English

NATO merr në dorë kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë

Tiranë, 7 maj NOA - Aleanca e Atlantikut Verior (NATO-OTAN), merr në dorë "frenat" e hapësirës ajrore shqiptare.

Lajmi konfirmohet për agjencinë e lajmeve NOA nga burime zyrtare të Këshillit të Ministrave.

Ata thanë se në mbledhjen e fundit të qeverisë, u miratua vendimi për t'i kërkuar Kuvendit që në mënyrë urgjente të miratojë planin për të lejuar pa afat strukturat e NATO-s që të marrin nën kontroll ajrin shqiptar.

"Me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi propozimin e projektligjit "Për patrullimin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë", për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë", - thuhet në vendimin që miratoi qeveria.

Sipas vendimit, lejohet kryerja e patrullimit të hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë nga forcat ajrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO).

Ndërsa autorizohet Këshilli i Ministrave të lidhë marrëveshjet përkatëse me strukturat e NATO-s, për zbatimin e këtij ligji.

Qeveria konfirmoi se ky ligj do të zbatohet deri në çastin kur Republika e Shqipërisë do ta kryejë vetë patrullimin e hapësirës së saj ajrore. Ky ligj, do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Republika e Shqipërisë mori ftesën një vit më parë dhe në fillim të muajit prill, u bë anëtare me të drejta të plota e Aleancës.

NATO, kishte paralajmëruar se një ndër beneficet që përfitonte Shqipëria me anëtarësimin e saj në këtë aleancë ushtarake, do të ishte marrja e kontrollit të hapësirës ajrore shqiptare nga forcat dhe teknologjia e Aleancës, duke i kursyer vendit tonë para dhe struktura të posaçme për patrullim ushtarak ajror që Shqipëria i posedonte në masë të ulët prej disa vitesh.

e.l/NOA

KOMENTE