Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Berisha: Pse Gërdeci nuk do ketë kosto elektorale për PD
English

Berisha: Pse "Gërdeci" nuk do ketë kosto elektorale për PD

Tiranë, 27 qershor NOA - Kryeministri Sali Berisha në një intervistë dhënë dje për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin "Opinion" të Tv Klan, flet gjatë për mbylljen e fushatës elektorale dhe ndalet në opsionin e humbjes së mundshme të zgjedhjeve që e konsideron si të pamundur.

I pyetur se a ndjehet përgjegjës personalisht për Gërdecin, vlerëson se çfarëdo përgjegjësie që ka pasur e ka marrë, dhe se "i kam shprehur dhe mendoj se në rast se hierarkia ligjore e një vendi nuk i jep mundësi kryeministrit për informacionin që ka, që duhet të kishte kryeministri, nuk mund të ketë përgjegjësi".

Kurse për koston e mundshme elektorale thotë se "përgjigjen më të shkëlqyer i ka dhënë Kashari këtij problemi", duke theksuar se "vende shumë më të mëdha kanë pasur aksidente shumë herë më të mëdha, edhe s'u kanë dhënë kosto elektorale".

Më poshtë ndiqni intervistën e plotë, e fundit që Berisha dha për median para heshtjes elektorale që nisi mëngjesin e sotëm.

Blendi Fevziu: Shpresoj të mos jeni i lodhur nga kjo ditë e gjatë dhe padyshim e lodhshme...

Sali Berisha: Fizikisht fushatat edhe të lodhin, por shpirtërisht të çlodhin, të japin energji dhe entuziazëm më shumë se sa puna e dy viteve të marra së bashku.

Shpirti ka nevojë për trupin zoti Berisha, po u lodhe fizikisht gjithsesi...

Dakord, unë nuk mund të them që s'ka një lodhje fizike, pasi të bësh nga 80 mitingje në ditë, jo një lodhje, por nga pikëpamja shpirtërore kjo përbën një dush të fuqishëm.

Nuk jeni i lodhur nga mitingjet, keni 20 vjet që bëni mitingje në Shqipëri?

Nuk lodhem kurrë.

Mitingjet nuk po i ndryshoni asnjëherë si formë komunikimi, a është kjo forma më e mirë?

Jo, nuk është se s'i kam ndërruar. Këtu tani, nëse marrim këtë fushatë, në këtë fushatë unë kam pasur komunikimin më shumëplanësh me publikun. Në ç'kuptim? Së pari, ka qenë fushata e mitingjeve më të mëdha në historinë e të gjithë fushatave.

Nuk besoj se kanë qenë më të mëdha se ato të vitit '92...?

Më të mëdha kanë qenë.

As si ato të Kushtetutës në '94?

Më të mëdha. Pakrahasimisht, Elbasani, Vlora, Shkodra, Fieri, Korça...

Opozita është shprehur se ju i keni mbushur sheshet me punonjës të administratës shtetërore...?

Të më falë opozita, por unë në mënyrë kategorike dhe absolute, asnjë njeri nga shërbimi civil, nga forcat e armatosura, nga policia e shtetit, nga doganat dhe tatimet, nuk kanë marrë pjesë...

... Po nxënësit e shkollave dhe mësuesit...?

Do të flas edhe për këtë. Unë mund të numëroj dhjetëra mësues që janë aktivist të flaktë të Partisë Socialiste. Unë gjykoj se nuk kam të drejtë t'u them atyre pse rrini aktivist të PS-së.

Por s'keni të drejtë t'i çoni detyrimisht në mitingje...

Kategorikisht nuk ka ndodhur.

Po nxënësit janë përdorur për fushatë elektorale?

Nëse më gjen një miting pa nxënës dhe fëmijë, ma shtro këtë pyetje. Por fëmijë dhe nxënës ke në të gjitha mitingjet, pa asnjë lloj dallimi. Unë s'mund të them që s'ka fëmijë dhe nxënës, çfarë të bëjmë ne, mitingjet të jenë të ndaluara për mësuesit dhe nxënësit. Por, urdhri ka qenë i prerë, asnjë njeri i shërbimit civil, urdhri im për strukturat ka qenë i prerë, asnjë njeri nga ai organ në takime dhe u është përcjellë atyre dhe që s'ka pasur nevojë, ushtria ke dëgjuar ndonjë ankesë, ke dëgjuar ankesë nga policia, as më të voglën, për shërbimin informativ.

SHISH s'e keni ju, varet nga Presidenti...

Jo, me anë të ligjit, varet vetëm nga Kryeministri.

Akuzat kanë qenë për mësuesit dhe nxënësit e shkollave...

Për sa u përket mësuesve, unë në konceptin tim as nuk i kam penguar dhe as nuk do t'i pengoj që të shkojnë me cilën parti që do pasdite, kur t'i bëjnë mësuesit shërbim civil, atëherë do të themi se duhet të respektoni mësimin.

Ka pasur akuza që është ndërprerë mësimi për të shkuar nxënësit në mitingje...?

Në mënyrë kategorike jo.

Dy ditë më parë në mbrëmje dhe dje paradite ka pasur një tentativë për të penguar një miting të opozitës në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Sipas shtypit, kjo është bërë me urdhrin tuaj. Pse janë ndaluar?

Policia ka një përgjegjësi për të garantuar tërësisht sigurinë e këtyre mitingjeve, janë mitingjet më festive, mitingjet e fundit, besoj se policia ka bërë një punë për t'u lavdëruar në gjithë fushatën, nuk kanë dëgjuar në media asnjë ndërhyrje të njëanshme të policisë. Në të gjithë traditën 20-vjeçare, mitingjet janë zhvilluar në dy sheshet, siç dihet. Tani kemi një problem tjetër, zoti Rama s'i mbush dot sheshet, atëherë do rrugicë, do rrugë, t'i marrë.

Është e drejta e opozitës ta zhvillojë mitingun kudo që ajo do...

