English

Lëvizja "Vetëvendosje" zhvillon takime e tubime publike në Danimarkë e Suedi

Kopenhagen, 23 qershor, NOA - Gjatë qëndrimit në Danimarkë dhe Suedi, krerët e lëvizjes "Vetëvendosja" kanë zhvilluar dy tubime publike me bashkatdhetarë shqiptarë.

Bëhet e ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga përfaqësues të kësaj lëvizje, se në këto takime, kreu Albin Kurti prezantoi konceptin e saj dhe foli për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

Kurti theksoi se para Kosovës janë dy sfida kryesore: decentralizimi i bazuar etnikisht që e copëton Kosovën përbrenda dhe privatizimi neoliberal që e lë Kosovën pa pasuritë e saj, gjë që sjell vetëm pasurimin e krerëve politikë.

Ai sqaroi para të pranishmëve se "Vetëvendosje" nuk është kundër prezencës së bashkësisë ndërkombëtare por kundër sundimit të saj në Kosovë.

"Përderisa kemi zyrtarë ndërkombëtarë që nuk janë të votuar nga ne por të cilët kanë fuqi ekzekutive mbi politikanët vendas, këta të fundit do të jenë të dëgjueshëm e servilë ndaj të parëve", tha ai.

Porosia e Albinit për bashkëatdhetarët ishte që përveç ndihmave të tyre financiare që i dërgojnë në atdhe, të organizohen politikisht në mënyrë që të ndryshojnë qasjen e insitucioneve në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni ndaj diasporës shqiptare, por edhe të organizohen në vendet ku janë për të influencuar politikat ndaj tyre.

"Duke e forcuar pozitën e saj në Danimarkë e Suedi, diaspora e forcon edhe veten edhe Kosovën", theksoi Kurti.

Ndërkaq, kreu i "Vetëvendosjes", Albin Kurti, po qëndron në Danimarkë e Suedi me ftesën e STS International Solidarity, në kuadër të së cilës pati takime me kreun e kësaj organizate Vagn Rasmusen, me deputetin e parlamentit danez, Holger K. Nielsen, me deputeten e Parlamentit Evropian, Britta Thomsen, me drejtorin e institutit "Shoqëria Daneze për Politikë të Jashtme", Klaus Carsten Pedersen, si dhe me gazetarë e analistë të ndryshëm.

Mesazhi kryesor i Kurtit ndaj tyre ishte ai që Serbia nuk duhet të përkëdhelet në llogari të Kosovës dhe se ajo nuk duhet lejuar të futet në BE para Kosovës e pa e pranuar Kosovën shtet.

n.e/NOA

KOMENTE