English

Ministria e Financave udhëzon Postën Shqiptare për kartat e identitetit

Tiranë 4 maj NOA - Ministria e Financave i ka dërguar sot Postës Shqiptare udhëzimin për kartat e identitetit.

"Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 19 datë 30.04.2009, udhëzohet pajisja me kuponë në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore, kundrejt pagimit të tarifës prej 200 lekësh të gjithë shtetasit që deri në datën 28.06.2009 janë 18- vjeç e lart, nuk disponojnë pasaportë për jashtë shtetit si dhe nuk përfitojnë nga asnjë skemë kompensimi" thuhej në udhëzimin që i ka dërguar ministria e Financave sot postës.

Gjithashtu nga ky vendim përfitojnë edhe të gjithë shtetasit që votojnë për herë të parë por që nuk janë në shkolla publike.

Ministria e Brendshme i vë në dispozicion zyrave postare të njësive të qeverisjes vendore listën e personave që nuk disponojnë pasaportë.

"Shtetasit përfitues sipas këtij vendimi paraqiten në zyrat postare të njësive të qeverisjes vendore me një dokument identifikimi, si certifikatë, patente, ose dokument tjetër, që ka fotografi, për identifikim të personit. Nëpunësi i zyrës postare bën verifikimin e personit me listat e dërguara nga Ministria e Brendshme dhe i kërkon atij të paguajë 200 lekë për marrjen e kuponit të vulosur nga ana e postës" thuhej më tej në udhëzim.

Në rast se shtetasi përfitues nuk figuron në listën e dërguar nga Ministria e Brendshme, por që nuk disponon pasaportë për jashtë shtetit, nëpunësi i zyrës postare i kërkon shtetasit një vërtetim nga policia e shtetit që nuk disponon pasaportë ose ai nënshkruan formularin sipas modelit bashkëngjitur vendimit. Ministria e Brendshme pajis zyrat postare me formularët e deklarimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Postes bën një përmbledhëse ku rendit të gjitha kërkesat e ardhura nga zyrat postare të njësive të qeverisjes vendore dhe i bashkëngjit edhe të gjitha formularët analitik të çdo zyre postare dhe i dërgon në Ministrinë e Brendshme.

Ministria e Brendshme bën verifikimet e nevojshme dhe i regjistron këto të dhëna në një data bazë të cilën e përdor edhe për të ndjekur shlyerjen e debitorëve.

Kërkesa përmbledhëse i dërgohet Ministrisë së Financave e cila bën çeljen e fondeve për llogari të Postes Shqiptare sipas procedurave të zbatimit të buxhetit.

Shtetasit përfitues derdhin vullnetarisht brenda një periudhe 6 mujore vlerën 1000 lekë në zyrat e postës, për llogari të buxhetit të shtetit. Zyrat e postës, brenda ditës i transferojnë paratë e mbledhura në llogari të thesarit dhe i raportojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Postës, e cila me të marrë informacionin nga zyrat postare, për shumat e arkëtuara nga to dërgon zyrtarisht në Ministrinë e Brendshme listën emërore të shtetasve që kanë kthyer detyrimin.

Ministria e Brendshme bën mbylljen e detyrimeve të shtetasve në listat e marra më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Postave.

Të gjithë personat që në fund të periudhës 6 mujore, nuk kanë shlyer detyrimin, shpallen debitorë dhe listat e tyre dërgohen nga Ministria e Brendshme, në njësite e qeverisjes vendore për vjeljen e detyrimeve sipas kompetencave për zbatimin e masave shtrënguese si dhe procedurave për vjeljen e detyrimeve debitorë.

Në fund të periudhës 6 mujore Ministria e Brendshme përgatit një raport përmbledhës, për Ministrinë e Financave, mbi shumat e paguara, arkëtuara dhe të mbetura pa u vjelur.

k.k/NOA

Â

KOMENTE