E drejta e çdo force politike është ta zhvillojë kudo, por detyrimi i liderëve është që të bëjnë kujdes për të shmangur çdolloj incidenti. Pasi në një afër, u bëj thirrje mbështetësve t'i evitojnë. Kjo është arsyeja që historikisht mitingjet janë mbajtur në distancë në dy sheshet, bulevardi ka qenë i lirë. Zoti Rama ka protestuar me dhjetëra herë dhe unë kam dalë në dritare edhe e kam përshëndetur nga dritarja, unë dilja dhe e përshëndesja. Pse? Ka edhe një rregull më të madh se ky. Tani, do ta bëjë në bulevard, ta bëjë, nuk kam asnjë lloj objeksioni.

Zoti Berisha, keni dalë me logon që Shqipëria po ndryshon, pse ky slogan, Shqipëria ka 20 vjet që ndryshon...?

Ka ndryshim dhe ndryshim.

Ç'do me thënë kjo?

Ka ndryshim gradual, ka edhe kuantumilit. Kuantumilit e marr hua nga bankierët më të shquar të Austrisë dhe Evropës, që e përdorin për Shqipërinë këtë. Domethënë, një ndryshim i fuqishëm dhe i menjëhershëm. Është nga fizika bërthamore, kur elektroni lëviz nga orbita e tij...

...Kur është shfaqur kjo shkëputje që doni të thoni?

Shkëputja është anëtarësimi në NATO, shkëputje e madhe është aplikimi në BE, shkëputje e madhe është pavarësia e Kosovës, shkëputje e madhe është autostrada që inauguruam dje.

... E cila, sipas një pjesë e shtypit nuk është hapur në të gjithë gjatësinë e saj, pra është një bërë një inaugurim elektoral, pasi rruga ka ende nevojë të ndërtohet...

Rruga përbën një nga arritjet më madhore të këtij kombi në historinë e tij. Ky komb ka pasur një problem madhor, nuk ka ndërtuar dot vepra publike të domosdoshme për të dhe të krahasueshme me kombe të tjera. Ky komb, me këtë vepër, ka marrë një certifikatë të një kombi të mundësive të mëdha.

Çfarë do të thotë certifikatë, një certifikatë që ka një çmim prej një pikë, disa milionë dollarë...

Nuk e di sa është tamam. Ka një autostradë të zhvilluar në një terren shumë të vështirë në Kroaci po nga kjo kompani, 164 kilometra, në të cilën janë lëvizur gjithsej për ndërtimin e saj 14 milionë ton materiale. Sa janë lëvizur nga kjo autostradë me 64 kilometra? Janë lëvizur shkëmbinj e dhè, beton dhe hekur 36 milionë metra kub. Pra janë lëvizur zotëri pothuajse sa 4,6 ose 7, Fierza, kjo s'është autostrada, por segmenti Rrëshen-Kalimash.

Por zoti Rama ka thënë në një takim elektoral në Kukës se me këto para mund të shtronit të gjithë rrugët dhe fshatrat e Shqipërisë...

Zoti Rama është dëshmuar një nga armiqtë më të egër të rrugës, se është pjesë e historisë së këtij kombi, e suksesit dhe e vështirësive, rruga nuk është një gjë e thjeshtë. Jo! Gradualisht shqiptarët do të kuptojnë se çfarë është rruga, ajo rrugë. Në kuptimin, rruga pati kundërshtarë shumë të egër, të cilët qeverinë shqiptare që pati, mori vendimin në parlament për t'u marrë taksë 1% shqiptarëve në çdo gotë ujë dhe çdo gjë. Dhe nuk ndërtoi një metër të saj. Pse? Sepse kjo rrugë transformon gjeopolitikën e rajonit.

Filloi segmenti Milot-Rrëshen me ndihmën e ushtrisë.

Kjo është qesharake, ajo ishte tallje me rrugën, ajo ishte një tallje me rrugën, një repart xhenio do të ndërtonte rrugën, qesharake. Pikërisht kjo ishte në maskën e bllokimit të rrugës. Rruga ka shumë atribute, po njëri kryesor i saj është se transformon politikën e rajonit.

Kjo mbetet për t'u verifikuar...

Jo, kjo është automatike. Automatike sepse kjo bën një rajon nga Bullgaria perëndimore, Maqedonia, Serbia jugore, Bosnja lindore, e bën të tërin krejtësisht tjetër sepse ofron ujërat e Shqipërisë.

Po, por ofrojmë një port që nuk ka kapacitet të mëdha, përfundon në kufi ku pjesa kosovare nuk e ka ndërtuar pjesën e saj nga Morina në Prishtinë.

Ata që ndërtuan rrugën, ata do të ndërtojnë dhe portin.

Qeveria shqiptare...

Pa diskutim që Shqipëria do të ketë një nga portet më të mëdha në rajon.

Ku do t'i gjeni paratë në një katër vjeçar që mund të jetë shumë i vështirë për rrugën...

Aty ku e gjetëm për rrugën!

Zoti Berisha, kur rruga ka nisur bota nuk ka qenë në krizë...

Ata që vizitojnë rrugën, mësimi i parë, mendoj unë, që duhet të kenë prej saj është se ky vend sot e tutje ka potencial dhe fuqi të ndërtojë çdo përpjekje...

Po jemi në krizë, nuk është situata e 2006-2007, e gjithë bota është në krizë, ne nuk jemi një vend i izoluar...

Ne nuk jemi në krizë. Sigurisht që nuk jemi të izoluar. Problemi është ky, që po kalohet një epidemi piramidash, apo më tepër do të thosha të zhvillimeve postbankare, tregu postbankar pësoi një tërmet. Ky treg nuk ishte në Shqipëri, nuk ekzistonte, në Shqipëri ekzistonte një ekonomi e bazuar në djersën, mundin... Mësimi i parë është ky, që pas kësaj ky vend ka fuqi dhe potencial të ndërtojë çdo projekt, sado gjigant.

