English

Shefja e ODIHR, Glover, kundër rikthimit të certifikatave në zgjedhje

INTERVISTA / Shefja e misionit të vëzhguesve të ODIHR, ambasadorja Audrey Glover, flet në një intervistë dhënë gazetës "Koha Jonë". Vlerëson se situata në Shqipëri ka ndryshuar shumë nga viti 1996 dhe shpreh shpresën për zgjedhje të arrira më 28 qershor. Evidenton problemet që përballet periudha parazgjedhore dhe kritikon forcat kryesore politike se në dy proceset e kaluara zgjedhore, "vunë interesat afatshkurtra partiake mbi stabilitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor"

Nga Edison Kurani

Shefja e misionit të vëzhguesve të ODIHR, ambasadorja Audrey Glover (Odrij Gluver), në një intervistë ekskluzive për gazetën "Koha Jonë", flet mbi zgjedhjet e 28 qershorit, situatën paraelektorale dhe raportin që pritet të dalë një ditë pas 28 qershorit. Zonja Glover i përgjigjet pyetjes lidhur me përplasjen për emërimin e saj dhe ndalet në raportin për zgjedhjet e 26 majit 1996, duke siguruar se "ky raport i nxjerrë 13 vjet më parë nuk do të ndikojë në asnjë rast, mënyrën se si do të trajtojmë vëzhgimin e zgjedhjeve të qershorit". Zonja Glover evidenton edhe faktin se gjatë zgjedhjeve të kaluara OSBE/ODIHR-i, kritikoi rolin e partive kryesore politike pasi, sikundër pohon "ato vunë interesat afatshkurtra partiake mbi stabilitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor". Kurse thotë se shpreson që "nuk do të ketë një përsëritje të këtij fenomeni në zgjedhjet e sivjetme, siç edhe shpresojmë që arritjet e deritanishme të konsolidohen më tej më 28 qershor". Zonja Glover, e pyetur mbi debatin e ditëve të fundit për çështjen e certifikatave, përjashton rikthimin e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit, kur thekson faktin se "për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas të cilave një zgjedhës mund të paraqesë kartën e identitetit apo pasaportën në mënyrë që të votojë, u ra dakord nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, si pjesë e disa ndryshimeve dhe përmirësimeve të tjera për Kodin Zgjedhor". Intervistën e plotë të zonjës Glover, mund ta lexoni në numrin e nesërm të gazetës "Koha Jonë".

E nderuar Ambasadore Glover, së pari ju urojmë suksese në detyrën tuaj që për hir të së vërtetës, sidomos pas mbylljes së kutive të votimit më 28 qershor, merr një rol shumë të rëndësishëm për politikën dhe popullin shqiptar. Duke u ndalur këtu, do të doja të njihnim lexuesit me misionin tuaj konkret në Shqipëri?

Ne jemi këtu me ftesë të Ministrisë shqiptare të Punëve të Jashtme dhe në përputhje me mandatin e OSBE/ODIHR-it për vëzhgim shumëplanësh të zgjedhjeve para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Ne kemi një grup ekspertësh për zgjedhjet në Tiranë, ku përshihet një analist politik, një analist ligjor, dy analistë të zgjedhjeve dhe një analist për mediat. Përveç tyre, kemi 26 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në ekipe prej dy personash në të gjitha zonat e vendit. Dy nga këto ekipe janë të vendosura në Tiranë. Për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve, ODIHR-i ka kërkuar ardhjen e 400 vëzhguesve afatshkurtër nga vendet pjesëmarrëse në OSBE, të cilët do të vëzhgojnë zhvillimet e ditës së zgjedhjeve, si dhe numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve. Konstatimet e ekspertëve dhe vëzhguesve afatshkurtër e afatgjatë do të paraqiten në një raport paraprak, i cili do të shpallet ditën pas zgjedhjeve.

