English

Urdhëri i Infermierëve: Pa infermieri të vlerësuar, nuk ka shëndetësi të përparuar

Tiranë, 9 maj, NOA - Pa një sistem infermierie të vlerësuar, nuk mund të pretendohet që të ketë një sistem shëndetësor në tërësi të reformuar dhe të përparuar në normat që kërkohet prej ndërkombëtarëve.

Kjo ka qenë tema rreth së cilës kanë diskutuar strukturat e institucioneve shëndetësore në rrethe të tjera të vendit, pas takimeve të kryera javët e fundit në kuadrin e Muajit të Infermierit (12 prill-12 maj).

Bëhet e ditur për agjencinë e Lajmeve NOA se edhe në këto takime të reja janë ngritur prej infermierëve të gjitha shqetësimet që hasin në punën e tyre të përditshme, ku jo në pak raste ndihen të përçmuar dhe jo të vlerësuar siç duhet për rolin e pazëvendësueshem që kanë në procesin shëndetësor.

Këto takime po shërbejnë në të njëjtën kohë edhe për sensibilizimin e infermierëve mbi rritjen e nivelit etiko-profesional të tyre, si edhe po diskutohet mbi tematika për rritjen e profesionalizmit të kësaj kategorie në sektorin shëndetësor.

Mjekët jo gjithmonë i marrin në konsideratë mendimet e tyre dhe për këtë ata ndihen pa të drejtë edhe inferiorë para mjekëve.

Urdhëri i Infermierit bën me dijeni se sërish në takimet e fundit nëpër rrethe me strukturat e shëndetësisë dhe përfaqësi të caktuara të inferemierëve, ata kanë ngritur shqetësimin se përfaqësohen në mënyrë të mangët në instancat drejtuese të shëndetësisë.

Presidenti i këtij Urdhëri, Sabri Skënderi, pohon se "infermierët meritojnë të kenë përfaqësinë e tyre deri në nivelet më të larta, siç është edhe Ministria e Shëndetësisë". "Derisa mbulojnë një sektor mjaft të vështirë siç është ai i ndihmës së parë ndaj pacientit dhe janë në kontakt të vazhdueshëm dhe konkret me të gjitha problematikat e pacientëve, ata meritojnë të jenë të përfaqësuar dhe të respektohen për detyrën e nderuar, por edhe të vështirë që iu duhet të kryejnë në çdo moment", ka deklaruar Skënderi gjatë këtyre takimeve në rrethe.

Infermierët sipas tij, nuk përfaqësohen madje as atje ku diskutohet për të ardhmen e profesionit të tyre, apo për rritjen e cilësisë në shërbimin spitalor, gjëra këto që kanë të bëjnë në mënyrë direkte me rritjen profesionale të tij.

Nga ana tjetër, Urdhëri i Infermierit vë në dijeni se javën e ardhshme, në datën 12 Maj, do të zhvillohet konferenca e madhe Kombëtare e Infermierisë, në të cilën do të diskutohen të gjitha problematikat që kanë dalë gjatë diskutimeve në konferencat rajonale të Infermierëve.

n.e/NOA

KOMENTE