English

Çështja e emrit, ndërmjetësi i OKB Nimitz, takim me negociatorët

Gjenevë, 10 qershor, NOA - Ndërmjetësi i OKB-së, Matthew Nimitz më 20 qershor të këtij muaji, në Vjenë ose Gjenevë pritet të realizoj takim me negociatorët Zoran Jolevski dhe Vasilakisin.

Sipas burimeve diplomatike, në këtë takim mediatori i OKB dëshiron personalisht të dëgjoj nga palët nëse janë të gatshme për rifilluar negociatat të cilat për një kohë u ndërprenë, shkaku i zgjedhjeve në Maqedoni dhe Greqi.

Akoma nuk dihet nëse ndërmjetësi i OKB-së do të dal më një paket të re të ideve ose me një propozim konkret. Pas këtij takim pritet që diplomatik Nimitz ta vizitoj Shkupin dhe Athinën.

Ndërkohë, kreu shtetëror në Maqedoni është duke përgatitur terrenin për referendumin, për çështjen e emrit kushtetues të vendit.

Presidenti dhe kryeministri i Maqedonisë kanë theksuar se për kontestin e emrit, fjalën e fundit do ta japin qytetarët. Propozimi i cili më shumë deri më tani është përmendur në media është Maqedonia Veriore.

Lidhur me referendumin ka reaguar PDSH-ja e Menduh Thaçit, ndërsa nga BDI kanë theksuar se ende nuk kanë një qëndrim për këtë çështje.

Lideri i PDSH-së është shprehur kundër referendumit, me arsyetimin se shqiptarët nuk do të votojnë për identitetin maqedonas që do të identifikohet me identitetin shtetëror të këtij shteti. Thaçi deklaroi se shqiptarët nuk do të votojnë për robërinë e re të tyre.

"Referendumin që e thotë Gruevski duhet të ketë parasysh edhe ai, por edhe Akademia e shkencave maqedonase se përveç që ka këtu shqiptarë dinjitozë ka edhe shqiptarë të mençur që i kuptojnë qëllimet e tyre. As në ëndërr nuk do ta shohin që shqiptarët në mënyrë vullnetare të votojnë për robërinë e re të tyre", ka nënvizuar kryetari i PDSH-së.

Shqiptarët nuk do të votojnë për identitetin Maqedonas që do të identifikohet me identitetin shtetëror të këtij shteti.

"Mund të bisedojmë për këtë çështje nëse ata do të pajtohen që të sjellin një ligj kushtetues lex specialis ku do të garantohet identiteti i shqiptarëve dhe gjuha e shqiptarëve me të gjitha të drejtat tjera", theksoi kryetar i PDSH-së, Menduh Thaçi.

NOA-INA

KOMENTE