Qytetarët shqiptarë janë njohur me ju, për një debat të fortë që lindi pak javë më parë kur ju u emëruat si drejtuese e misionit. Qeveria pranoi se e kishte kundërshtuar emrin tuaj, kurse opozita ju përkrahu. Ndërkohë, mediat raportuan se kreu i KQZ, i zgjedhur nga PD, kërkoi zyrtarisht ndryshimin e emrit tuaj kurse pak më vonë, u njoftua konfirmimi nga KQZ që ju emëronte si kryetare të misionit. Publiku është informuar për hir të së vërtetës, përmes raportimeve të njëanshme në media ndaj do të ishte mirë të sqaroni, çfarë ndodhi?

Nuk është sekret që qeveria dhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë shprehur shqetësim për emërimin tim, duke iu referuar raportit të ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 1996, i cili u publikua nën përgjegjësinë time si drejtoreshë e atëhershme e ODIHR-it. Kjo u pasqyrua gjerësisht në media. Jam e vetëdijshme që jo të gjithë ishin të kënaqur me përfundimet e raportit tonë të vitit 1996. Por është detyra jonë, që na është caktuar nga 56 vendet pjesëmarrëse të OSBE-së, që ndonjëherë të paraqesim çështje të vështira e ndonjëherë të pakëndshme. Sidoqoftë, ky raport i nxjerrë 13 vjet më parë nuk do të ndikojë në asnjë rast mënyrën se si do të trajtojmë vëzhgimin e zgjedhjeve të qershorit. Që të sqarohem deri në fund: Unë jam këtu pa koncepte apo ide të paramenduara dhe jam plotësisht e angazhuar për t'i vëzhguar këto zgjedhje me objektivitet dhe paanshmëri. Metodologjia jonë, e testuar për vite me radhë në vëzhgime zgjedhjesh në të gjithë rajonin e OSBE-së, jep garanci për një vlerësim të bazuar mbi fakte, dhe të pacënuar nga anësitë e ndikimet politike.

Ndërkohë, unë jam akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së bashku me pjesën tjetër të ekspertëve dhe vëzhguesve afatgjatë. Misioni është takuar me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme dhe Kryeministrisë. Unë dhe anëtarët e ekipit tim kemi takuar një sërë partish politike që garojnë në këto zgjedhje. Gjithashtu kam takuar të gjithë anëtarët e KQZ-së dhe z. Poni, Zëvendësministrin e Brendshëm. Analistët kanë takime të rregullta me KQZ-në dhe palë të tjera të përfshira në zgjedhje. Vëzhguesit afatgjatë kanë një axhendë të ngjeshur me takime në zonat e tyre. Më vjen mirë që kundërshtitë e fillimit për emërimin tim nuk shkaktuan probleme për aktivitetet tona vëzhguese.

Ashtu si në zgjedhjet e vitit 1996, edhe tani, 13 vjet më pas, në krye të shtetit është Sali Berisha, atëherë president dhe sot kryeministër. Në raportin që ju nxorët për zgjedhjet e atëhershme, evidentuat parregullsi të shumta. A mendoni se situatat janë të ndryshme nga njëra-tjetra, sot dhe në vitin 1996?

Zgjedhjet e vitit 1996 u zhvilluan më tepër se një dekadë më parë. Sot jemi këtu për të vëzhguar zgjedhjet e 2009-ës. Raporti i vitit 1996 pasqyroi konkluzionet faktike të vëzhguesve të atëhershëm. Që nga ajo kohë, në ligjin zgjedhor dhe proceset zgjedhore shqiptare kanë ndodhur mjaft ndryshime tepër pozitive. Ne shpresojmë që kjo ecuri e arritur në zgjedhjet e mëparshme të konsolidohet më tej më 28 qershor.

Vijmë në procesin aktual zgjedhor. Në Kod është parashikuar që për të votuar, janë të vlefshme pasaportat dhe kartat e reja të identitetit, duke përjashtuar certifikatat, aq shumë të kontestuara, si mundësi për të manipuluar zgjedhjet. Si e shihni ju ecurinë e këtij procesi dhe sa besoni se të gjithë shqiptarët do të pajisen me karta deri në zgjedhje, flas për ata që nuk kanë pasaporta, ose afro një e treta e votuesve?

