English

Topalli në homazhet për deputetin Xhindi: Të gjithë të mbështesim policinë

Roskovec, 3 maj/ NOA Update - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e shoqëruar nga një numër i madh deputetësh mori pjesë në ceremoninë e homazheve në nderim të deputetit Fatmir Xhindi, i vrarë mbrëmë, pranë banesës së tij në Roskovec.

Në ceremoninë e rastit, u vendosën kurora në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetares. Topalli takoi dhe i përcolli ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të deputetit Fatmir Xhindi, bashkëshortes së tij, fëmijëve dhe familjarëve të tjerë.

Pas kryerjes së homazheve, Kryetarja e Kuvendit tha se ajo që ndodhi dje, vrasja që i mori jetën kolegut, deputetit të tri legjislaturave, Fatmir Xhindi, "është një ngjarje shumë rëndë".

Topalli vlerësoi se "nuk është goditur vetëm Roskoveci, por është tronditur e gjithë Shqipëria, nuk është goditur vetëm deputeti Fatmir Xhindi, por është goditur Parlamenti".

Kurse theksoi se "familja ka humbur njeriun e tij të dashur, fëmijët babanë e mrekullueshëm, bashkëshortin e nderuar, vëllain e tyre, birin e tyre".

Topalli ritheksoi kërkesën që "të gjithë të mbështesim policinë dhe institucionet e specializuara".

Dhe përfundoi: "Unë jam e sigurt që, ata që kanë guxuar të ngrenë dorën jo thjesht kundër Fatmirit, po kundra Parlamentit, do të marrin ndëshkimin më të egër që është marrë ndonjëherë, dënimin më të egër që parashikon ligji".

e.l/NOA

KOMENTE