English

Berisha shkon në Greqi, ftohet në përurimin e muzeut të ri të Akropolit

Nga bashkëpunëtori i agjencisë NOA

Tiranë, 15 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha, në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare në vend, gjatë fundjavës do të jetë në Athinë për një vizitë zyrtare, bëjnë të ditur për korrespondentin e agjencisë NOA, burime zyrtare në kryeqytetin grek.

Berisha, do të marrë pjesë në ceremoninë për prerjen e shiritit të përurimit të muzeut i cili për publikun, në mënyrë të kufizuar do të hapet pas datës 21 qershor dhe disa ditë më pas, për të gjithë publikun.

Më 20 qershor, gjatë ceremonisë përuruese, përveç kryeministrit shqiptar do të jenë të pranishëm edhe presidenti i Qipros D. Kristofias, ai Egjiptit Hosni Mubarak, kryeministri i Francës François Figion, ai i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, i Bullgarisë, Sergei Stanisef, Ministri i Jashtëm i Italisë Franko Fratini etj.

Ndërkohë, jehona e çeljes së muzeut të famshëm, pritet të marrë përmasa të gjera globale në mbulimin nga media që e ka marrë përsipër ta menaxhojë dhe spërndajë ERT, rrjeti shtetëror radioteleviziv grek.

Ndërkohë, mediat greke raportuan sot se përgatitje të shumta po bëhen për hapjen e muzeut të ri të Akropolit dhe dy muzeve të tjerë surprizë.

Në të gjithë Athinën, dekor festiv i shoqëruar me shumë autobusë, trolej, trenat e metrove dhe pika të ndryshme të kryeqytetit, të veshura me pamje nga Partenoni.

Hapja e Muzeut të ri të Akropolit do të bëhet për herë të parë pasnesër më 17 qershor, kur do të priten vetëm persona të akredituar me leje të veçantë të Ministrisë së Kulturës greke.

Në të njëjtën ditë do të vizitojnë muzeun, drejtorët e mediave greke, politikanë, autorë dhe botuesve të shtypit rajonal dhe televizioneve.

Në të njëjtën ditë pasdite do të vizitojnë Muzeun, akademikë dhe personalitete në fushën e letërsisë dhe arteve, shkollat e huaja arkeologjike në Greqi, Shoqata Amerikane e miqve të Muzeut të Akropolit, por dhe personalitete të tjera në fushën e artit grek, si dhe nga arena ndërkombëtare. Më 19 qershor muzeu do të vizitohet nga gazetarë të huaj nga mediat kryesore ndërkombëtare. Edhe një ekip i përbërë nga një gazetar dhe një fotoreporter i agjencisë NOA, gjithashtu do të marrë pjesë në aktivitet.

Kurse ceremonia zyrtare përfundon më 20 qershor, ditën e hapjes zyrtare të muzeut, ku do të jenë të ftuar krerët e shumë shteteve, kryeministra, ministra, krerë të partive politike, nga Komisioni Evropian, Sekretari i Përgjithshëm i UNESKO-s Matsoura.

Gjithashtu do të asistojnë ish-kryeministrat dhe ish-presidentët e Republikës së Greqisë, ish-Ministri i Kulturës, duke përfaqësuar Fondacionin "Melina Mercouri", sponsorët kombëtarë, botuesit, pronarët e stacionet televizive.

Nga 21 deri më 23 qershor, në ditën e përurimit të veçantë, muzeu do të hapet dhe për vizitorët, vetëm për ata që do të blejnë bileta elektronike përmes sistemit e-ticketing, i cili aplikohet për herë të parë në një muze grek.

Autoritetet sqaruan se rezervimet do të bëhet vetëm përmes e-ticketing. Në websitin e muzeut, publiku do të jetë në gjendje nëpërmjet rezervimit elektronik të vizitojë muzeun në tre zona, ku secila do të ketë kapacitet pritjeje për 250 njerëz.

Nga data 24 qershor dhe deri më 31 dhjetor, do të lejohet vizita e muzeut me bileta jo vetëm elektronike por edhe të blera pranë objektit, me çmimin e përkohshëm prej një euro dhe duke nisur nga viti 2010, do të kushtojë pesë euro.

Për Greqinë, kjo është një ditë e shënuar që po pritet duke u ëndërruar prej disa dhjetëra vjetësh. Muzeu i ri i Akropolit konsiderohet si muzeu i të gjithë helenëve.

Manuel Pavlidis, sekretari i përgjithshëm i Fondacionit "Melina Merkuri", e konsideron muzeun si një pionier dhe shton se është më i madhi në botë.

Ministri i Kulturës, Antonis Samaras, ish kryetar i partisë "Pranvera Politike - Politiki Aniksi", vlerëosn se "Muzeu i ri i Akropolit përfaqëson më së shumti esencën e kulturës tradicionale greke".

Muzeu i ri i Akropolit, do të lejojë prezantimin e parë publik të të gjithë skulpturave të gjetura në Athinë dhe gjetkë.

Samaras refuzoi të japë detaje për ceremoninë e përurimit dhe çeljes zyrtare duke pohuar se kjo përbën një sekret që do të zbulohet vetëm këtë fundjavë, për pjesëmarrësit drejtpërdrejt dhe për të tjerët, direkt nga televizioni në mbarë botën.

Rreth Muzeut

Ndërtimi i muzeut u projektua dhe nisi në vitin 1989 me nismën e Melina Merkurit, kur morën pjesë 500 firma arkitektonike nga e gjithë bota. Pas shumë peripecish punimet u arrit të përfundojnë javët e fundit.

Muzeu mund të përballojë goditje sizmike deri në 10 ballë të shkallës Rihter. Ai mund të vizitohet nga 2.5 milionë njerëz çdo vit.

Një euro do të kushtojë bileta deri në fund të vitit 2009 dhe 5 euro në vitin 2010, në ditë vizitash nga 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës, përjashtuar të hënat. Rreth 100 roje sigurie dhe rojtarë nate do të punësohen për të ruajtur muzeun kurse 80 njerëz do të punësohen për nevojat e restoranteve dhe bareve përreth tij.

n.s/NOA

Shënim: Lajmi dhe fotot që e shoqërojnë janë prodhime të agjencisë së lajmeve NOA. Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i tyre pa u cituar burimi NOA

KOMENTE