Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Tronditet Greqia, 37-vjeçari helen detyron të riun shqiptar të kryejë një vrasje
English

Tronditet Greqia, 37-vjeçari helen detyron të riun shqiptar të kryejë një vrasje

Nga bashkëpunëtori i agjencisë së lajmeve NOA

Mitilini, 27 maj/ NOA - Një krim i shëmtuar ka ndodhur në Greqi duke tronditur opinionin vendas, pasi një 37-vjeçar helen detyroi të riun shqiptar të kryejë vrasje për llogari të tij, në përpjekje për të fituar disa prona dhe një milion euro.

Në lidhje me ngjarjen, policia greke tha se arrestoi si autorë të krimit emigrantin shqiptar dhe 37-vjeçarin helen.

Burimet zyrtare policore konfirmuan sot për agjencinë e lajmeve NOA se janë arrestuar Albin Zogu, 23 vjeç, emigrant i rregullt nga Shqipëria dhe Panajotis Magos, 37 vjeç, shtetas grek. Ata akuzohen për vrasjen në bashkëpunim të 74-vjeçarit Gabriel Eftimiu.

Ngjarja e rëndë, e cila nga mediat greke cilësohet si një film horror, ka ndodhur pesë ditë më parë në Kaloni, qytet pranë Mitilinit, në rajonin Lesvos të Greqisë, kurse mëngjesin e sotëm të dyshuarit u dërguan para gjykatës ku morën masën e sigurisë së arrestit me burg deri në përfundim të hetimeve.

Ngjarja

Zyrtarët e policisë kanë detajuar dinamikën e vrasjes. Gjithçka ka ndodhur natën duke gdhirë 22 maji, në orën 01.30, në banesën e Gabriel Eftimiut në qytetin Kaloni, por pikënisja datonte mesin e vitit 2007.

Policia tha se pasi zbardhi skemën e krimit, konstatoi se kishte të bënte me një krim të paramenduar dhe të planifikuar, madje konfirmoi se "dy të prangosurit, kishin tentuar edhe pesë herë të tjera më parë, t'i merrnin jetën Eftimiut".

"Ne konstatuam ekzistencën e një plani të organizuar që kishte në qendër vrasjen, për të marrë pronën e familjes Eftimiu, në vlerën një milion euro në llogari bankare dhe disa apartamente dhe prona të tjera të paluajtshme", - saktësoi policia e Lesvos.

Ajo pohoi se po heton edhe për vrasjen e Jorgos Vuladhas, vëllai i Afrula Eftimiut, gruas së Gabriel Eftimiut, e cila kishte si trashëgimi, një pjesë të pasurisë së familjes Eftimiu. Pikërisht kjo pjesë e pasurisë, i kaloi pas vdekjes së Jorgos Vuladhas, njërit prej të arrestuarve, Panajotis Magos.

Hetimet

Prej vitesh, Afrula, bashkëshortja e Gabriel Eftimiut, jetonte me ankthin se çdo të bëhej pas vdekjes së saj, me dy fëmijët të cilët i ka të sëmurë mendorë në gradë të rëndë.

Ajo konsideronte se ishte shumë e vështirë që ata të mbijetonin normalisht edhe pse trashëgonin pasurinë e tyre, shumë prona dhe mbi një milion euro në llogari bankare.

Ajo ishte edhe më e shqetësuar, për faktin se i shoqi, Gabrieli, një ndërtues i njohur në Kaloni, nuk i donte fëmijët, për shkak se ishin mendërisht të paaftë.

Për më tepër ai bënte me faj të shoqen për trashëgimi të kësaj sëmundjeje, pasi dhe vëllai i saj, ishte gjithashtu i sëmurë mendor.

Në këtë vorbull telashesh, krejt papritur, shfaqet në jetën e çiftit Eftimiu, Panajotis Magos, një 37 vjeçar që punonte në furrën e bukës përballë shtëpisë së tyre.

Afrula u mahnit nga sjellja e tij tepër elegante teksa i shërbente bukën kur shkonte të blinte çdo ditë dhe sikundër i pohoi policisë gjatë dëshmisë së djeshme, "u magjeps" prej tij.

Ajo nisi të mendonte se i riu, ishte zgjidhja e problemeve të saj. Ndërsa e ftonte shpesh në shtëpi ku takonin dy fëmijët e saj, i sugjeroi të transferohej në një nga apartamentet e pallatit në pronësi të saj dhe të shoqit, kështu që të kishte afër edhe punën në furrë.

Magos, e shfrytëzoi përnjëherë rastin. Bashkë me të shoqen dhe katër fëmijët e tyre, rendën në shtëpinë që i ofroi Afrula.

Kurse nisi të qëndronte gjithnjë dhe më pranë dy fëmijëve dhe vëllait të saj, që të gjithë, të sëmurë mendorë.

