English

Qëndrimi antipronar

Nga Rrapo Hajredin Danushi

Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve "Pronësi me Drejtësi"

Debat publik me Sali Berisha dhe Edi Rama, kundërshtarë konsekuentë të pronarëve të ligjshëm

Zoti kryeministër, nuk do t'ju drejtohesha publikisht në shtyp sikur të mos kishit deklaruar para gazetarëve atë tullumbacen e madhe se 98% e pronarëve mbështesin Partinë Demokratike dhe koalicionin e saj, deklarim që tregon absurditetin e mendjes tuaj. Relacionet me pronarët ne ua kemi bërë të njohura publikisht si kryesisë së Partisë Republike z.Fatmir Mediu, z.Arian Madhi dhe z.Sabri Godo por edhe ju si kryetar i PD. Ju për shkak të brumosjes tuaj apo të detyrimeve që keni ndaj të kaluarës keni zbatuar me konseguencë platformën e Katovicës dhe i keni shkaktuar popullit dëme aq të mëdha sa nuk mund ti maskoni. Media dhe shoqëria civile, akademikët, intelektualët, ju kanë kundërshtuar dhe kanë bërë punën sensibilizuese. Shoqata "Pronësi me Drejtësi" dhe ajo "Bregdeti" ka publikuar vazhdimisht në shtyp mendimin se e vetmja zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme e pronës është respektimi të drejtës së pronësisë bazuar në nenet 41/2 dhe 181/2 të Kushtetutës dhe kadastrës së periudhës së para shtetëzimit komunist. Pas vitit 1991, ju në vend që ti kthenit pronat pronarëve origjinalë, vazhduat dhe e thelluat grabitjen e pronave private të qytetarëve të etiketuar si kulakë dhe të persekutuarve të regjimit diktatorial duke miratuar dhe zbatuar ligjin 7501 dhe ligje të tjera të ngjashme. Ligji 7501, që ju e keni deklaruar si të zbatuar plotësisht por që në fakt është zbatuar vetëm në 23 % të sipërfaqes së vendit është faqja më e zezë e politikanëve që kanë gëlltitur çorbën e Katovicës si për ju që mbani peng të djathtën. Të ngjashëm janë edhe të ashtuquajturit të majtë që bëjnë fushatë në bregdetin turistik me ligjin antikombëtar 7501 dhe legalizimin e akteve të paligjshme pa pyetur për të drejtën e pronësisë të pronarëve origjinalë. Shtetit Shqiptar detyrimet kushtetuese për të kthyer pronën tek i zoti i fillojnë në 1991 dhe ju e dini se si janë trajtuar pronarët nga 1991 deri sot. Qëndrimi juaj antipronar është analizuar juridikisht dhe është bërë publik nga avokatët e njohur Pirro Totozani dhe Agim Tartari, por ju edhe krahu rozë keni preferuar të bëni sikur nuk dëgjoni.

