English

Blushi, në Korçë: 99 % e shqiptarëve, po varfërohen nga dita në ditë

Alba Filipi

Tiranë, 5 Maj NOA - Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste (PS), Ben Blushi, deputeti Alfred Dalipi dhe Nënsekretari për koordinimin i PS, Arben Ahmetaj, ishin sot në fshatin Udinisht të rrethit të Pogradecit.

Ata janë takuar me të gjithë banorët, në kuadrin e turit për prezantimin e Programit të Ri Qeverisës në Qarkun e Korçës.

Gjatë fjalës së mbajtur, deputeti socialist Ben Blushi ka vënë theksin te problematika e fshatit, që sipas tij është rrjedhojë e politikave aspak favorizuese nga ana e qeverisë. Blushi, i ka siguruar banorët, se pas ardhjes së Partisë Socialiste në pushtet, janë gati një sërë masash, duke filluar nga dhënia e çertifikatave të pronësisë, heqja e akcizës për naftën dhe deri te mbështetja e bujqve dhe fermerëve, për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre.

Për Ben Blushin, më 28 Qershor, të gjithë shqiptarët duhet të largojnë me votë qeverinë e Sali Berishës, e cila ka pasuruar veten dhe ka varfëruar popullsinë.

"Ne kemi një diferencë të madhe me Partinë Demokratike, e cila duket çdo ditë. Kemi një diferencë e cila nëse në rastin tonë synon të mundi varfërinë, në rastin e tyre synon të pasurojë disa njerëz që janë në pushtet, duke filluar nga familja e Sali Berishës", - theksoi Blushi.

Ai vlerësoi se nëse ka sot një familje, një njeri, një grusht njerëzish që pasurohen, këta janë vetëm qeveritar në pushtet. Kurse tha se 99 % e shqiptarëve po varfërohen nga dita në ditë.Â

Sipas Blushit, varfëria fillon nga fshati dhe mbaron në qytet. Sepse kur fshati është i varfër edhe qyteti është i varfër.

"Nëse Udinishti është i varfër, nuk ka prodhime nuk ka mundësi të shfrytëzojë tokën e vet, kështu që edhe Pogradeci është i varfër", - konkretizoi ai.

"Lista e borxheve në dyqane, në thertore, etj., është më e gjatë se Sali Berisha, është më e gjatë se 14 ministrat e kësaj qeverie".

Në këtë pikë, Blushi tha se më 28 qershor, ne do të shkojmë të votojmë për të shpëtuar nga varfëria dhe mjerimi. Ne kemi një projekt, të cilin e theksoj, fillon nga fshati, duke i dhënë dinjitet, duke i dhënë gjithsekujt atë që meriton, duke i dhënë fshatarit dhe fermerin tokën e vet.

"Sigurisht, që fshati do të jetë prioriteti i madh i Partisë Socialiste, sepse në fshat, përveç çertifikatës së tokës, ne do të subvencionojmë prodhimet bujqësore, që sot nuk arrijnë të shkojnë dot në tregun e qytet", - premtoi Blushi.

Ai tregoi se në fshat "ne do të reduktojmë koston e lartë të prodhimeve, duke zhdukur akcizën e naftës".

a.f/NOA

KOMENTE