English

Aktivistët e G99: Na dhunuan policët e bashkisë së Kamzës

Tiranë, 21 maj NOA - Aktivistët e G99 kanë denoncuar sot policinë bashkiake të Kamzës se u kanë shkatërruar vendqëndrimin.

Me anë të një deklarate zëdhënësi i G99, Kristi Pinderi ka bërë të ditur dhunën e ushtruar ndaj tyre.

"Sot rreth orës 14.30, efektiva të Policisë Bashkiake të Kamzës shkatërruan në mënyrë demonstrative një vendqëndrim, (pikë informacioni), të G99 në qendër të Kamzës" deklaroi Pinderi. Sipas tij, aktivistet e G99 ishin duke informuar kalimtarët e shumtë në këtë vendqëndrim publik rreth aktivitetit të G99, kur të paktën 5 policë të Policisë Bashkiake të Kamzes u afruan duke bërtitur.

"Personat e veshur me uniforma të policisë bashkiake shkatërruan vendqëndrimin e G99 duke i hedhur të gjitha materialet në rrugë dhe duke i detyruar me dhunë aktivistët e G99 që të largoheshin nga Kamza. Asnjeri prej këtyre policëve nuk kishte në uniformë identitetin e vet" shtoi më tej Pinderi. Ai deklaroi se "G99 ka bërë ndërkohë një kallëzim penal ndaj autorëve të kësaj ngjarje aspak të pranueshme në një fushatë elektorale dhe kërkon me insistim që autoritetet përkatëse të marrin sa më parë masat e duhura".

k.k/NOA

KOMENTE