English

Topi dekoroi me "Medaljen e Mirënjohjes" Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Tiranë, 19 maj NOA - Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar sot në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë me "Medaljen e Mirënjohjes".

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, të dekretit të dekorimit, Kreu i Shtetit i dorëzoi në shenjë vlerësimi Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin: "Për kontributin dhe rolin e madh që ka luajtur në integrimin e fëmijëve jetimë në shoqërinë shqiptare, në ndihmën dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të tyre, duke u dhënë shpresën për një të ardhme edhe më të sigurt, nderin dhe dinjitetin që u takon". Pas falënderimit që Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, i shprehu Presidentit Topi për vlerësimin me medalje për punën e organizmit që ai drejton në ndihmë të jetimëve, e mori fjalën në këtë ceremoni edhe Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon L. Uithërs II. "Padyshim, ky është një moment ceremonial, por në të njëjtën kohë, një moment i fortë sentimenti, ndjenje, ku besoj që njeriu me përmasat e tij formale nuk duhet të orientohet thjesht në një pikë. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme që kërkojmë të institucionalizojmë, ditën në favor të jetimëve, të tregojmë dhe të demonstrojmë të gjithë angazhimin tonë njerëzor dhe institucional" u shpreh gjate fjalës së tij Topi. "Unë e di që jeta sot është bërë veçanërisht e vështirë. Sot e kanë të vështirë të orientohen fëmijët me prindër, fëmijët që kanë familje të organizuara. Përfytyroni sa e vështirë është kjo për fëmijët jetimë, që kanë brenda dimensionin e dramës së tyre, dhe nga ana tjetër, nuk kanë atë përkujdesje të gjithanshme që duhet të rrethojë botën e një fëmije" shtoi më tej presidenti Topi.

k.k/NOA

KOMENTE