English

Berisha inauguron fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Qukës- Qafë Plloç

Librazhd, 25 qershor NOA - Kryeministri, Sali Berisha inauguroi, sot pasdite, fillimin e punimeve për ndërtimin e Lotit të parë të rrugës Qukës- Qafë Plloç.

E gjithë rruga ka një gjatësi 37 kilometra dhe është 12.5 metra e gjerë, financimi i të cilës kap në total shifrën 7 miliardë lekë.

Ndërsa investimi për Lotin e parë të rrugës arrin vlerën 500 milionë lekë.

"Ne rikthejmë sot rrugën e lashtë Egnatia, rrugë në të cilën, në shekuj e shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti e qëllime të tjera. Por, kam kënaqësi të jashtëzakonshme sepse kjo rrugë shkurton në mënyrë shumë të ndjeshme distancën e Korçës, Bilishtit e Kolonjës me Tiranën, çka është një qëllim madhor i imi. Për mua, gjëja më e çmuar që kemi ne është koha, prandaj, sa më shumë kohë të kursejmë, aq më shpejt do të zhvillohemi" tha Berisha.

"Për këto zgjedhje ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t'i bërë ato më të bukurat, më të mirat në historinë e këtij vendi.

Ndaj edhe ne, le të trokasim në dyert e Evropës me votën e secilit prej nesh dhe të gjithë së bashku të votojmë 10-ën, 1- jeni ju, 10 janë fëmijët tuaj, 10 është Mokra, Librazhdi, është Shqipëria, 10 është rruga që inauguruam, 10 është e ardhmja jonë. Ndaj le të bashkojmë votat me çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet. Ftoj të gjithë socialistët, ftoj të gjithë qytetarët pa parti që të bashkohen me ne në projektin e Shqipërisë evropiane, në projektin e ëndrrës sonë evropiane, në projektin e shkëputjes me shpejtësi nga prapambetja e trashëguar dhe modernizimit të këtij vendi" përfundoi kryeministri.

k.k/NOA

KOMENTE