English

PLL, Spahiu: Kemi në plan çarmatosjen e popullsisë dhe ngritjen e xhandarmërisë

Lezhë, 16 qershor NOA - Kryetari i partisë "Lëvizja e Legalitetit", Ekrem Spahiu ka qenë sot në qytetin e Laçit ku prezantoi kandidatët e listës shumë-emërore të PLL-së që do konkurrojnë në zgjedhjet e 28 Qershorit për qarkun Lezhë.

"Gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar Legaliteti do të luftojë për ndarjen faktike të tre pushteteve, (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) dhe do të sigurojë kushtet që ato të punojnë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Po ashtu, Legaliteti do të iniciojë një ligj për papajtueshmërinë e funksionit të deputetit me atë të ministrit që ka si qëllim rritjen e rolit të Parlamentit si bartës i sovranitetit të popullit" tha Spahiu.

"Në planet e PLL është edhe rritja e autoritetit të shtetit dhe çdo përfaqësuesi të tij, kufizimi i gjakmarrjes, ç'armatosja e popullsisë dhe ngritja e xhandarmërisë" shtoi më tej kreu i partisë "Lëvizja e Legalitetit".

k.k/NOA

KOMENTE