English

Basha, me ambasadorët e Konferencës Islamike për rezolutën mbi Kosovën

Tiranë, 2 qershor NOA - Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka pritur pasditen e së Hënës, në një takim të veçantë Ambasadorët e vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike, të akredituar në Tiranë.

Basha i falënderoi Ambasadorët e Arabisë Saudite, Egjiptit, Iranit, Libisë, Palestinës dhe Turqisë për mbështetjen që qeveritë e këtyre vendeve dhe të gjithë anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike i dhanë Rezolutës së paraqitur nga Shqipëria për Kosovën në Ministerialin e Damaskut, më dt. 23-25 maj.

Duke e konsideruar këtë Rezolutë si sukses për organizatën dhe shprehje të solidaritetit të saj ndaj Kosovës, ministri tha se ajo është e një rëndësie të veçantë, pasi, ndër të tjera, Organizata prej 57 shtetesh, vlerëson se zhvillimet e fundit në Kosovë, pra pavarësia e saj dhe ndërtimi i institucioneve, kanë kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Basha vlerësoi gjithashtu gatishmërinë e shprehur nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës për të mbështetur Kosovën dhe ekonominë e saj dhe thirrjen që Ministeriali i Damaskut i drejtoi nëpërmjet rezolutës gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të vazhdojë të mbështesë forcimin e Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit me Ambasadorët, Ministri i Jashtëm Basha, duke iu referuar edhe takimeve në Damask me homologët e tij, shprehu bindjen se miratimi i kësaj rezolute do t'i hapë rrugë njohjes të pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike.

e.l/NOA

KOMENTE