English

Raporti, DASH: Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikimit

Tiranë, 16 qershor NOA - Është bërë publik sot Raporti Vjetor i Departamentit të Shtetit të SHBA për trafikimin e personave, 2009 në Shqipëri.

Sipas raportit Shqipëria është një vend burim për burra, gra, dhe fëmijë, të trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, përfshi lypjen e detyruar.

Viktimat shqiptare trafikohen kryesisht në Greqi, si dhe në Itali, Maqedoni, Kosovë, Spanjë, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Europës Perëndimore, si dhe brenda në Shqipëri. Të dhënat në dispozicion tregojnë se më shumë se gjysma e viktimave të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç.

Shumica e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza të moshës 15 deri 25 vjeç dhe 90 për qind janë shqiptare etnike.

Fëmijë etnikë romë janë në rrezik më të madh për lypje të detyruar.

Ekzistojnë të dhëna që burra shqiptarë janë trafikuar për punë të detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe vende të tjera fqinje.

"Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë.

Qeveria demonstroi vullnet politik në rritje për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit të kaluar, sidomos nëpërmjet përparimit të bërë në përpjekjet e saj për të identifikuar viktima të trafikimit. Mbetën shqetësime lidhur me nëse qeveria ndoqi penalisht energjikisht kundravajtës të trafikimit të punës dhe zyrtarë publikë që morën pjesë apo lehtësuan trafikimin njerëzor" thuhej në raport.

Më tej në raporton rekomandohej Shqipëria të hetojë dhe ndjekë penalisht zyrtarë ligjzbatues, të cilët marrin pjesë në trafikim, të ndjekë penalisht energjikisht kundravajtës të trafikimit të punës, të vazhdojë të punojë me OJQ dhe shoqërinë civile për të siguruar zbatimin e plotë të mekanizmit kombëtar për referimin e viktimave tek ofruesit e shërbimeve; të vazhdojë të financojë shërbime për ndihmën dhe mbrojtjen e viktimave, përfshi strehët, si dhe të përmirësojë programet ekzistuese parandaluese në bashkëpunim me OJQ, përfshi veprimtari të përbashkëta që synojnë uljen e kërkesës për trafikim njerëzor.

k.k/NOA

KOMENTE