Këto projekte i bien t'i shumëzoni me tre, keni premtuar aksin e Jugut, kemi premtuar portin, ku do t'i gjejë Shqipëria gjithë këto para, që të mos ketë rritje pensionesh dhe pagash. Ku do të gjenden këto para?

Krahasuar me katër vite më parë, sot kam një buxhet dy herë më të madh, kjo është evidente.

Keni thënë që do të luftoni korrupsionin dhe informalitetin, ka akoma që mund të luftoni?

Kemi fituar betejën, por jo luftën. Kurrë s'mund të pretendohet ç'rrënjosja totale e korrupsionit. Një betejë ne e kemi fituar, kjo qeveri është shpallur kampion në luftën ndaj korrupsionit.

Kjo qeveri ka detyruar dy ministra të japin dorëheqje për probleme të korrupsionit, dy të tjerë janë përpara drejtësisë dhe ka pasur një skandal që opozita e ka vendosur në qendër të fushatës së saj elektorale, që është Gërdeci.

Kjo qeveri, jo 2, por 12 ministra, po të kërkohet imuniteti, do të dorëzojë imunitetet dhe ky është një ligj i pandryshueshëm në luftën tonë kundër korrupsionit. Por, problemi është se njeri ministër u akuzua për rrugën dhe u akuzua se ka mashtruar qeverinë, në një kohë kur shqiptarët, mediat dhe askush në botë nuk gjeti dokumentin më të vogël ku ka mashtruar qeverinë ky ministër. Kjo është e formuluar nga prokuroria. Pra, ky është një shpikje e turpshme, primitive, e atyre të cilët përdorin institucionin e akuzës për qëllimet e tyre politike, e cila u rrëzua tërësisht nga Gjykata e Lartë e vendit. Akuza tjetër e ministrit tjetër, për ngjarjen jashtëzakonisht të rëndë. U akuzua për korrupsioni indirekt, por që ishte se i ka bërë favor kompanisë duke shmangur forcat e armatosura. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që në kundërshtim me kriteret, në kundërshtim me ligjet për interesa të tij pasurore zoti ministër i qeverisë sime kreu veprime në kundërshtim me ligjin duke shmangur forcat e armatosura, për një problem që ishte tërësisht ushtarak. Cila ishte e vërteta? A ka më shumë rëndësi e vërteta apo mashtrimi? E vërteta ishte se në atë dosje gjendeshin 33 dokumente, secili me nga 3-7 firma të ushtarakëve. Çfarë ndodhi më vonë? Ndodhi më vonë që prokuroria doli, u rikthye tek teza e politikës, pasi nuk faktoi dot kurrë atë që lançoi, pra vetëm faktoi se ishte tërësisht politike.

A ndjeheni ju përgjegjës personalisht për Gërdecin?

Çfarëdo përgjegjësie që kam pasur unë, i kam marrë, i kam shprehur dhe mendoj se në rast se hierarkia ligjore e një vendi nuk i jep mundësi kryeministrit për informacionin që ka, që duhet të kishte kryeministri, nuk mund të ketë përgjegjësi. Çdo njeri që me ligj përjashtohet nga një informacion...

...Pavarësisht kësaj, a mendoni se do të keni kosto elektorale për këtë ngjarje?

Unë mendoj se përgjigjen më të shkëlqyer i ka dhënë Kashari këtij problemi.

Ka qenë një gjë që lidhej direkt me Gërdecin, por për imazhin që sjell në Shqipëri Gërdeci...

Vende shumë më të mëdha kanë pasur aksidente shumë herë më të mëdha, edhe s'u kanë dhënë kosto elektorale.

Partia e zotit Haznar humbi zgjedhjet nga një aksident i ngjashëm, për mënyrën e menaxhimit të atentatit...

Ishte tjetër ajo, dallonte si nata me ditën, ai ishte një deklaratë që Haznar e pagoi, të cilin Hananën e kishin paralajmëruar fillimisht, midis ETA-s dhe Alkaedës kanë një ndryshim si nata dhe ditën. Ndërkohë që të dyja forcat politike kanë një far dallimi në qëndrimin pas, PS u përpoq që të ketë një lloj marrëveshje, që të ketë një qëndrim më të ndryshëm... Pra për ta përmbledhur, për efektin elektoral ka folur në mënyrë më të shkëlqyer Kashari. Dhe përpjekja për të manipuluar, Edi Rama futi këtu praktikën e manipulimit të të vdekurit, është një praktikë më primitivja që është deri më sot. Për atë që ke parë spotin, spoti thotë që s'e ka ndihmuar qeveria, kur shtëpinë e ka ndërtuar me fondin e qeverisë, është e faktuar kjo. Atëherë pse përdor fatkeqësinë ti...

Kur njeriu vetë përdoret, faji i opozitës është?

Jo, ai që krijon manipulimin është më i zi se ai që manipulohet.

Nëse humbni zgjedhjet çfarë do të bëni?

Çfarë the?!

Zgjedhjet janë zgjedhjet dhe asnjëherë s'mund të thuash që nuk ndodh. Nëse shqiptarët do të japin një rezultat në favor të opozitës, cili do të jetë qëndrimi juaj?

Së pari njëherë, kur mendon të pamendueshmen...

...Këtë ma ke thënë disa herë, por zgjedhjet janë zgjedhje...

... Duhet t'i japësh vetes kohë. Në ç'kuptim? Për shembull, do të ndërtojmë rrugën kam thënë, mu desh katër vjet për të bërë realitet atë. Pra, por siç e sheh ti, shqiptarët e kanë ndarë mendjen, do të votojnë për projektin e Shqipërisë evropiane.

Ju s'e dini mendjen e shqiptarëve, ju jeni shprehur që 18 vjet më përpara që sovrani flet dhe të tjerët heshtin...

