English

PS: Kallëzim penal MB-së, për shpërdorim detyre dhe falsifikim të informacioneve zyrtare

Tiranë, 1 qershor NOA - Partia Socialiste deklaroi sot se ka vendosur të kryejë kallëzim penal për shpërdorim detyre dhe falsifikim të informacioneve zyrtare ndaj Ministrisë së Brendshme.

Pohimin e bëri sot, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami. Ai tha se vendimi erdhi "pasi nuk morëm përgjigje për kërkesat tona legjitime për transparencë dhe informim lidhur me të gjitha paqartësitë e procesit të pasjes me letërnjoftim zgjedhor, si dhe bazuar në analizën paraprake të të dhënave zyrtare të ofruara nga Ministria e Brendshme".

Islami vlerësoi se "mjaftojnë kundërshtitë dhe faktet e nxjerra nga analiza e vetë informacionit që kemi marrë nga Ministria e Brendshme për të ngritur hipotezën e akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të të dhënave zyrtare përmes dhënies së informacionit të rremë për qëllime që bien ndesh me ligjin".

Islami shtoi se shifra zyrtare prej 730 mijë votuesish pa pasaporte mbi të cilën Ministria e Brendshme ka këmbëngulur, rezulton e pavërtete dhe e zvogëluar ndjeshëm.

Kurse pretendoi se numri i personave që kanë aplikuar rezulton kontradiktor dhe ndryshon nga njeri disk ne tjetrin duke nxjerre për votuesit pa pasaporte një shifër të zmadhuar në kundërshti me të dhënat e përgjithshme dhe shifrat e dhëna në dinamikë.

Ne këto kushte, - vijoi Islami, - PS po përpilon kallëzimin penal për drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme që merren direkt me këtë proces.

Islami theksoi se të gjitha këto konkluzione paraprake janë rezultat i një ekspertize të nivelit më të lartë teknik dhe do të thellohen në orët në vazhdim nga grupi ynë i ekspertëve.

e.l/NOA

KOMENTE