English

Atentati ndaj Kekës, Policia e Shtetit: Keka, person me precedent të theksuar kriminal

Tiranë, 18 qershor NOA - Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë për shtyp sot në mesditë për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Koplik- Shkodër ku mbeti i vdekur Aleksandër Keka kreu i PDK-së për Malësinë e Madhe pasi automjeti me të cilin ai po udhëtonte shpërtheu.

"Sot më datë 18.06.2009, rreth orës 09.45 në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik- Shkodër, mjeti Mitsubishi Pajero me targë SH 2125 E është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë strukturat e policisë lokale që kanë konstatuar të vdekur drejtuesin e mjetit, Aleksandër Keka, 34-vjeç, lindur e banues në fshatin Pjetroshan, komuna Kastrat, Malësi e Madhe' deklaroi zëdhënësi i Policisë së Shtetit Klodian Branko. Sipas tij, mjeti më të cilin po udhëtonte Keka, është në pronësi të Arben Bitanit, i vrarë në vitin 2008, i njohur si ortak në biznes i 34-vjeçarit Aleksandër Keka. "Për hetimin e kësaj ngjarje janë angazhuar ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Laboratorit Qëndror Kriminalistikë, të Njësisë Antieksploziv etj. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Po vazhdojnë hetimet intensive për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Duhet theksuar se Aleksandër Keka prej vitesh është evidencuar nga strukturat e policisë lokale e qendrore si person me precedent të theksuar kriminal me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë" deklaroi më tej Branko.

Në deklaratën e tij zëdhënësi i Policisë së Shtetit nuk bëri të ditur pistat e policisë, duke deklaruar vetëm të shkuarën e Kekës.

k.k/NOA

KOMENTE