtare. Kam besim se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të dijë çfarë të bëjë dhe do t'i marrë parasysh mendimet e të gjitha vendeve të interesuara dhe të organizatave ndërkombëtare", tha Jeremiç. Më pas, kur shumica e vendeve votuan për nismën serbe, Jeremiç këtë e shpalli si fitore të madhe të Serbisë. "Rezultati i sotëm, votimi i sotëm, është fitore jo vetëm e Serbisë, por edhe e së drejtës ndërkombëtare dhe e drejtësisë në marrëdhëniet ndërkombëtare", tha ai. Ata që ishin kundër nismës, pohuan se kjo nuk do ta zgjidhë kontestin, sepse Serbia vetëm dëshiron ta ndalë procesin e njohjeve të Kosovës. Dhe, me të vërtetë, Serbia reagoi në mënyrë drastike kur pas vendimit të OKB-së, vendet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi, e njohën Kosovën. Prandaj, shtrohet pyetja se çfarë do të thotë deklarata më e fundit e shefit të diplomacisë, Jeremiç, se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pavarësisht nga mendimi i Gjykatës? Analisti dr. Vatroslav Vekariq është anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe i Këshillit të Politikës së Jashtme pranë Ministrisë së Jashtme në Beograd.

"Nëse ai që e ka ngritur çështjen dhe ka kërkuar mendim, ndërsa mendimin do ta pranojë vetëm po t'i përgjigjet, atëherë kjo nuk lë përshtypjen e një sjelljeje kredibile. Mendoj se ky është obligim i propozuesit, në rastin konkret i vendit tonë, që mendimin e Gjykatës ta pranojë të atillë siç do të jetë", thotë Vekariç. Avokati Srgja Popoviq gjithashtu mendon se deklarata e Jeremiçit është shumë më tepër sesa një deklaratë problematike. "E para, ky është një qëndrim krejtësisht i pamoralshëm. E dyta, ai tregon se jeni të gatshëm ta keqpërdorni edhe institucionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe se për ju është e drejtë vetëm ajo që është e mirë për ju. Kjo është një porosi tipike nacionaliste, të cilën i pari e ka formuluar Adolf Hitleri, në deklaratën e njohur të tij se drejtësia është ajo që është e mirë për popullin gjerman", deklaron Popoviç. Sidoqoftë, analistët në Beograd janë të mendimit se vendimi i Gjykatës nuk do të jetë i prerë, në kuptimin që Kosova ka të drejtë apo Serbia ka të drejtë. Ata mendojnë se vendimi do të jetë i përzier dhe do të marrë parasysh edhe mendimin e palës tjetër.

KOMENTE