English

Ambasadori i SHBA në Maqedoni: Qeveria të respektojë vendimet e Kushtetueses

Shkup, 24 prill, NOA - Ambasadorët e SHBA-ve, BE dhe Britanisë së Madhe kanë shfaqur shqetësime lidhur me reagimet e qeverisë maqedonase në adresë të Gjykatës Kushtetuese.

Ambasadorët Filip Riker i SHBA-ve, Ervan Fuere i BE-së dhe Endrju Ki i Britanisë së Madhe kanë zhvilluar takime me kryeministrin Nikolla Gruevski për ti shfaqur shqetësimet lidhur me veprimet e fundit të qeverisë dhe qasjen e saj kontradiktore kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mësim-besimit fetar nëpër shkolla. Ambasadorët dhe Gruevski kanë biseduar edhe për zhvillimet e tjera në vend, duke u njohur me qëndrimet që synon të bëjë qeveria gjatë periudhës së ardhshme në planin ekonomik dhe politik.

Ambasadori amerikan Filip Riker bëri thirrje që qeveria dhe qytetarët të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

"Qeveria dhe të gjithë qytetarët duhet të respektojnë vendimet e këtyre institucioneve. Roli i Gjykatës Kushtetuese është pjesë e çdo demokracie. Në SHBA kemi gjykatë të tillë që është balancë me Qeverinë. Ndonjëherë vendimet që i sjellin janë të rënda, por luajnë rol të rëndësishëm", ka theksuar Riker.

Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker theksoi se zgjidhja e kontestit të emrit i mundëson Maqedonisë integrimin në NATO dhe BE. "Shpresojmë në zgjidhjen e problemit me emrin që do ti mundësojë Maqedonisë integrimin në NATO dhe BE", theksoi Riker i cili mori pjesë në shënimin e 22 prillit- Ditës së planetit Tokë. NOA-INA

KOMENTE