English

Na duhet dhe pak ndihmë e ndërkombëtarëve

Nga Berat Buzhala

Nuk ka shumë fakte që mund t'i prekësh më dorë, por thuhet se në zgjedhjet e fundit që janë zhvilluar, edhe pse nën protektoratin e OSBE-së, janë vjedhur vota anekënd Kosovës. Për shembull flitet se si në Kodër të Trimave, por edhe në disa lagje të tjera, në mënyrë brutale militantët e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kanë dhunuar të drejtën e qytetarëve për të votuar për kandidatët e tyre të dashur.

Kam dëgjuar se po të mos kishte ndodhur një kërdi e tillë sot në Kuvendin e Kosovës do ta kishim të ulur Veton Surroin dhe disa deputetë të ORA-s. Tregojnë se në rajonin e Drenicës situata ka qenë më e qetë. Jo për nga rregulli, sa për nga konsensusi i gjerë që PDK t'i fitojë mundësisht 100 për qind të votave, pa marrë parasysh nëse kështu kanë menduar 100 për qind e banorëve të këtij rajoni. Mos ma merrni tash se edhe unë kam diçka kundër Drenicës, sepse për të vjedhur vota nuk kërkohet mendimi i votuesve. Tjetër kush vendos për t'i vjedhur votat. Në rajonin e Dukagjinit ka dominuar pothuajse e njëjta klimë. Disa herë Astrit Haraqija, kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj komune, ka treguar se si është shtangur kur ka kuptuar se në zona të caktuara nuk i ka fituar as votat e anëtarëve të kryesisë së kësaj partie. Në fakt ai i ka fituar, por AAK ka vendosur që arbitrarisht t'ia marrë ato. Në mënyrë shumë paqësore për vjedhjet në Gjakovë ka reaguar edhe kryetari i AKR-së Bexhet Pacolli. Ai është i bindur se në këtë komunë është dëmtuar për disa mijëra vota. Pra, këto janë disa rajone ku ka ekzistuar një vjedhje sistematike dhe e paramenduar e votave. Çka është edhe më keq, në mes të partive gati se ekziston një pajtueshmëri se nëse LDK e merr dhunshëm Prishtinën nuk prish punë, siç nuk prish punë as nëse PDK e eklipson krejtësisht Drenicën, apo AAK Dukagjinin. Çfarë ndjenjë e keqe është që të jesh prej këtyre komunave dhe kërkon ndryshim. Fati yt është i paracaktuar dhe ti je shumë i vogël për të bërë ndryshim. Disa parti kanë pësuar shumë. Sidomos AKR e Pacollit dhe ORA e Surroit, e ndonjë tjetër që ka provuar të nxjerrë kokën në skenën politike. Dorën në zjarr nuk e qes as për komunat tjera. Nëse dikush e ka ndarë mendjen të vjedhë vota në një komunë a në një rajon, ai nuk do të mund të frenohet prej kësaj sëmundjeje, nëse i jepet mundësia që ngjashëm të bëjë edhe në komunat tjera. Mirëpo, deri më tash mbi kokë e kemi pasur një institucion si OSBE-ja që ka organizuar zgjedhjet, e që për të mos e tensionuar situatën paszgjedhore, mbi fëlliqësirat eventuale e ka vënë një kapak të madh, duke i sugjeruar kryeadministratorit të UNMIK-ut ta certifikojë rezultatin. Cilido të ketë qenë ai, apo çfarëdo të kenë qenë manipulimet. Ka mjaftuar që shefi i UNMIK-ut të zotohet se zgjedhjet kanë qenë ferr dhe edhe ne jemi bindur. Por, kush na garanton se edhe tash e tutje do të ecim kësaj rruge, sado e pamoralshme që është? Kush garanton që nuk zgjerohen dëshirat e bosëve të partive të caktuara që ta zgjerojnë apetitetin e tyre për më shumë komuna të pamerituara? Dhe, krejt në fund, kush do t'i certifikojë ato zgjedhje?

Sipas Pakos së Ahtisaarit, që është pothuajse Kushtetuta e Kushtetutës së Kosovës, një autoritet kompetent ndërkombëtar duhet ta bëjë certifikimin e zgjedhjeve. Atëherë organet vendore, e sidomos presidenti, duhet ta shqyrtojnë seriozisht mundësinë e involvimit direkt të shefit të ICO-së në certifikim dhe misionit të OSBE-së në mbikëqyrje dhe organizim të zgjedhjeve. Nëse ndihemi pak të nënçmuar si shtet që certifikimin e zgjedhjeve t'ia besojmë plotësisht një trupe të huaj, nuk do të ishte e joshtetërore që këtë ceremoni ta bëjmë bashkërisht. Pra pjesë të Komisionit Qendror Zgjedhor me të drejta të plota të jenë edhe përfaqësuesit e OSBE-së, që kanë një eksperiencë të gjatë me zgjedhjet ballkanike. Përveç se i japim kredibilitet krejt procesit, asgjë tjetër nuk humbim nëse tregohemi bashkëpunues. Kalimi i mirë i këtyre zgjedhjeve do të ishte ogur i mirë për të gjithë ne. Harrojini rastet e vjedhjeve që i përmenda në fillim të këtij teksti, sepse përndryshe Kosova ka rekord të mirë të mbajtjes së zgjedhjeve demokratike. Të gjithë na kanë lavdëruar për klimën paqësore joballkanike të shprehjes së vullnetit të qytetarëve. Mirëpo, po të gjithë kanë dyshuar se çfarë do të bënim ne po të mos i kishim OSBE-në mbi kokë. Mos të tregohemi inatçorë që t'i sfidojmë këto dyshime, sepse kam frikë se më shumë do t'i sfidojmë kapacitetet tona organizative. Asnjë nevojë nuk e kemi që të futemi në ciklin e pafundmë të kontestimit të rezultateve zgjedhore. Shqipëria ende po përpëlitet nëpër këtë proces. E dihet se kushti kryesor i integrimit të një vendi nëpër asociacione të ndryshme, NATO dhe BE, është se si organizohen zgjedhjet në një vend. Nëse ka zgjedhje të lira dhe të ndershme pa dyshim se një vend mos sot nesër do të ecën drejt familjes evropiane. Popullit nëse nuk i plaçkitet vota, do të dijë të bëjë kthesa të duhura në momente të duhura. Prandaj qeveria dhe presidenca, në bashkëpunim me partitë opozitare, duhet të tregohen bashkëpunuese së paku në këtë pikë. Duhet të hapen për bashkëpunim edhe me mekanizmat ndërkombëtarë, në mënyrë që ta kalojmë testin e zgjedhjeve të kësaj vjeshte. Përndryshe kacafytjet se a do të mbahen zgjedhjet në fund të tetorit apo në fillim të nëntorit janë krejtësisht periferike. Kjo lojë ka kuptim vetëm nëse dikush po provon që bash këtu ta nisë luftën e egër zgjedhore.

Kryeredaktor, "Express", Prishtinë

KOMENTE