English

Divorci i kërkuar nga Inva Mula, "loja" e re që përdori Pirro Çako në gjyq

Tiranë, 5 qershor NOA - Këngëtari Pirro Çako nuk është paraqitur sot në seancën gjyqësore për divorcin me bashkëshorten e tij, Sopranon Inva Mula.

Kjo ishte skema e radhës, e "lojës" që po përdor këngëtari dhe kompozitori i njohur, i cili në përpjekje për të shmangur një divorc të kërkuar nga e shoqja me të cilën ka vite që nuk e ndan më shtratin martesor, sërish ka provokuar shtyrje të procesit gjyqësor që po shndërrohet në një maratonë.

Po ashtu as avokatia e tij Olta Kotherja nuk është paraqitur në proces. Ajo ka dorëzuar në gjykatë një raport mjekësor në të cilën thuhej se ishte sëmurë.

Kurse këngëtari i kishte paraqitur një deklaratë gjykatës në të cilën i bënte me dije se deri në datën 28 qershor të këtij viti nuk do të ishe në vendin tonë.

Prandaj kompozitori i kërkonte gjykatës që të shtynte seancën për një datë tjetër, pas kthimit të tij.

Në seancën e sotme, pala e paditur, Pirro Çako dhe avokatia e tij duhet të pyesnin palën paditëse, Inva Mulën dhe avokatin e saj, Sokol Çomo, në lidhje me pretendimet e divorcit.

Një seancë më parë, avokatia e Pirros, kishte shpjeguar gjykatën se të dy bashkëshortët kishin rënë vetë dakord për të jetuar më vete, ndërkohë që ishin frekuentuar edhe më pas. Por për palën tjetër takimet janë pretenduar të kenë qene vetëm formale.

e.l/NOA

KOMENTE