English

Lamtumirë "xhindi ynë zemërmirë e gojëmbël". . .

Nga Edi Rama*

Kryetar i Partisë Socialiste

Fatmir i dashur!

Kemi ardhur për të të përcjellë në banesën e fundit, pa e ditur arsyen e ikjes tënde nga kjo botë ku së bashku kaluam plot vite, punuam, folëm e qeshëm, e ku për të gjithë ti ishe "xhindi zemërmirë e gojëmbël" që jetonte mes punëve të fshatit, e Kuvendit të Shqipërisë, pa prishur kurrë qejf me askënd.

Përveç punëve të mira që bëre me bashkëfshatarët e për bashkëfshatarët e tu, ti nuk ke pasur veçse kujtime të mira që na i mbushin të gjithëve sytë me lot, po s'na ndihmojnë fare të kuptojmë pse-në e dhunës vrastare që mbrëmë të mori jetën, duke copëtuar me plumba zemrat e nënës, gruas, djemve, motrës e vëllezërve të tu, duke na copëtuar shpirtin të gjithëve ne, miqve e shokëve të tu të panumërt, këtu në vendlindjen tënde e kudo, duke tronditur Shqipërinë mbarë.

Askush nga ne nuk ka fjetur dot mbrëmë e të gjithë duam të dimë çfarë kanë parë sytë e tu tek pragu i shtëpisë përpara se të mbylleshin përgjithmonë! E vërteta e kësaj mizorie nuk të kthen dot në jetë, miku ynë, por pa dalë ajo në dritën e diellit ti do ta kesh të pamundur të prehesh i qetë në terrin e banesës ku po të kyçin, ndërsa për të gjithë ne të tjerët, gropa e padrejtësisë që të mori jetën do të mbetet e hapur si varr për shpresën tonë se ky vend mund të bëhet i drejtë me të gjithë, e për të gjithë.

S'ka dyshim se kur të quajtën Fatmir, nëna e babai yt i ndjerë deshën një fat më të mirë për ty, miku ynë.

Ti bërë gjithçka mundet një njëri i ndershëm e punëtor, për ta luftuar varfërinë në familjen tënde me forcën morale të një djali e vëllai të mirë.

Ti bërë gjithçka mundet një burrë e baba i mirë për t'u dhënë fëmijëve të tu e fëmijëve të vëllezërve të tu edukim dhe shkollë të denjë.

Ti bërë gjithçka mundet një shqiptar fisnik e ambicioz krahas bashkëfshatarëve të tu që të deshën e të zgjodhën në krye të komunës për të luftuar për kushte e ditë më të mira për të gjithë.

Ti bërë gjithçka mundet një deputet i popullit, përfaqësues dinjitoz i njerëzve të thjeshtë e të munduar të këtij populli, duke qenë me ta ditën e natën, pranë hallexhinjve e të sëmurëve, në pikëllime e në gëzime.

Ti bërë gjithçka mundet një njeri i urtë për të na dhënë me sjelljen tënde përherë korrekte e me fjalët e tua asnjëherë të tepërta, shtysën për punë të mira për njerëzit, e për vendin.

Ti bërë gjithçka për të merituar një fat më të mirë, i dashuri im Fatmir…

Ky është një moment kur edhe më mosbesuesi nga ata që të njohën do të donte me gjithë forcën e shpirtit që të kishte një Zot. Një Zot për t'i dhënë forcë nënës e fëmijëve, gruas, motrës, vëllezërve, të gjithë të dashurve të tu, këtu e kudo. Një Zot për të na dhënë të gjithëve forcën për të luftuar me errësirën e me krimin, edhe me më shumë arsye. Një Zot për ta ndihmuar drejtësinë për të bërë drejtësi me një fuqi të re. Një Zot për ta bërë dritë shpirtin tënd e për të të dhënë me pafundësinë e asaj bote atë që, kjo bota jonë, ta kurseu kaq padrejtësisht...

Lamtumirë "xhindi ynë zemërmirë e gojëmbël".

(*) Fjala e mbajtur sot në ceremoninë e lamtumirës për të ndjerin Fatmir Xhindi në Roskovec

KOMENTE