Por mund të të them diçka, nuk ka pasur ky vend kurrë, nuk kam njohur kurrë në jetën time një shkallë të jashtëzakonshme me komunikimin me qytetarët.

Me mitingjet?

Jo, me mitingje, por tjetra, po kaq miliona me komunikim dixhital, me sms, me e-mail, si i quan ti ato...

Kam marrë vesh se edhe ti si zoti Obama po përdor blackberry...?

Po e përdor jo për të imituar, por se ka një kapacitet shumë të madh në komunikim.

Nuk ju duket pak i implikuar, nuk besoj se i keni marrëdhëniet e mira me teknologjinë?

Nuk është i komplikuar, ka dy merita të mëdha. Marrëdhëniet i kam shumë të mira. Një gjë ka ndryshuar në jetën time më shumë se çdo gjë tjetër dhe ky ka qenë kompjuteri... Blackberry ka dy merita, tastiera e tij është më e lehta dhe më funksionalja se të gjithë të tjerëve. E dyta, mausi, që është patentë e prodhuesit, e treta ka kapacitetin e madh.

Kaq kohë shpenzoni me celularin?

Shpenzoj, është komunikim me qytetarët.

Sa sms merrni në ditë?

Mbi 100, ka raste marr 500. Kur janë urimi, qindra. Por unë i lexoj, i lexoj...

Kur i lexoni, duket sikur...

E kam ditën të gjatë unë.

I bie që kryeministri të luajë me celular gjithë ditën...

Jo, kam një orë të vonshme që i lexoj. Nuk e mbyll ditën pa e lexuar.

Le t'i rikthehemi pyetjes, nëse i humbisni zgjedhjet?

...Unë mendoj që mediat duhet të vlerësojnë këtë risi të kësaj fushate. Kjo ishte eksperienca më e shkëlqyer dhe që e kisha një qëllim. Një nga këshilltarët e mi ka drejtuar fushatën e presidentit Obama në Florida për ëndrrën dixhitale, pasi Presidentit Obama, të flasim realisht, solli disa risi...

Ai ishte mbi të gjitha fenomen krejt i ri në politikën amerikane, që ktheu tek ta sistemin dhe elitat amerikane...

Ishte vetë elitë.

Mendoni ju që shqiptarët mund të jenë lodhur nga qëndrimi juaj 20-vjeçar në politikë?

Jo. Do të vij unë. ... Çdo politikan ka mësuar nga fushata e Obamës, ishin përgjigjet instantale. Nëse njeriu i Zhvarcenegërit që mori Mekein, solli përgjigjen e shpejtë, reagimin e shpejtë, Obama futi reagimin e menjëhershëm, me spote, me të gjitha.

Prandaj e keni mbushur të gjithë median elektronike me spote...?!

... E dyta, presidenti Obama pati një dimension të fuqishëm diletant në fushatën e tij, me e-mail dhe mesazhe, ndaj unë mora një nga zyrtarët që ka punuar në fushatën e tij, se na mungonte në këtë drejtim, unë doja ta zhvilloja këtë, respekt për qytetarin.

Ne jemi akoma në një vend ku vetëm 5% përdorin internetin...

Një milionë e 300 mijë përdorin celularin. Kanë marrë mesazhe nga unë. Më kanë kthyer përgjigje 6% e tyre. Është kthimi më i lartë. Dimensioni dixhital i fushatës funksionoi në mënyrë të shkëlqyer, kam pasur dimensionin tjetër...

Që është?

Takimin me qytetarët në lokale, në xhiro, në bulevard dhe takimin me të rinjtë. Pra, faktikisht kjo fushatë ka qenë fushata më multidimensionale që kam zhvilluar ndonjëherë...

A e keni modifikuar ndopak fushatën sipas modelit të zotit Rama, ju kam parë herën e fundit që dilni në miting bashkë me Çiljetën, Sonin dhe Elitën 5...?

Në fakt ai e ka marrë nga unë sepse unë kam dalë me Elitën 5 në të gjitha fushatat e mitingjeve të kaluara. Dy gjëra ka marrë ai nga unë, ka marrë këtë dhe të bërtiturën në mitingje. Po se pse e mori këtë të dytën s'e mora vesh.

Si ndiheni mes këngëtarëve dhe ritmit të muzikës?

Natyrisht ndihemi i entuziazmuar.

Vetëm se s'ju kam vënë re që të këndoni siç këndonte zoti Rama?

Himnin, kjo fushatë ka pasur himnet më të bukura. E dini studimin, por që unë do t'ua them njëlloj, 67% pëlqenin fushatën e PD-së, më e bukur...

... Dhe më e shtrenjtë.

Jo, jo më e shtrenjtë. Kush ishte më e shtrenjtë 33 grupet e festës që bojkotoi Tirana, ajo ishte më e shtrenjtë. Të kontraktosh 33 grupe, ne e kemi të kontraktuar një grup.

... Zoti Berisha, nëse i humbni zgjedhjet?

Që të vijë përgjigja duhet të ketë një feksje, nuk ka asgjë të vërtetë, asnjë feksje. Tani, unë jam i vendosur të respektoj verdiktin e qytetarëve në çdo kohë, në mënyrën më absolute, ky është qëndrimi. Që do të thotë...

...Kjo do të thotë që në përputhje me rezultatin do të merrni vendimin tuaj...

Ka një standard në botën e qytetëruar dhe drejtimi i politikanit bëhet nga zgjedhësit, vlerësimi i tij bëhet nga zgjedhësit. Ky është standardi perëndimor dhe ky është standardi...

Që do të thotë nëse humbni zgjedhjet do të largoheni...

... Prit një minutë. Do të dal tek 20-vjeçari. Po nuk ka një njeri më të votuar se unë.

Çfarë do me thënë?

Nëse shqiptarët kanë vendosur miliona, miliona, miliona, vota mbi një njeri, ky është Sali Berisha. Pasi janë 20 vite suksesi.

Ka poshtë dhe lartë në këto 20 vite sa...