Në raportet mbi zgjedhjet e mëparshme, ODIHR-i rekomandoi prezantimin e një forme të re identifikimi që nuk lë vend për abuzime, si dhe një regjistër të gjendjes civile dhe të sistemit të adresave, që të jetë funksional dhe i modernizuar. Jemi të kënaqur që shikojmë se Kodi i ri Zgjedhor parashikon një sistem regjistrimi zgjedhësish të bazuar në regjistrat kombëtarë të gjendjes civilë, të cilët janë të kompjuterizuar dhe modernizuar. Është tepër herët që ne të bëjmë komente mbi procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit, por e kuptojmë se kjo është një çështje, e cila ka hapur polemika në këto zgjedhje.

Këto ditë, nga Partia Socialiste, Kastriot Islami, publikisht ka kërkuar siç tha ai, një alternativë tjetër për shtetasit që nuk pajisen dot me kartë deri më 28 qershor, duke mos bërë të qartë se çfarë kërkohej konkretisht. Megjithatë mazhoranca deklaroi përmes kreut të Partisë Demokratike të Tiranës, Aldo Bumçi, se nuk do të pranohej asnjë kompromis për të rikthyer në "lojë" certifikatat. Kujtojmë këtu, se eliminimi i certifikatave nga votimet ishte rrjedhojë e një konsensusi PD-PS. Si e shihni ju gjithë këtë histori dhe a mendoni se ka një zgjidhje?

Për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas të cilave një zgjedhës mund të paraqesë kartën e identitetit apo pasaportën në mënyrë që të votojë, u ra dakord nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, si pjesë e disa ndryshimeve dhe përmirësimeve të tjera për Kodin Zgjedhor. Duhen bërë të gjitha përpjekjet e mundshme që të gjithë ato zgjedhës me të drejtë vote por pa dokumentet e duhura të identifikimit, të pajisen me karta identiteti, në mënyrë që ata të mund të votojnë ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor 2009. Kjo është një përgjegjësi e qeverisë në mënyrë të veçantë, por si me të gjitha politikat që kanë të bëjnë me qytetarët, procesi i aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit duhet të ketë mbështetjen e qytetarëve dhe partive politike. Vëzhguesit tanë afatgjatë po e ndjekin procesin në rajone dhe një nga analistët tanë të zgjedhjeve ka detyrë të veçantë analizimin e regjistrimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Konkluzionet në lidhje me këtë çështje do të përfshihen në raportet tona të ndërmjetme, si dhe në deklaratën e konkluzioneve paraprake që do të nxjerrim ditën pas zgjedhjeve.

Zyrtarisht fushata elektorale, presupozohet të nisë më 28 maj. Në të vërtetë të gjithë e dimë se ajo ka nisur shumë më herët, që verën e kaluar kurse nga janari u bë edhe më intensive. Ju duket normale dhe brenda normave ligjore një fushatë e tillë kaq e tejzgjatur?

Ne shohim politikanë dhe parti politike që po bëjnë fushatë. Kodi Zgjedhor nuk i ndalon në mënyrë specifike aktivitete të tilla përpara fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Ekipi ynë po e ndjek fushatën, përfshirë edhe median, për të parë nëse fushata është në përputhje jo vetëm me angazhimet e OSBE-së, por edhe me legjislacionin kombëtar shqiptar.

Ju thatë se jeni duke monitoruar edhe mediat e shkruara dhe ato televizive. Mund të na jepni disa të dhëna mbi rezultatin e monitorimit?

Të dhënat e para nga monitorimi i medias do të dalin në kohë për raportin tonë të dytë të ndërmjetëm, të cilin mendojmë se do ta nxjerrim përpara mesit të muajit qershor.

Nga vëzhgimi që ju keni bërë deri tani, si e shihni aktualisht procesin parazgjedhor dhe ku mendoni se ka probleme që deri më 28 qershor, duhen korrigjuar?

