English

Gripi i derrit, Ministria e Bujqësisë përjashton mishin nga rreziku. Lajme të mira nga Meksika

Tiranë, 2 maj, NOA - Gripi i derrit nuk shkaktohet nga mishi i derrit, por nga një virus që mban emrin "H1N1". Me këtë argument, ministria e Bujqësisë i ka qetësuar qytetarët mbi shqetësimin nëse duhet të konsumojnë apo jo mish derri pas lajmeve për hapjen e grupit të derrit.

Në një deklarim zyrtar për mediat, ministria ka bërë të ditur se mishi i derrit nuk përbën aspak një burim infeksioni për virusin, duke këshilluar gjithsesi, që ai të gatuhet në temperaturat mbi 70 gradë celsius. Ndërkaq, lajme të mira duket se vijnë mbi këtë sëmundje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku specialistët kanë deklaruar se virusi H1N1 nuk është edhe aq i fortë sa dukej.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (USCDCP) ra dakord për faktin se shpërthimi i sëmundjes mund të mos jetë aq serioz sa u paraqit disa ditë më parë. Por edhe Meksika ka lajme pozitive, sipas të cilave numri i të vdekurve nga virusi H1N1 është 101, shumë më poshtë nga të dhënat e paradokohshme që bënin fjalë për më shumë se 176 persona të vdekur nga gripi i derrave. Ministri i Shëndetësisë, Jose Angel Cordova tha se shumica e testeve laboratorike kanë rezultuar negative. ''Vetëm 16 raste kanë rezultuar pozitive me gripin e derrave, ndërkohë që për 85 të tjerë rezultatet nuk kanë dalë ende'', deklaroi ai.

Gjithsesi, virusi i ri, H1N1, është shkaku i sëmundjes së tretë që paraqet mundësi për pandemi, gjatë 10 viteve të fundit, pas SARS-it dhe gripit të shpendëve. Ky virus ka provokuar një aktivitet të jashtëzakonshëm të ekspertëve të shëndetësisë për prodhimin e një vaksine si edhe ka shkaktuar një krizë të madhe në industrinë e udhëtimeve duke sjellë anulimin e qindra fluturimeve drejt dhe nga Meksika.

n.e/NOA

KOMENTE