English

PD, Paloka: Rama paraqet si figura të reja, djemtë e sekretarëve të parë të partisë

Lezhë, 16 qershor NOA - Kandidati për deputet i PD-së për qarkun e Lezhës, Edi Paloka ka zhvilluar një takim me banorë të këtij qyteti, të cilëve u ka bërë thirrje të votojnë Partinë Demokratike, në mënyrë që Lezha të vazhdojë të jetë prioritet i qeverisë përsa i përket investimeve.

Rrugë të asfaltuara në zonat rurale, subvencionim për fermerët, furnizim 24 orë me ujë në çdo shtëpi, ishin disa nga premtimet e bëra nga Paloka për këtë qark.

"Ne ju kemi treguar shqiptarëve se dimë të mbajmë premtimet me investime dhe me punë, jo me fjalë në erë siç bën Edvin Rama që nxjerr fëmijët dhe nipërit e byrosë politike, djemtë e sekretarëve të parë të partisë dhe i paraqet si figura të reja që të ndryshojnë Shqipërinë", tha Paloka para banorëve të cilët i siguroi se Partia Demokratike në pushtet do të thotë siguri për një Shqipëri evropiane dhe me nivel të lartë zhvillimi.

k.k/NOA

KOMENTE