English

Pse nuk ka ndryshime, në qeverinë "Thaçi"

Nga Armand Shkullaku* Prej shumë kohësh, në mjediset politike dhe në ato pranë tyre, po flitet për ndryshime të mundshme në Kabinetin Qeveritar Thaçi.

U fol dendur para do muajsh, ku në shënjestër ishin kryesisht ministrat Gashi dhe Hyseni. Po flitet përsëri tani dhe listës i janë shtuar edhe Shala, Kelmendi, Vehabi... Disa herë është dukur sikur ndryshimet do të ndodhnin shpejt, çështje ditësh, dhe herë të tjera, befas, ato janë bërë të largëta. Por, e rëndësishme është se për to po debatohet dhe komentohet gjatë. Nga opozita, nga vetë anëtarët e koalicionit qeveritar, nga media, nga qytetarët. Por, pse nuk ndodh diçka për të cilën flitet kaq shumë? Sepse, njeriu që i ka në dorë këto ndryshime, Hashim Thaçi, duket se ka qenë i interesuar që për to të flitet, por asnjëherë të mos vendoset. Ai kurrë nuk ka thënë se nuk do të bëjë ndryshime, madje në disa raste ka lënë të kuptohet se e ka gati firmën për të ndëshkuar ministrat e paaftë, por gjithçka e ka lënë pezull. Kjo situatë: edhe do të ketë, por edhe nuk do të ketë ndryshime, Hashim Thaçit i intereson për disa arsye. Duke u marrë me një temë të tillë, vëmendja e opinionit sa vjen e fokusohet në emra të veçantë ministrash e jo mbi Kryeministrin dhe kabinetin në tërësi. Pakënaqësia popullore e ka një shtrat mbi të cilin derdhet. Për fat të mirë, ose edhe me pak mjeshtëri, ka qëlluar që emrat e ministrave të paaftë t'i përkasin LDK-së, partisë partnere në koalicion dhe ata më të suksesshmit PDK-së. Jo vetëm kaq, por duke mos bërë ndryshime, edhe ajo pjesë e opinionit mediatik që do të tregohet kritike ndaj Qeverisë, e ka një target për ta bërë këtë. Në mungesë të një opozite të fortë politike, kjo lloj loje brenda kabinetit thyen edhe monotoninë e të qeverisurit pa u ndjerë i kërcënuar. Përse Thaçit i duhet atëherë ta ndryshojë këtë situatë? Nuk i duhet edhe sepse Thaçi, si njohës i mirë i skenës politike kosovare, e di se ndryshimet do të shkaktonin valë pakënaqësie dhe do të zgjonin shumë orekse. Nuk do të ishin të pakënaqur vetëm ministrat që do të largoheshin, por edhe ata që do të synonin të zinin vendet e tyre. Postet janë pak, ndërsa ata që duan të bëhen ministra janë shumë. Rreziku për kalimin tek AAK nuk është vetëm tek të shkarkuarit, por edhe tek qejfmbeturit, që do të revoltoheshin nga çdo zgjidhje që do të bënte Sejdiu për të nominuar ministrat e rinj. Një situatë e tillë do të shkaktonte çarje në LDK dhe Hashim Thaçit, për momentin, kjo është gjëja që më pak i duhet. Po ashtu, edhe Sejdiut, që në këtë lojë nuk i mbetet tjetër vetëm të përsërisë frazat standarde të Kryeministrit se "puna e çdo ministrit do të vlerësohet me seriozitet". Ndryshimet nuk do sillnin telashe vetëm për LDK-në. Thaçit, i cili praktikisht menaxhon dy parti, i duhet të mendojë edhe për PDK-në. Duke e ruajtur gjithnjë si një mundësi potenciale ndryshimin e kabinetit, ai i krijon idenë e pasigurisë çdo ministri të partisë së tij, që në një moment të caktuar mund ta ndjente veten të fuqishëm. Jo vetëm kaq. Virusi i ndryshimeve do të përhapej edhe brenda radhëve të partisë së tij, ku shumë individë që do të kishin dashur të uleshin në karriget e ministrave, do të gjenin rastin për ta shprehur pakënaqësinë e tyre për anëtarë të caktuar të kabinetit. Xhelozitë, që në vitin e parë të qeverisjes kanë qenë të tulatura, do të gjenin rast të shpërthenin me kalimin e kohës. Ndonëse është ende shpejt, liderit të PDK-së i duhet ta ruajë me çdo kusht unitetin e brendshëm për të siguruar edhe një mandat të dytë. Kështu, Hashim Thaçit i shkon fare mirë për shtat që për ndryshimet të flitet, por ato asnjëherë të mos ndodhin. Ankth dhe pasiguri në njërën anë për anëtarët e kabinetit, shpresë për të tjerët se një ditë mund të bëhen ministra, zhvendosje e vëmendjes nga problemet e qeverisjes tek emrat konkretë, janë vetëm disa nga avantazhet e kësaj strategjie. Por, që nuk dihet edhe për sa kohë mund të jetë efikase, sepse në fund të fundit rezultatet e dobëta nuk mund të mbulohen me taktika politike. Nëse shëndetësia, drejtësia apo ekonomia kanë mungesa serioze, ato nuk mundet përjetësisht t'u faturohen individëve të veçantë. Kjo është një shtyrje, por jo një zgjidhje e problemit. Në fund, bilanci negativ do t'i rëndojë krejt Qeverisë dhe njeriut që e drejton atë. I takon Thaçit të vendosë nëse duhet të bëjë një operacion të guximshëm tani në trupin e Qeverisë së tij, apo do ta shtyjë me barna, me shpresë se sëmundja do të kalojë vetë.

(*) Publikuar sot në "Express"

KOMENTE