English

Lirohet nga burgu Sokol Koçiu, i njohur si "Bosi i Kokainës"

Tiranë, 20 maj/ NOA - Sokol Koçiu, i njohur si bosi i kokainës, arrestuar nëntë vjet më parë për trafik lëndësh të forta narkotike në bashkëpunim, sot ka fituar lirinë, pas shumë e shumë procesesh dhe shqyrtimesh gjyqësore që kishte aplikuar.

Vendimin e dha sot në mesditë në Gjykatën e Rrethit të Tiranës, gjyqtari Arben Micko, i cili vendosi lirimin me kusht të Koçiut.

Gjatë periudhës së mbetur të dënimit të dhënë, Koçiu nuk duhet të përfshihet në asnjë hetim apo akuzë penale në të kundërt duhet të rikthehet në qeli për të vuajtur pjesëhn tjetër të dënimit me burg të dhënë nga drejtësia.

Ish-oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Koçiu kishte paraqitur përmes avokatit të tij mbrojtës, se kishte probleme shëndetësore që e detyronin të kërkonte nxjerrjen nga qelia.

Më herët, në seancën pararendëse, Koçiu kishte deklaruar duke argumentuar kërkesën për lirim se "do të punoj me bashkëshorten time, në zyrën e saj të projektimeve, por kam edhe profesionin tim".

Koçiu ishte dënuar me 12 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Bëhet fjalë për të famshmin "Grupi Kokaina".

e.l/NOA
KOMENTE