English

Instituti i Studimeve Ndërkombëtare inicion aktivitetet e Akademisë Evropiane

Tiranë, 8 qershor, NOA - Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, i mbështetur nga delegacioni i Komisionit Evropian, organizoi sot në mjediset e "Tirana Internacional" ceremoninë e hapjes së "Akademisë Evropiane".

"Akademia Evropiane", i pari aktivitet i këtij lloji që organizohet në Shqipëri, ka për qëllim krijimin e një platforme informimi, studimi, debatesh e trajnimi mbi Bashkimin Evropian në tërësi dhe procesin e integrimit të vendit tonë në këtë strukturë në veçanti. Sesioni i parë intensiv njëjavor i Akademisë Evropiane, që do të zhvillohet nga datat 8-12 qershor 2009, synon që përmes leksioneve dhe seminareve praktike të ofrojë njohuri mbi Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë për individë nga administrata publike, media, organizatat e shoqërisë civile dhe akademia.

Faza e tanishme e procesit të integrimit evropian, me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit, i bën këto lloj iniciativash shumë të nevojshme e të rëndësishme për të ardhmen.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes janë përfaqësues të trupit diplomatik, të qeverisë të botës akademike, të shoqërisë civile etj.

n.e/NOA

KOMENTE