Po këto qytetarët i vlerësojnë. I numëroj të gjitha unë ato. Qytetarët shqiptarë kanë një histori me Sali Berishën dhe kjo histori është shembja e murit të Berlinit, shembja e diktaturës, janë skemat piramidale, për të cilat ai dha dorëheqjen. Pse dha dorëheqjen, se u tha shqiptarëve që një borxh që nuk është marrë nduk do të paguhet, kundërshtari im u tha se do t'i japë qindarkë për qindarkë. Kryeministri Meta dhunoi në mënyrë monstruoze zgjedhjet dhe shqiptarët kuotuan logon e PD-së. Tetë vite e bënte Shqipërinë që të kishte nevojë për opozitën, se opozitë s'kishte, ne qëndruam. Ata që erdhën në pushtet, i larguam me votë, më 2005. Lidhja me shqiptarët është integrimi, integrimi në BE, NATO, në KE, janë një histori integrimi. Por lidhjet e tyre të fuqishme janë historitë rrogash dhe pensionesh të larat, histori rritjesh ekonomike.

Si shpjegohet që në të gjitha sondazhet, kur bëhet fjalë për moshat, PD ka një mbështetje nga 18-49 vjeç dhe është pothuajse e dobët nga mosha 49 vjeç e sipër, si ka mundësi që moshatarët e juaj nuk ju votojnë?

Unë s'jam moshatar me ata, jam me këta. Ka disa mosha, por moshën e lirisë e kam me këta... Me këta e kam moshën... Po flas për moshën e lirisë, mosha e lirisë është moshë lirie...

Të gjithë njëlloj e kemi...

Jo, pak më shumë.

Pse?

Ti e ke dëgjuar, ti e din, unë kam një moto, mua filozofin që më ka inspiruar më shumë në jetën time ka qenë Ninçen, Ninçja i Francës. E kanë keqkuptuar shumë Ninçen... Niçja thotë se njeriu duhet të tejkalojë çdo ditë veten e tij, nuk ka moto më të fuqishme se kjo. Niçe, ishte kristian dhe besues, nuk ishte ateist. Problemi tij me Krishtin ishte kryqëzimi. Por nuk është e vërtetë se pse shkroi këto, ai nuk kishte sentimente. Pra, motoja ime është që të tejkaloj veten çdo ditë. Kjo moto, është motoja që duhet të frymëzojë çdo njeri. Një ditë më pyeste një gazetar, pse ti 20 vjet në politikë dhe nuk përdor njëherë fjalën eksperiencë, e cila edhe mund të përdoret siç ka ndodhur. Absolutisht është e vetmja arsye, sepse çdo ditë shoh si të tejkaloj. Pra unë në karrierën time politike vij nga shkencat, vij nga shkenca, në Shkenca unë si grup i përkas shkencave biologjike, por pavarësisht, ka disa fenomene të cilat janë atraktive dhe një ndër to është Perpetua Mobile. Kjo ishte kërkesa, përpjekja e njeriut për të arritur Perputuan Mobile. Sali Berisha e ka gjetur, Perpetua Mobile për mua është reforma. Pra këto 20 vite për çfarë më kanë shërbyer mua, këto 20 vite më kanë shërbyer mua në një gjë, më kanë bindur mua në nevojë jetike të reformave, nevojën jetike të reformave. Kjo është pasioni im, jo pushteti, shiko, merr Edi Ramën, çfarë bën ai? I sigurt që do të humbasë zgjedhjet, nuk jep dorëheqjen nga kryetar bashkie.

Kjo është çështja që shtypi ka mbajtur një qëndrim të unifikuar, kjo është çështja që do të gjykojnë shqiptarët... Kjo është çështje standardi.

Por nuk ka njeri në botën e lirë që ta pranojë që kryetari i forcës kryesore opozitare të mos fus veten në listë. Pse nuk e fut veten në listë? Sepse e din që do të mbetej pa karrige. Kategorikisht nuk ka një kontratë, po çfarë kujton se qytetarët e Tiranës janë të pavetëdijshëm saqë nuk kuptojnë se po u bë kryeministër s'mund të jetë kryetar bashkie.

Po merr një kontratë më të madhe me qytetarët e Shqipërisë, që me sa duket edhe ju e keni frikë se mund të ndodhi...

Absolutisht jo, nuk kam aspak frikë.

Nëse dilni parti e parë, por nuk keni numrin e nevojshëm të votave për të krijuar qeverinë, ku do t'i gjeni këto vota?

Unë ju garantoj që do të dalim parti e parë dhe do të kemi numrin e nevojshëm të votave.

Ju mendoni se do të fitoni mbi 70?

Unë mendoj se po kthehet 1992, çfarë do të thotë, mirë do të ishte të mos kthehej, votë plebishitare. Më fal pse plebishitare votat? Pse po çahen sheshet në mitingjet e mia.

Po është edhe Çiljeta...

Unë e shoh që sa herë jam në skenë me të, i drejton sytë andej, ajo aty vjen për publikun dhe është një këngëtare dhe artiste shumë e preferuar. Sheshet po çahen dhe pjesëmarrja është e jashtëzakonshme, njerëzit panë që kjo qeveri ka mbajtur premtime të mëdha.

Cilat premtime?

Anëtarësoi Shqipërinë në NATO, përfundoi rrugën e Kombit, asfaltoi 5900 kilometra rrugë, nuk ke faj ti që je në bulevard, shko pak në Cakran.

Unë s'do dal të kërkoj votat që të bredh në Shqipëri.

Dakord, por këto që po bën qeveria pëlqehen jashtë mase nga qytetarët. Këta shohin për herë të parë një qeveri e cila vërtetë do të bëjë realitet...

...Por deklaruat që do të denonconit dosjet e korrupsionit të mazhorancës qeverisëse, asnjëra nuk ka shkuar në prokurori, ku janë?

400 dosje janë në prokurori, por ajo po fle mbi to, aty janë.

