English

Presidenti Topi takohet me ministrin e Mbrojtjes së Hungarisë, Szekeres

Tiranë 6 maj NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në mjediset e Pallatit të Brigadave, Ministrin e Mbrojtjes së Hungarisë, Imre Szekeres dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë.

"Në këtë momente, si vend anëtar i Aleancës më të madhe të paqes dhe të sigurisë në botë, ne jemi të gatshëm dhe të ndërgjegjshëm për nevojën e rritjes së standardeve të bashkëpunimit me vendet partnere të NATO-s, në përmbushje të misioneve të rëndësishme të saj" u shpreh Topi.

Kryetari i Shtetit vuri në dukje vijimësinë e reformave për transformimin dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura, po ashtu për përgatitjen e kuadrove të kualifikuar dhe profesionistë.

Presidenti Topi bëri një panoramë të zhvillimeve të brendshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fazën parapërgatitore të procesit elektoral për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. "Ne e shikojmë Shqipërinë si faktor qëndrueshmërie në rajon dhe e vlerësojmë shumë politikën e saj të kujdesshme e të moderuar në Ballkan" u shpreh ministri i Mbrojtjes së Hungarisë, Imre Szekeres.

Presidenti Topi dhe Szekeres ndanë të njëjtën pikëpamje për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor duke shprehur bindjen se pas vendosjes së qëndrueshmërisë politike, zgjerimit të hapësirës së sigurisë nëpërmjet integrimit në NATO dhe më pas në Bashkimin Evropian, rritjes së bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, e ardhmja e të gjitha vendeve të gjitha vendeve të rajonit do të jetë orientimi dhe anëtarësimi në strukturat euro-atlantike dhe në gjirin e familjes së madhe evropiane. k.k/NOA

KOMENTE