Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mbi telin e ekuilibrit
English

Mbi telin e ekuilibrit

Nga Armand Shkullaku

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po tregon se deri tani është një ekuilibrist i aftë për të ecur mbi fijen e hollë që ndan ndjenjat e elektoratit të tij nga kalkulimet e ftohta të faktorit ndërkombëtar.

Me dy lopata beton në themelet e shtëpisë së fshatarit serb Darko, ai lëvizi të martën në drejtim të baraspeshës me gurët e shembur të dielën në tunelin e Kalimashit. Gjithçka brenda dy ditësh. Ende pa u ftohur emocioni i "Rrugës së Bashkimit", Thaçi ndau kulaçin e mikpritjes serbe.Â

I ndodhur mes dëshirës për të qenë një lider i vërtetë dhe nevojës për të pasur edhe mbështetjen ndërkombëtare, Hashim Thaçit i duhet shpesh të ecë me shumë kujdes që të dyja këto asete, që e mbajnë aty ku është, të mos e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Ai i njeh ndjeshmëritë e atyre që e votojnë, e di se ndjenja kombëtare, krenaria, dëshira për të qenë plotësisht zot të vetvetes, pse jo dhe ideali i bashkimit kombëtar, janë mbizotëruese në shumicën e elektoratit në Kosovë. Për rrjedhojë, ai nuk mund të mos u përgjigjet të tilla ndjeshmërive, të mos jetë, sado me kujdes, në sinkron me to.Â

Por, nga ana tjetër, Hashim Thaçi, është i qartë më shumë se kushdo tjetër për katrorin e limituar brenda të cilit duhet t'i hedhë hapat.

E ka mësuar këtë kur nga një luftëtar i është dashur të shndërrohet në nënshkrues marrëveshjesh, nga rebel në negociator, nga komandant i Drenicës në udhëheqës që i duhet "të flasë" edhe serbisht.Â

Për më tepër, sot, "gjarpri" i dikurshëm është Kryeministër i Kosovës dhe ka të tjera detyrime.Â

Buxheti i vendit që ai drejton varet prej donacioneve, politikat e jashtme janë të përcaktuara, pozicioni dhe njohja e Kosovës janë në duart e aleatëve, me pak fjalë, çdo lëvizje e pakontrolluar mund të sjellë implikime serioze.Â

I gjendur në këtë pozitë, jo të zakonshme për Kryeministrin e një vendi normal, Thaçit i duhet të shtrëngojë fort shkopin mbi telin e ekuilibrit. Dhe nuk është e lehtë, ndonjëherë edhe gabon, siç qe rasti me vizitën e Presidentit serb Tadiç në manastirin e Deçanit.

Fusha magnetike që ai përfaqëson e tërhiqte drejt JO-së, ndërsa ata që i duhet t'i dëgjojë i thanë PO. I ndodhur në mes, ai nuk arriti të veprojë siç duhet. Por, në një trysni të tillë janë normale hezitimet dhe kapërcimet e qëndrimeve.

Në të njëjtin sfond, por nën një presion më të madh do të jetë gjendur Thaçi kur i është dashur të vendosë për pjesëmarrjen në hapjen e tunelit të Kalimashit. Një akt simbolik, që sado kujdes të tregosh, nuk e shmang dot simbolikën e bashkimit, idenë e të qenit një komb.

Emocionet e forta që përcollën imazhet historike të përqafimit të dy kryeministrave, janë më goditëse se çfarëdo lloj retorike tjetër, politikisht korrekte. Thirrjet e mijëra njerëzve kur Sali Berisha deklaronte, duke pasur në krah Hashim Thaçin, se nuk ka asgjë që mund ta ndajë këtë komb, jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht, ishin treguesi më i mirë i ndjeshmërive të qytetarëve të Kosovës.Â

Kryeministri Thaçi, nuk mund të mos i përfillte ato dhe t'i shndërronte në kapital politik për vete. Një rast i jashtëzakonshëm, që e lidhte figurën e tij, qoftë edhe simbolikisht me atë të komunikimit të madh me Shqipërinë, me bashkimin, me aspiratën e atyre që votojnë në Kosovë.Â

Dhe, Hashim Thaçi vendosi të shkojë, vendosi ta kapitalizonte këtë aset që iu dha nga Sali Berisha, paçka se në ceremoni, më shumë se flamurët e Kosovës, mbizotëronin ato të Partisë Demokratike.

Këtu nuk ishte në lojë përdorimi i Thaçit për motive elektorale nga Berisha, por përdorimi që Thaçi duhej t'i bënte një ngjarje të tillë historike pa provokuar acarim tek partnerët ndërkombëtarë. Një mision shumë i vështirë, kur dihet që vetë ideja e rrugës kishte ngjallur më parë lloj- lloj paragjykimesh.

Thaçi ndoshta e gjeti mënyrën për ta bërë këtë.Â

Ende pa u analizuar mirë ajo çka ndodhi në Kalimash, Kryeministri i Kosovës u shfaq në ekranet e mediave dhe në agjencitë e lajmeve, duke hedhur themelet e një shtëpie - simbol i rikthimit të serbëve në Kosovën shumetnike. Shembja e një muri dhe ngritja e një shtëpie, dy metafora brenda të cilave i duhet të veprojë.

Me Milanin e vogël në prehër, me një gotë shllivo përpara, Thaçi ishte politikani tjetër, që i duhet jo vetëm të emocionojë, por edhe të menaxhojë. Një udhëheqës i hapur, që nuk mendon për bashkimin, por për forcimin e shtetit të tij.

Kombinimi i një lideri që duhet ta zgjedhin shqiptarët, por duhet ta mbajnë dhe ta mbështesin ndërkombëtarët.Â

Akti simbolik i Obiliqit duket se e riktheu balancën e anuar fort të dielën në Kukës.Â

Hashim Thaçi mund të thuhet se ia doli këtë herë të kalojë pa rrezikuar mbi telin e ekuilibrit, madje duke fituar shumë pikë. Por, loja mbi tel, gjithnjë është e rrezikshme. Suksesi i Thaçit do të varet, edhe për shumë kohë, nga eleganca me të cilën ai do të dijë të eci.

Marrë nga "Express", Prishtinë

KOMENTE