English

Në ditën e 1 Qershorit, një çerdhe e re te "Siri Kodra" në Tiranë

Tiranë, 1 qershor NOA - Për njëqind fëmijët e çerdhes nr. 23 në kryeqytet, 1 Qershori ishte një ditë e veçantë.

Veç dhuratave dhe surprizave të mrekullueshme që Kryetari i Bashkisë së Tiranës kishte rezervuar për ta, teksa u bëri një vizitë enkas për këtë ditë, ai përfitoi nga rasti edhe të përurojë përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e çerdhes, e cila është transformuar tërësisht, duke iu bashkuar kështu, rrjetit të madh të çerdheve evropiane në kryeqytet.

Edi Rama, ka uruar fëmijët në të gjithë Shqipërinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të tyre dhe u ka drejtuar gjithashtu prindërve, një mesazh të rëndësishëm, sa i përket të ardhmes së përbashkët.

"Unë u them të gjithë prindërve, se ne do të mund të bëjmë së bashku, shumë më tepër se ç'kemi bërë në këto tetë vjet të marra së bashku. Ne do të mund të ndërtojmë çerdhe për çdo lagje, shkollë, për çdo fëmijë të kryeqytetit që meriton të shkollohet si fëmijët e Europës së bashkuar ku duam dhe do të integrohemi së bashku", - ka thënë ndër të tjera Edi Rama.

Çerdhja nr. 23 në rrugën "Siri Kodra" do të mirëpresë 100 fëmijë dhe është rehabilituar tërësisht, me një fond prej afro 19 milionë lekësh, nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës.

Ndërhyrja ka bërë të mundur jo vetëm përtëritjen e mjediseve ekzistuese, por edhe riorganizimin e tyre, në dobi të vogëlushëve.

Në godinë është instaluar sistemi qendror i ngrohjes, rrjeti i ri elektrik si dhe rrjeti i furnizimit me ujë. Çerdhja është pajisur gjithashtu me kuzhinë profesionale, sipas standardeve bashkëkohore.

Në këtë çerdhe janë krijuar dhoma të veçanta për mjekun, punonjësin social, salla për trajnimin e prindërve dhe lojërave për vogëlushët. Në ndihmë të procesit edukativ dhe zhvillimor të fëmijës, çerdhja është pajisur edhe me mjete të ndryshme didaktike.

Vitet e fundit, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë hapa të rëndësishme përpara, në përmirësimin e shërbimit në çerdhet dhe kopshtet e kryeqytetit, jo vetëm në rikonstruksionin e objekteve, por edhe në procesin edukativ, përmes kontrollit të psikologëve, trajnimit të prindërve dhe programeve të ndryshme që aplikohen në to.

Një instrument për të kuptuar ndryshimet dhe mënyrën e qasjeve ndaj çerdheve kanë qenë edhe sondazhet e here-pas-hershme, të organizuara nga Bashkia, me prindërit e fëmijëve që frekuentojnë këto institucione.

a.k/NOA

KOMENTE