Ju premtuar drita 24 orë në 2007 dhe ka një qëndrim të opozitës e cila është shprehur në këtë studio që 24 orë drita është siguruar nga shiu dhe jo se kjo është e garantuar në afatgjatë...

Unë e kam dëgjuar në këtë studio që të thotë se është koha më e varfër në 100 vitet e fundit, e kam dëgjuar të thotë që këtij qyteti, paçka se kryetari i bashkisë ka falënderuar qeverinë, nuk u është dhënë një qindarkë, e kam dëgjuar që mësuesit marrin 260 mijë lek.

Ju siguroni që dritat do të sigurohen 24 orë?

Në mënyrë absolute. Viti 2008 ka qenë vitet e thatësirës më të madhe në Shqipëri, janë prodhuar tërësisht vetëm 3.8 kë/orë energji, janë konsumuar 6.2 miliardë kë/orë, janë importuar 2.4 miliardë, janë importuar qoftë edhe me një euro, me çmimin më të shtrenjtë të mirë.

Por çmimi është rritur?

Jo s'është e vërtetë, lëvizja e bërë për 300 kë e parë është kompensuar 100%, për të tjerët është rritur. Nuk mund të ketë në botë treg energjie pa çmime botërore dhe ky është i subvencionuar, mos harro që e kemi blerë 100 dhe e kemi shituar 70.

Meqë jemi tek këto, kemi dështuar me legalizimet, pronat...

Premtuam reformën në arsim, mirëpo arsimi është tjetër shkollë, në të katër anët e këtij vendi shkollat janë me internet, janë dyfishuar numri i studentëve. Profesioni i mësuesit është një profesion i kërkuar.

Me ato paga?

Pagat...

... E keni hequr rrogën e 13 zoti Berisha, e keni rritur taksën e sheshtë?

Jo. Përkundrazi, bonusi që marrin në fund, i shuan të gjitha.

Keni dështuar me pronat, keni dështuar për legalizimet, dy reforma që në fakt përjashtojnë njëra tjetrën?

Legalizimet po ecin me shpejtësi të rrufeshme. Ju do të shikoni se, në mënyrë absolute në çdo mbledhje të qeverisë, në 3-4 muajt e fundit, janë mbi 5 mijë deri në 7 mijë banesa të legalizuara. Por ka një vonesë, sepse Edi Rama, pasi nuk votoi ligjin në parlament, e çoi dy herë në Gjykatën Kushtetuese.

Cila ka qenë ajo që keni dashur të bëni, po që nuk e keni bërë dot në këto 4 vjet?

Pyetjet nuk mund të më shtrohet në këtë mënyrë. Pyetja është se: Cilat kanë qenë tejkalimet që keni bërë? Unë në fakt ndjej një keqardhje për malin e falsifikimit që gjeta në prona. Por nuk mund ta konsideroj këtë çështje një dështim. Është ekzagjerim. Unë gjeta një "mal Dajti" falsifikimesh, po merrem me çdo dosje. Në qoftë se ne themi që të zgjidhim me shkopin magjik një mal me falsifikime, kjo s'behet. Kjo bëhet me shqyrtime me analiza me fakte. Së dyti fondet për kompensimin fizik janë shtuar disa herë. Së treti, është përgatitur një fond prej 4500 hektarë, i cili do të vihet në dispozicion të pronarëve.

Ndërkohë që pronarët nuk po kompensohen, po jepet tokë me 1 euro. A janë këto në kontradiktë me njëra-tjetrën?

Aspak, sepse nuk po jepet hektarë tokë nga tokat publike, në fshatra turistike.

Kur do të fillojë kompensimi i pronarëve?

Do të fillojë pas zgjedhjeve. Pronarët nuk mund të votojnë Edi Ramën.

Por pronarët kanë nënshkruar marrëveshje me "Polin e Lirisë"?

Kush tha. Ata nuk janë pronarë, ata janë njerëz që u kanë marrë vëllezërve të tyre tokat.

Çfarë keni dashur të bëni në këto 4 vjet dhe nuk e keni bërë?

Në fakt ndihem shumë i kënaqur me këtë çfarë kam bërë. Kemi bërë një skemë për kafshatën, nxorëm 400 mijë familje nga varfëria. Nuk u realizua një skemë, e cila do të nxjerrë detyrimisht nga mjerimi çdo shqiptarë. Kjo skemë është e domosdoshme. Janë një numër i caktuar nënash me shumë fëmijë.

Por Rama ka thënë për këtë shtresë do t'ju jap lejen e lindjes...

Jo, s'ka faj ai. Ai këtë tani e mësoi, nuk i vë faj unë për këtë punë se ai ka probleme të tjera. Gjithë fushatën e shtroi me familjen time, për të cilën unë jam shumë krenar. Unë nuk jam marrë asnjë ditë më familjen e tij, sepse po të merresha unë qoftë edhe një ditë, ai dilte më keq se në plazh.

Gjithsesi, qëndrojnë akuzat që bëhen mbi familjen tuaj?

Çdo akuzë mbi familjen time që do të mund të faktohet në dokumentin më të vogël.

Ka vajza dhe djali juaj përgjegjësi për aferat publike?

Në mënyrë kategorike, jo. As edhe një të vetme. Ata jo vetëm që nuk marrin pjesë në oferta publike, por edhe aktivitetin në sektorin jo publik, janë të detyruar ta ushtrojnë në përputhje të plotë me ligjin. Le të japë dikush faktin më të vogël se studio e tyre është marrë me elementin më të vogël publik ose që ka shkelur ligjet. Kanë lakuar emrat e fëmijëve të mi, 400 mijë herë, 1 milion herë dhe t'i lakojnë 10 milionë herë, por gjer më sot ka vetëm një fakt, një fakt të falsifikuar që është në gjykatë dhe ka zero fakte. Ju siguroj që do të ketë zero fakte. Standardi im, i Sali Berishës, është në radhë të parë në familjen time, nëse duan që ata të mos merren as me veprimtari private, atëherë kjo është armiqësore.