Është tepër herët që ne të arrijmë në përfundime në një fazë kaq paraprake të procesit. Shpresoj që polemikat në lidhje me kartat e identitetit të mos ndikojnë në mënyrë negative procesin zgjedhor. Po ashtu, po ndjekim edhe ngritjen e komisioneve zgjedhore dhe procesin e regjistrimit të listave të kandidatëve me KQZ-në, pasqyrimin e procesit zgjedhor në media, dhe, siç e përmenda edhe më lart, fushatën.

Raporti që ju do të nxirrni për zgjedhjet, duhet pranuar se ka një rol deciziv dhe ndikim real në politikën shqiptare dhe arenën ndërkombëtare. Duam t'ju pyesim: Ku do të bazoheni në këtë raport, pra cilat janë pikat e forta që do të fokusoheni?

Ne e dimë që raporti ynë do të ketë një rol të rëndësishëm për politikën shqiptare dhe të ardhmen e Shqipërisë. I sigurojmë të gjitha palët e interesuara në këtë proces që ODIHR-i do ta bëjë punën e saj me paanshmëri të plotë. Paanshmëria e ODIHR-it është një nga arsyet se pse është vlerësuar aq shumë puna jonë në të gjithë rajonin që mbulon OSBE-ja, 56 vende, për kaq vite me radhë.

Ne po veprojmë vetëm mbi bazën e metodologjisë së ODIHR-it, e cila është sprovuar shumë herë dhe pranohet gjerësisht. Kjo do thotë se marrim angazhimet e OSBE-së dhe legjislacionin kombëtar dhe vlerësojmë se deri në ç'shkallë i arriti standardet procesi zgjedhor.

Misioni vëzhgues po përqendrohet në të gjitha aspektet e procesit zgjedhor, administrimin e zgjedhjeve, përfshirë punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të komisioneve të niveleve më të ulëta, regjistrimin dhe identifikimin e zgjedhësve, procesin e regjistrimit të kandidatëve, fushatën zgjedhore, pasqyrimin mediatik të zgjedhjeve dhe fushatës, si edhe pjesëmarrjen e grave dhe pakicave kombëtare në procesin zgjedhor. Dhe sigurisht që ne do të vëzhgojmë ditën e zgjedhjeve, numërimin e votimeve dhe nxjerrjen e rezultateve.

Një pyetje jashtë çështjes aktuale. Si e shihni Shqipërinë para 13 vjetëve dhe tani. Çfarë mendoni se ka ndryshuar për mirë dhe a nuk mendoni edhe ju se kjo kohë do të ishte e mjaftueshme për ta afruar Shqipërinë më shumë me Evropën dhe cilësinë e saj të jetesës?

Siç e përmenda edhe më parë, ne kemi vënë re, se që nga viti 1996 ka pasur ecuri që është arritur hap pas hapi. OSBE/ODIHR-i mund ta bëjë këtë koment, pasi ka një pozicion unik duke qenë se i ka vëzhguar pothuajse të gjitha zgjedhjet në Shqipëri që nga viti 1996. Raportet e ODIHR-it për Shqipërinë e pasqyrojnë shumë qartë këtë ecuri. Në veçanti, është përmirësuar Kodi Zgjedhor, dhe procesi i regjistrimit të zgjedhësve. Të dyja raportet e fundit të OSBE/ODIHR-it, - ai për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 dhe raporti për zgjedhjet vendore të vitit 2007, deklarojnë se zgjedhjet kishin përmbushur pjesërisht angazhimet e OSBE-së dhe se kishin plotësuar kushtet për garë konkurruese. Nga ana tjetër, gjatë të dyja këtyre zgjedhjeve OSBE/ODIHR-i kritikoi rolin e partive kryesore politike pasi ato vunë interesat afatshkurtra partiake mbi stabilitetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Shpresoj që nuk do të ketë një përsëritje të këtij fenomeni në zgjedhjet e sivjetme, siç edhe shpresojmë që arritjet e deritanishme të konsolidohen më tej më 28 qershor.

Marrë nga "Koha Jonë", 27 maj 2009

KOMENTE