English

Kryetari i PSV 91, Koçi: Dialog paraelektoral me Nanon, Ramën dhe Metën

Tiranë, 30 maj/ NOA - Kryetari i PSV 91 (Partia Socialiste e Vërtetë '91) Petro Koçi ka propozuar sot dialog paraelektoral mes koalicioneve të majta dhe mes drejtuesve të lartë të së majtës.

Ky dialog sipas Koçit, do të bëhet duke përfshirë PSV '91, kryetarin e nderit të PS, Fatos Nano, atë faktik, Edi Rama, si dhe kreun e LSI Ilir Meta.

"Në kushtet politike të krijuara, për të maksimalizuar pjesëmarrjen pa mungesa të socialistëve në procesin zgjedhor, PSV 91 propozon vendosjen e dialogut paraelektoral të të tre forcave politike socialiste, PSV91, LSI dhe PS, si dhe me liderin historik të socialistëve, Fatos Nano", - deklaroi sot, z.Koçi.

Ai theksoi se ky propozim, bëhet po ashtu, "për të rritur optimizmin e fushatës së koalicioneve të majta dhe për të realizuar objektivin e përbashkët të largimit të qeverisë Berisha nga pushteti".

Sipas Koçit, ky mirëkuptim paraelektoral jo vetëm do ta bënte plotësisht të mundur dërgimin e Berishës në pension, por do të hidhte edhe bazat e bashkëpunimit qeverisës për katër vitet e ardhshme".

e.l/NOA

KOMENTE