English

MPJ reagon ndaj dyshimeve mediatike për marrëveshjet Shqipëri-Greqi

Tiranë, 29 prill NOA Update - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes deklaruan sot se hedhin poshtë, si të pabaza, dezinformuese dhe dashakeqe, informacionet e pasakta të botuara në një të përditshme shqiptare për "tkurrje të pozitës strategjike të shtetit shqiptar", si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjes për delimitimin e Shelfit Kontinental dhe të hapësirave të tjera detare mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Në deklaratën e përbashkët të dy dikastereve thuhet se marrëveshja e nënshkruar dje nga ministrat e jashtëm në prani të të dy Kryeministrave, është realizuar në një proces negocimi të kujdesshëm, prej rreth një viti.

"Marrëveshja u firmos në një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi reciprok dhe e bazuar në dëshirën e të dy palëve për të realizuar një ndarje të drejtë të kufirit detar, mbështetur në të drejtën ndërkombëtare për këtë fushë, si dhe Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit (1982), në të cilën të dy vendet janë palë", - thuhet në sqarimin e MPJ dhe MM.

Ata shtojnë se në procesin e negocimit të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, matjet janë bërë me metodat shkencore më të avancuara dhe nga specialistët më të mirë të fushës.

"Siç është theksuar shprehimisht në tekstin e marrëveshjes, 150 koordinatat e përcaktuara, të cilat, të bashkuara në një vijë të pandërprerë, caktojnë kufirin detar mes dy vendeve, janë absolutisht të baraslarguara nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend", - vijon deklarata.

Sipas ministrive, kjo marrëveshje, tashmë pjesë e rëndësishme e kuadrit ligjor dypalësh, respekton në mënyrë rigoroze, të drejtë dhe të barabartë sovranitetin dhe integritetin e të dy vendeve.

MPJ dhe MM thonë edhe se të gjitha dispozitat e parashikuara në Marrëveshje respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi, parashikimet e Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, si dhe janë konform të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare në çështjet e delimitimit.

Kurse theksojnë se Konventa për të Drejtën e Detit është baza mbi të cilën do të operojnë dy vendet tona në zbatimin e Marrëveshjes.

Në këtë pikë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë i konsiderojnë trillimet dhe trajtimin abuziv të çështjeve të tilla të rëndësishme si një dëshmi të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së thellë të profesionalizmit.

Po ashtu, dy ministritë deklaruan se mbeten gjithmonë të gatshme të ofrojnë transparencën e nevojshme ndërkohë që abuzime të tilla nuk i shërbejnë as informimit të drejtë të publikut shqiptar dhe as interesave të shoqërisë dhe të vendit.

***

Më herët, kabineti qeveritar doli me një qëndrim ku vlerësoi se "media të kontrolluara nga Edi Rama dhe nën diktatin e tij kanë shpifur dhe trilluar lidhur me vizitën e Kryeministrit të Greqisë Kostas Karamanlis sikur gjoja Kryeministri Berisha nuk paska diskutuar problemin e pronave të çamëve".

Në prononcimin e qeverisë thuhet edhe se "Kryeministri Berisha në këtë takim dhe në çdo takim me zyrtarët më të lartë të Greqisë, ka diskutuar këtë çështje në përputhje të plotë me përcaktimet e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë".

e.l/NOA

KOMENTE