English

PLL, Spahiu: Opozita, e kompleksuar dhe e paaftë për t'u ballafaquar me programe konkurruese

Tiranë, 2 maj NOA - Ndalesa e radhës e kryetarit të partisë "Lëvizja e Legalitetit" Ekrem Spahiu në turin e tij të takimeve me elektoratin ishte komuna Bradashesh e rrethit të Elbasanit ku ai prezantoi kandidaten e PLL për zgjedhjet e 28 qershorit znj. Emine Shehi.

Në fjalën e tij Spahiu tha se "në këtë komunë PLL ka një mbështetje të konsiderueshme elektorale dhe përfaqësohet me dy këshilltarë, njëra prej të cilave është Emine Shehi e cila në këshillin komunal ka mbajtur kurdoherë qëndrime korrekte ndaj interesave të elektoratit që e ka zgjedhur."

Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend, Spahiu tha se opozita e majtë po paraqitet para elektoratit shumë e çorientuar dhe konfuze.

"Kjo ndodh sepse opozita nuk ka asnjë alternativë për t'i ofruar shqiptarëve dhe se përpara sukseseve të kësaj mazhorance ajo ndjehet e kompleksuar dhe e paaftë për t'u ballafaquar me programe konkurruese", - tha Spahiu.

"Në këto kushte, - vijoi ai, - opozita e majtë ka zgjedhur rrugën e krijimit të alibive për të justifikuar dështimin e saj të pritshëm në zgjedhjet e 28 qershorit.

Spahiu u shpreh i bindur që zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë të lira dhe të ndershme. Këtë ai tha se e mbështet "në vullnetin e palëkundur dhe të dëshmuar të maxhorancës për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe me klimën e re dhe standardet e reja që po zbatohen në vend pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe aplikimit për në BE".

k.k/NOA

KOMENTE