Këtë situatë, Gabrieli nuk po e honepste dot. Ai i kishte bërë të qartë të shoqes para se të vritej, se ndjehej i bezdisur nga prania e Magos në katin e sipërm të pallatit ku dhe ata jetonin. Për më tepër, kishte nisur lidhje intime me një grua shumë vjet më të re.

Pak kohë më vonë, nga mesi i vitit 2007, Afrula preket nga kanceri dhe në janar të vitit 2008 ndërron jetë.

Por pak javë më parë se të vdiste Afrula, gjendet papritur i vdekur, vëllai i saj me të meta mendore, Jorgos Vuladhas. Vdekja atëherë u konsiderua si fatkeqësi natyrale, por policia tani po heton për vrasjen e tij.

Pak ditë pas vdekjes së Afrulës, Magos i paraqet Gabriel Eftimiut, një testament të firmosur nga e ndjera, ku thuhej se ajo i linte pasurinë që trashëgonin dy fëmijët dhe i vëllai, si trashëgimi për Panajotis Magos.

Duke qenë se Magos po i mbante në shtëpi dy fëmijët e padëshiruar të Gabrielit, ai nuk i la më të afroheshin tek i ati.

Shtatorin e kaluar, me vendim të Gjykatës së Mitilinit, Magos u vendos si përfaqësues ligjor duke marrë kujdestarinë e dy të sëmurëve mendorë.

Herë pas here, ai i merrte dy djemtë dhe së bashku shkonin në bankë, ku tërhiqnin shuma të mëdha parash, që më pas Magos i fuste në xhepat e tij.

Pak ditë para vrasjes, u arrit një marrëveshje mes Eftimiut dhe Magos, që secili të posedonte nga dy shtëpi në pallat dhe të gjitha pasuritë e tjera të paluajtshme t'i përkisnin 37-vjeçarit Magos.

Një ditë para krimit, ishte lënë që dy palët të paraqiteshin te noteri për të nënshkruar ndarjen e pronave.

Ndërkohë, Magos po përfitonte dhe qeratë e apartamenteve që ishin marrë prej vitesh me qera nga banorë të ndryshëm.

Lidhjet me shqiptarin

Magos, prej kohësh punonte në furrën e bukës me 23-vjeçarin shqiptar, Albin Zogu. Duke shfrytëzuar miqësinë me të, arriti ta bindë që të punonin të dy, për një qëllim, të vrisnin Gabrielin.

Magos, sipas hetimit ka arritur ta bindë djalin shqiptar se ajo vrasje duhej kryer, duke i treguar si i zemëruar, faktin se Gabrieli nuk i donte fëmijët që kishte me Afrulën e ndjerë se ishin të sëmurë mendorë. Magos po ashtu theksonte se ishte ai që kujdesej për ta, kurse 74-vjeçari mbante një dashnore disa herë më të re se vetja.

Sikundër u pranua nga rrëfimet e të dyshuarve në polici, ata kishin tentuar edhe pesë herë të tjera më parë për të vrarë 74-vjeçarin, por në fund të "aksionit" gjithnjë diçka nuk ecte: I riu shqiptar tërhiqej, duke mos dashur të marrë pjesë në një vrasje.

Por herën e fundit, natën e 22 majit, Albini u dorëzua, i shtyrë nën presion të paparë nga 37-vjeçari Magos dhe që të dy hynë në shtëpinë e Eftimiut, teksa ai gjendej i vetëm, në gjumë.

Magos rrëmben një varrè dhe ia jep shokut të tij shqiptar duke i kërkuar që të hyjë në dhomën e gjumit për të goditur plakun.

Këtë herë, 23-vjeçari shqiptar nuk ngurroi më dhe e qëlloi dy herë në kokë Eftimiun, duke e lënë të vdekur.

Pasi doli nga dhoma e gjumit, në gjendje shoku, Albini ia jep armën e krimit Panajotit, i cili e hodhi në lumë.

Që të dy, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, shkuan në furrë, ku do të merrnin turnin dhe nisën të prodhojnë bukë.

Gjykata

I dyshuari grek, pajtoi si avokatë, Aleksandros Rodhitis, jurist i njohur në Kalon i dhe Panajotis Papamalis. Kurse emigranti shqiptar nuk arriti të merrte avokat dhe deklaroi se do të mbrohej vetë në gjyq.

Gjykata vendosi dje t'i heqë kujdestarinë Magosit, duke ia dhënë atë, disa shokëve të të ndjerit Eftimiu. Kurse vendosi që dy të dyshuarit të qëndrojnë nën masën e sigurisë së arrestit me burg, deri në përfundim të hetimeve.

n.s/NOA

KOMENTE