Edhe pas miratimit të Kushtetutës problemi i pronës mbeti i pa zgjidhur dhe askush nuk ndjen përgjegjësinë se Kushtetuta nuk zbatohet. Ligjet për pronat ndonse gjysmake, janë zbatuar sipas interesave të kryetarëve të Komisionit të Kthimit Pronave, të Kryetarit të Agjencisë që me akuzën "I korruptuar" janë larguar nga vendi i punës çdo 3-6 muaj, por pronat e vjedhura prej tyre nuk janë kthyer në origjinë. Ligjet e pronave janë amenduar shumë e shumë herë sipas interesave të klaneve por asnjëherë nuk janë përputhur me Kushtetutën që ta çojnë pronën tek i zoti . Vetë ligji për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese sanksionon shtimin e jetëgjatësisë së ligjeve dhe të akteve antikushtetuese dhe ja lë stafetën Parlamentit si ligjvënës. Në legjislacionin 2001-2005, nga shoqata Pronësi me Drejtësi dhe Bregdeti janë paraqitur dy projektligje, një për korrigjimin e gabimeve me pronat në rang vendi dhe një tjetër për zonat turistike. Siç e dini shumë mirë këto projektligje u lanë pa u diskutuar deri ditën e fundit dhe nuk morën përgjigje as Po e as JO. Të dy projektligjet u sabotuan pikërisht nga deputetët tip Fazlliç që interesoheshin për përfitimet e tyre mbi pronat që u përkisnin pronarëve të ligjshëm. Për këtë situatë skandaloze dhe deputetët që i patën firmosur dhe mbështetur këto projektligje heshtën. Qëndrimi antipronar u thellua pas vitit 2005 dhe nismat ligjvënëse kanë qenë të Partisë Republikane. Zoti Kryeministër, sot Shqipëria është anëtare në NATO dhe ne pronarët dhe të persekutuarit dëshirojmë të jemi sa më shpejt në BE., por pengesa jeni ju. Nga 18 vjet jetë politike, Ju zoti Sali Berisha nuk e keni mësuar akoma se demokracia fillon me pronën tek i zoti. Sa për lëvizjen pa viza Europa kërkon vetëm pasaportat biometrike që duhet ti kishit bërë vite më parë. Ne shoqatat dhe mediat kemi sensibilizuar dhe do të sensibilizojmë për qëndrimin tuaj antipronar, se jemi ne pronarët ata që gjatë regjimit komunist jemi persekutuar, jemi përndjekur, jemi denigruar dhe internuar si kulakë, si shtresë e pasur dhe si antikomunistë. Jeni ju që prej vitit 1991 po talleni dhe nuk doni të respektoni të drejtën e pronësisë. Sot të gjithë pronarët e kanë të qartë se ju nuk doni që pronat të kthehen në origjinë dhe për këto ju duhet të jepni shpjegime, por as ju dhe askush nuk do mundeni kurrë të na i mohoni pronat sepse kjo është pjesë themelore e të drejtave të njeriut, është ABC-ja e çdo vendi anëtar në NATO dhe BE dhe prandaj jam shprehur në media se politikës tuaj antipronar shpejt do t'i vijë fundi.

As ju dhe as Kryesia e Partisë Republikane nuk ka dhënë asnjë përgjigje për shkrimet e përsëritura që janë botuar nga ne dt 2 shkurt 2009 në gazetat Tema, Ndryshe, Sot, Libertas për "Raportin e partisë Republikane me pronarët". Ju siguroj se të gjithë e duan pronën që ju ka lënë babai dhe se prona fitohet me blerje me dhurim dhe me trashëgim por asnjëherë me grabitje. Nëse ju z.Berisha nuk ju shkau goja por jeni i bindur se 98% e pronarëve janë me ju po ju kujtoj ato vargjet labe që thonë "harroje mushkë Valarenë se Ali Pashanë e prenë" Shkrime të tjera që mund të ju ndihmojnë të kuptoni për temën e pronës ju mund të gjeni me datën 26.04.2009 në gazetat Tema , Ndryshe , Metropol, me datën 25.01.09 në gazetat Koha Jonë, Tema, Ndryshe, Metropol, Telegraf etj.

Në kushtet e kësaj anarkie dhe demagogjie kur të drejtat tona për pronën e trashëguar vazhdojnë të dhunohen ne i kërkojmë edhe një herë sekretarëve dhe këshilltarëve politikë të ambasadave të akredituara në Shqipëri që të ja dërgojnë këtë mesazh qeverive përkatëse përfshi kryesine e NATO-s dhe BE që edhe ata të veprojnë politikisht ndaj këtij korrupsioni shtetëror.

