English

Publikohen inspektimet në gjyqësor dhe ndëshkimet për nëntor 2007-prill 2009

Tiranë, 24 prill NOA - Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj i ka dërguar sot Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkesën për procedimin disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Elbasan, duke kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra.

Këta tre gjyqtarë i shtohen listës së 10 gjyqtarëve për të cilët Ministri ka kërkuar procedim disiplinor gjatë periudhës 2008-2009.

Gjatë vitit 2005 -2009 më urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Drejtoria e Inspektimit të Gjyqësorit ka kryer gjithsej 33 procese inspektimi, në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe ato të Apelit.

Nga këto, 28 inspektime janë kryer në periudhën nëntor 2007-prill 2009 nga të cilat 8 kanë pasur si objekt inspektimin e veprimtarisë së administratës gjyqësore, 20 inspektime në gjyqësor tematike ose të përgjithshme, duke respektuar kalendarin e veprimtarisë inspektuese të miratuar në fillim të çdo viti.

Në përfundim të kësaj veprimtarie, Ministri i Drejtësisë, për inspektimet të kryera në periudhën e sipërpërmendur (2007-2009) ka dërguar kërkesat për procedimin disiplinor për 13 gjyqtarë nga të cilët ; 5 të Gjykatës të Apelit Vlorë, 3 të Gjykatës Ushtarake të Apelit; një të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat; dhe së fundmi (dërguar gjatë këtij muaji) për tre gjyqtarë të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Elbasan dhe një të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Për 12 gjyqtarë, në vlerësim të gjetjeve të rezultuara nga inspektimi apo materialet e përcjella nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është propozuar masa e shkarkimit nga detyra dhe për një prej tyre masa e transferimit në një gjykatë tjetër jashtë rrethit gjyqësor.

Ndërkohë janë në proces përpunimi nga Drejtoria e Inspektimit Gjyqësor, materialet që kanë rezultuar nga kontrollet e ushtruara në disa Gjykata të shkallës së parë dhe të Apelit.

Inspektimet e bëra gjatë vitin 2008-2009 me objekt kontrollin e administratës gjyqësore kanë përfunduar me shkarkimin e kancelarëve në gjykatat e rretheve gjyqësor Korçë, Kurbin, Lezhë, Lushnjë.

e.l/NOA

KOMENTE