English

Sondazhi i USAID, PS, Braçe: Berisha dhe qeveria e tij duhet të ikin

Tiranë 30 prill NOA - Nënkryetari i Grupit të deputetëve të PS, Erion Braçe, ka reaguar sot pas publikimit të sondazhit të USAID për korrupsionin në Shqipëri, duke u shprehur se Berisha dhe qeveria e tij duhet të ikin.

"59 ditë larg nga fundi i mandatit 4-vjeçar të Sali Berishës, referuar sondazhit më të fundit të USAID-it mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri, çdo shqiptar ka të qartë tashmë dy gjëra. 48.5 % e shqiptarëve mendon se korrupsioni në këtë vend është rritur në krahasim me një vit më parë, dhe besimi i qytetarëve shqiptarë tek institucionet në luftën kundër korrupsionit ka pësuar sërish rënie në krahasim me një vit më parë. Institucioni që në sy të shqiptarëve shihet si institucioni që ndihmon më pak në luftën kundër korrupsionit mbetet qeveria" u shpreh Erion Braçe.

Sipas tij nga 20 institucione të vlerësuara, 14 prej tyre konsiderohen si më shumë të korruptuara se sa të ndershme.

"Vlerësimi mesatar i 20 institucioneve ku përfshihet qeveria e Sali Berishës dhe Parlamenti i Jozefina Topallit është 61.5 pikë, duke treguar një nivel të lartë të korrupsionit. Me të korruptuarit mbeten ministrat e Sali Berishës, deputetët e Jozefina Topallit dhe shpesh të emëruarit e tyre, tatimoret dhe doganierët. Qeveria e Sali Berishës, Ministrat e tij, Drejtuesit Politikë të Administratës kanë nisur një fushatë të llahtarshme zhvatje dhe plaçkitje të pasurisë dhe të mirave publike. Pra, tani në fund po vjedh kushdo, pa dallim, Ministër apo Zyrtar Politik, dhe po vidhet apo tjetërsohet çdo gjë, nga tenderët deri tek liçensat" përfundoi Braçe.

k.k/NOA

KOMENTE