Pronarët pa dallim krahu, elektorat i majtë apo elektorat i djathtë, të rinj apo pensionistë do të votojnë kryesisht për kandidatët e Shoqatës "Pronësi me Drejtësi", që do kandidojnë me siglën e LZHK brenda Polit të Lirisë, pasi kjo parti pranoi që problemi i pronës të zgjidhet sipas kërkesave dhe platformës së Shoqatës, duke vlerësuar se alternativa e shoqatës përputhet me standardet evropiane dhe me kërkesat e detyrimeve kushtetuese. Kandidatët e Shoqatës janë persona që kanë dhënë prova dhe prej shumë vjetësh luftojnë për kthimin e pronës tek pronari, praktikisht janë zëri i çdo pronari dhe i çdo shqiptari të ndershëm që kërkon që prona t'i kthehet pronarit dhe mos t'i lihet politikanëve grabitqarë të maskuar si të majtë apo si të djathtë.

 Platforma shoqatës Pronësi me Drejtësi e pranuar nga LZHK që kërkon respektimin e të drejtës së pronësisë kërkon që zgjidhja e problemit të pronës dhe reforma e pronës të bëhet në përputhje me kërkesat e nenit 191 të dok nr 11115 dt 20.12.2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të detyrimeve kushtetuese të pranohet me ligj si detyrimi i qeverise dhe shtetit. Do kërkojmë që Qeveria të evidentojë se cilat janë prona ku shteti gëzon ligjërisht titujt e mirëfilltë të pronësisë në përputhje me nenin 41 të Kushtetutës dhe cilat janë prona që shteti i diktaturës iu grabiti pronarëve të ligjshëm. Të jetë detyrim i shtetit që pronat e grabitura tu kthehen fizikisht pronarëve, brenda një periudhe shumë të shkurtër. Vetëm kështu do të ndalet sorollatja e pronarëve dhe korrupsioni vertikal që fillon me komisionet deri në Agjencinë Qendrore. Ky korrupsion ka ndotur gjykatat dhe prokuroritë që janë pak të efektshme për zbatimin e ligjit. Do kërkohet që të shpallen të ngrira procesi i legalizimit, ndërsa kompensimi të bëhet me prona të mirëfillta të shtetit, që sipas të dhënave zyrtare përbëjnë mbi 52% të tokave. Kompensim të parashikohet vetëm për pronat që edhe sot vazhdojnë të shfrytëzohen për nevoja publike, si dhe ato prona që nga viti 1944 deri 1991 janë tjetërsuar për godina banimi. Duke zbatuar këtë platformë Shtetit me 52 për qind të pronave ku është pronar i mirëfilltë, i del dhe i tepron të kompensojë shumë herë më tepër nga sa janë nevojat reale, pa krijuar deficite financiare për të cilat të gjithë shqiptarët sipas platformës mashtruese aktuale të PD, duhet të paguajnë për më shumë se 1000 vjet.

Platforma e pranuar prej LZHK dhe Polit të Lirisë për zgjidhjen definitive të anarkisë së të drejtës së pronësisë së shpejti do të bëhet publike. Kjo platformë do te ketë mbështetje shumë më të gjerë nga sa mendohet sot përfshi edhe zonat veriore ku prona që në vitin 1991 -92 është kthyer në origjinë.

Lidhur me fushatën elektorale që po bën tu bjeri ndërmend për pronarët më saktë për votat e tyre si Fatmir Mediu edhe ju po premtoni se këtë radhë do ta zgjidhni problemin e pronave. Cilido e kupton se ju për 18 vjet e keni trashur shumë gabimin në kurriz të pronarëve, dhe nuk mund të gjeni pronarë që të mund të ju besojë më tej.

Më lejoni tu pyes publikisht ju z. Sali Berisha dhe z. Fatmir Mediu: a është morale që këtë shtresë të popullit që efektivisht e keni dëmtuar dhe masakruar prej 18 vjetësh ti premtoni përsëri se: - votoni për mua se unë do jem shpëtimtari juaj? Uroj që ti largoheni shpejt kësaj rruge antikombëtare që po shton mëkatet tuaja dhe si ju dhe Edi Rama të përkrahni kandidatët tanë se ata do korrigjojnë gafat tuaja. Përshëndes z. Kurt Kola që reflektoi drejtë dhe u bashkua me Polin e Lirisë.

KOMENTE