Jeni të sigurt se ata nuk bëjnë trafik influence me që babai i tyre është kryeministër?

Në mënyrë kategorike, në asnjë rast. Kjo opozitë u mor me rrogën e vajzës time, një vit rresht, sepse ajo kishte marrë 8 apo 9 mijë dollarë rrogë në muaj, si punonjëse ligjore e UMNIK-ut. Ajo s'kishte marrë asgjë nga Shqipëria dhe fakti që këto bëheshin të marra së bashku 1 milion, ishte katastrofa e opozitës. E ftoj opozitën të publikojë një gazetë me titull "Familja Berisha", çdo ditë të vjellë të shajë, të bëjë ç'të dojë. Ndërsa unë nuk jam marrë me këto gjerë.

Keni bërë spote negativiste zoti Berisha. Mjafton të hapësh televizionin dhe shikon që kreu i opozitës është në qendër të spoteve negativiste të PD-së?

Deri tani kemi bërë 26 spote.

Me çfarë parash?

Me para, të gjitha transparente. Ka një ligj për transparencën dhe ai është zbatuar plotësisht. Kontrollin tashmë e bën KQZ-ja. Nga këto. Tre spote janë gjysmë negative, por mbartin të vërteta absolute.

Të nxjerrësh shefin e opozitës duke ngrënë makarona është negativiste...

Po kush i tha atij të fus një garuzhde makarona në gojë. Ne i nderuar zotëri, nuk i çuam kamerën siç ia bëri ai tjetrit në mes të natës. Atë foto e ka bërë vetë ai, e ka shpërndarë vetë kudo foton. Ne po të donim të bënin spote negative për të, e di vetë se çfarë do të nxirrnim. Ka të tjera më shumë se 2007-ta. Ai është një arkiv i pafund. Në se ai 70% të lejeve ia jep dy studiove, kjo është forma më flagrante e korrupsionit. A po gënjejnë gjë spotet tanë. Ai tregoi një shkollë në Korçë. Historia e shkollës është kjo. Në Korçë ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 56 shkolla. Ai është një fshat i vogël që ka 20 nxënës, në vitin 2005 dikush e dogji shkollën. Fshati dy kilometra më tutje ka shkollë 9-vjeçare dhe natyrisht djegia është e dënueshme, por nëse shkolla tjetër është vetëm 2 kilometra larg, është më mirë të kërkosh transport për ata nxënës dhe t'i çosh në klasa jo kolektive, sesa të ndërtosh një klasë kolektive. Klasat kolektive nuk mund të kenë cilësinë e një klase jo kolektive, janë një zgjidhje in extremis. Mund t'i nxjerr unë atij grushtet në piaca, janë të fotografuara ato.

Janë jeta private ato..?

Po djali im ç'është që del nëpër spote. Unë jam zotuar se do të bëj një fushatë mbi të vërteta. Si tu duk ty spoti mbi Gërdecin, i "telebelindës". Me spotet tona po merret partia, as edhe një nuk ka bërë qeveria.

E keni transparencën financiare për këto spote?

Absolutisht qindarkë në qindarkë. Të mbash 33 grupe, kërkon një shumë përrallore, ne mezi sa po mbajmë një grup..

Ju ku i gjetët paratë që paguani gjithë ata këngëtarë, që dalin përkrah jush?

Janë të gjithë së bashku ata janë autorë të ndryshimit. Janë të gjithë bashkë ata që kanë bërë këngën. Me spotet kam detyrë t'ju them shqiptarëve të vërtetën. Shqipëria për lejet e ndërtimit, është e 173-ta në botë, është në fundin e fundit dhe këtë e paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë.

Me këtë taktikë Rama ju ka mundur 3 herë në Tiranë...

Në zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe kur ka fabrikuar me qindra dhe mijëra certifikata. Ajo që them unë është, se Rama është një nga manipulatorët më të tmerrshëm të zgjedhjeve.

Kush ju garanton se ai nuk do t'i manipulojë prapë..?

ID-ja, letërnjoftimi i ri. I kalli datën letërnjoftimi atij. Letërnjoftimi i zhduku certifikatat. Në çdo gjë, morali im politik është se, atë që besoj unë me të vërtetëë. A mund të dalë në shtëpi një fatkeq, i cili ka firmosur dhe ndjej dhimbje shumë të madhe për atë familje. A mund ta manipulosh ti atë që të thotë që qeveria nuk më ndihmoi, kur ai banon në një shtëpi të qeverisë. E ka ndërtuar shtëpinë me paret e qeverisë. Këto nuk lejohen dhe janë amorale.

Nëse nuk do keni votat e mjaftueshme për qeverinë a do të bëni koalicion me LSI-në apo PS-në?

Kategorish jo. Shqiptarët nuk më votojnë mua për koalicionin e PS-së, kjo do të ishte një tradhti e madhe ndaj besimit të tyre. Është e papajtueshme të bësh koalicion me Edi Ramën, me modelin më të shëmtuar të korrupsionit në Evropë. Me njeriun që ndërton sot qytezën e Delijorgjit, kurrë nuk e bëj aleancën. As me LSI-në, se molla e kalbur ndahet më dysh.

Duhen 71 deputetë...?

Unë do të përsëris fitoren e 22 marsit të 1992-shit. Do të votojnë me qindra dhe mijëra qytetarë që nuk kanë votuar kurrë, do më votojnë përtej pensioneve dhe legalizimit të shtëpive, ndërtimit të rrugëve.

Por edhe Meta ka bërë punë kur ka qenë kryeministër..?

