English

Berisha: Edi Rama, në je burrë, eja në Krujë

"Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së Bashkisë. Dil, edhe një herë të them, sepse ata që të ndjekin ty, ata socialistë të ndershëm, duan të të shohin ty të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të Bashkisë, pas karrigeve të Bashkisë"

Krujë, 15 maj/NOA - Kryeministri Sali Berisha tha sot në Krujë, se "alternativa jonë po ndryshon qartësisht jetën tonë dhe ka fituar besim të jashtëzakonshëm jo vetëm politik, por edhe në mbarë botën për biznesin".

Vlerësimet e Berishës erdhën në vazhdim të turit "Shqipëria po ndryshon", në qytetin e Krujës ku ai përuroi përfundimin e punimeve të rrugës Krujë-Abazaj, investim me vlerë 38 milionë lekë si dhe sistemin e ndriçimit të të gjithë rrjetit rrugor të qytetit, investim me vlerë rreth 25 milionë lekë.

Berisha përuroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit dhe rikonstruksionin e rrugës para Bashkisë së qytetit, investim me vlerë 41 milionë lekë.

Drejtuesit vendorë evidentuan se në tetë vitet e qeverisë socialiste në Bashkinë e Krujës janë investuar 180 milionë lekë, ndërsa gjatë këtyre katër viteve nga Partia Demokratike janë investuar 1 miliard e 550 milionë lekë.

"Skënderbeu"

Berisha ka folur gjatë për "sulmin më të turpshëm dhe më të pashembullt ndaj Skënderbeut".

"Skënderbeun, ju krutanët dhe të gjithë shqiptarët e mbajtët në shpirt dhe në zemër nga brezi në brez, por pavarësinë dhe kultin ia ngriti Evropa, e cila pa tek ai legjendën e mbrojtjes së saj. ishte Evropa që shkroi me mijëra vëllime, poema dhe histori ndaj tij. Ata që u përpoqën që Skënderbeun ta nxjerrin serb, ata nuk janë gjë tjetër veçse vasalë të Dushanit, të cilët në këtë kohë, me këtë komb dhe me moralin e tij nuk kanë asgjë të përbashkët", - tha Berisha.

Këtu ai theksoi se "Skënderbeu aq saç është i gdhendur në gurët dhe shkëmbinjtë e këtij vendi, të këtij qyteti, po aq është edhe në mendjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve", kurse  i drejtoi një thirrje z. Rama:

"Hajde këtu në Krujë, ngrije kokën lart, ki guxim dhe shihe drejt e në sy Skënderbeun, sepse dashtë Zoti të jep pak forcë të japësh dorëheqjen nga kryetar i Bashkisë dhe të dalës në shesh të mejdanit, për të treguar se fundi yt politik është data 28 qershor. Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së Bashkisë. Dil, edhe një herë të them, sepse ata që të ndjekin ty, ata socialistë të ndershëm, duan të të shohin ty të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të Bashkisë, pas karrigeve të Bashkisë".

Qeveria

Kryeministri  i tha banorëve krutanë se "ne që nxorëm 400 mijë shqiptarë nga varfëria, po ne do t'i japim asaj goditjet më të rënda dhe shqiptarët do të shkëputen një herë e mirë nga ky armik i egër i tyre".

Këtu Berisha citoi edhe se "vizitova një nga fshatrat e Fushë Krujës dhe më pritën me krenari të madhe e më thanë se ne themi që jemi Las Vegas i Fushë Krujës, sepse në çdo derë shtëpie shkonte asfalti".

Në këtë pikë, kryeministri vlerësoi se "përballë kësaj alternative ka dhe një alternativë tjetër që është alternative e nxirjes, alternativa e damkosjes, alternativa në të cilën thuhet në mënyrë absolute: Rroftë karrigia dhe poshtë Shqipëria".

e.l/NOA

KOMENTE