Ne i kemi nisur Fushë-Krujë -Lezhë, të gjithë trasenë e kemi gjetur ne të shtruar. Ne e asfaltuam dhe në ‘97 deshëm ta inauguronim, por shumë pak gjerë të vogla i mungonin. Në atë rrugë PS nuk ka bërë as 2% të punës. Të gjitha rrugët që janë vazhduar nga socialistët, kanë nisur gjatë qeverisjes time. Kjo që bëri Meta ishte se siguroi një grup huliganësh dhe bëri atë që bëri me zgjedhjet e 2001-shit. Kaq. Nuk kanë shanse për koalicion me PD-në. Sipas të gjitha gjasave unë i kaloj votat, nuk bazohem as te sondazhet. Kam mbështetje të gjithanshme.

Cilat janë pikat kryesore të programit?

Në këto zgjedhje ne vijmë me një program më ambicioz se kurrë. Mbështet në një thellim të madh të ndryshimit. Ne duam të krijojmë kushte jetese, të njëjta me disa vendet të Bashkimit Evropian. Vetëm kështu Shqipëria mund të bëhet gati për BE. Këto janë: infrastrukturë moderne për vendin, mijëra kilometra rrugë, 8 mijë janë për të bërë ende. 18 mijë e 500 km janë gjithsej. Mund të ketë edhe brenda Tiranës 100 mijë km ende të paasfaltuara. Rama nuk mund t'i mbajë peng qytetarët, pesë herë ia kemi dhënë, i ka bërë rrush e kumbulla. Do të asfaltohen rrugët e komunave dhe të qyteteve. Një Shqipëri me rrugë fshati të urbanizuara, me kushte si lagjet e qytetit.

Dy akset e shkurtra rrugore që janë jetike, Tiranë-Elbasan-Quks, Boshti i Jugut i cili ka dhe pjesë të kushtueshme, por do bëhet. Po kështu edhe me rrugën e Arbrit. Po kështu Fierzë-Koman, ndërtimi i këtyre akseve bën që çdo distancë me Tiranën që të shkurtohet. Distanca Sarandë dhe Korçë dhe Tropojë dhe Peshkopi me Tiranën do të përgjysmohen dhe kjo s'është pak.

Rruga u nderua projekti më i rëndësishëm, por kështu rrogat u dyfishuan për 60 mijë punonjës të administratës. Infermierë dhe mjekë. Pensionet dhe rrogat e vogla u dyfishuan për të paktën 250 mijë pensionist në fshat dhe qytetarë me rroga të ulëta. Pensionet në qytet u rritën më shumë se në çdo vend të botës. U rindërtuan më shumë 1012 shkolla dhe interneti u shtri në çdo shkollë. Këto janë realitete dhe kushdo të investigojë. 5900 km rrugë u ndërtuan dhe është detyra jote ti vërtetosh. Janë nderuar qindra ujësjellës dhe qendra shëndetësore. Mos mendo se investimi në infrastrukturë do na pengojë në fusha të tjera.

Artistët e kanë zbukuruar mitingun tim...Â

Pedagogët:

Ju njoh si një njëri të kulturës dhe pse keni harxhuar kaq shumë kohë për Gërdecin, nuk keni harxhuar shumë kohë me kulturën. Në rast se fitoni do të merrni vendimin që në TOB të ndërroni karriget dhe të kemi një tempull të kulturës në qendër të Tiranës?

Fushata elektorale është shumë intensive dhe një takimet më të bukura që kam pas ka qenë me artistët në TOB. Me të vërtet në rast se ky projekt që ju paraqes shqiptare vlerësohet si evropian të garantoj se në këtë projekt ata kanë rolin elitar. Unë vërtet flas për infrastrukurë, por ne nuk jemi ashtu siç mendohet se ne shohim dhe anën tjetër rolin e kulturës. Për ne ka rëndësinë më të madhe se kurrë. Shqipëria është vend shumë pak i njohur, ky është problem i madh për ne. Sepse ne kemi qenë 50 vjet të mbyllur dhe ndaj dhe njohja është e rëndësishme. Nuk ka njohje më cilësore se mund të bëjmë ne sesa me kulturën tonë e cila është një kulturë që e dua shumë dhe dinjitoze. Po të vësh re me kombet e tjera kanë probleme identiteti, ne nuk e kemi këtë problem. Kjo për fatin se ne kemi zhvilluar në format që kemi mundur kulturën tonë. Identiteti është kultura. Të siguroj se në këtë projekt bota kulturore shqiptare do të gjej rolin e vetë më shumë se kurrë. Unë kam vlerësimet e mija dhe si qeveri me takon ti mbështes institucionet fuqishëm, por edhe ato kanë njohur gjatë kësaj kohe përmirësime. Ka një shumëfishim fondesh. Nuk kemi ndenjur indiferente jemi shumë të ndjeshëm dhe do jemi edhe 4 vitet e ardhshme më shumë. Nuk ka përfaqësues më dinjitoz se Ismail Kadareja, nuk mund të kemi më ambasador të shkëlqyer.

Keni qenë të rëndësishëm me opozitën që keni bërë. A keni ndjerë një opozitë reale gjatë këtyre 4 viteve qeverisje?

Në mënyrë të përsëritur bashkëbiseduesit edhe të huaj në zyrën time më kanë shprehur problemin se në këtë vend nuk ka një opozitë reale. Në këtë fushatë opozita vjen e zhveshur nga alternativat dhe kjo është shumë e dëmshme. Shqiptarëve në një faqe i janë shpërndarë 7 shtylla, po se ça bëhet me to asnjë nuk e di. Opozita ka pas një vështirësi sepse qeveria realizon dhe ajo nuk është në situatë komode por kjo nuk e privon atë nga përpunimi i alternativave të ngjashme për të bind elektoratin.

Ne do ndajmë bashkë, një qëndrim që na ofron se historia është progresiste pashmangshmërisht. A e keni një model për tregun e brendshëm?

Është e vërtetë se historia është progresive në raport me zhvillimin ekonomik. Por studimet kanë faktuar se 800 vitet para shekullit të 20 ishin vitet e ecjes së breshkave. Rritjes ekonomike minimale. Kjo do të thotë të kesh varfëri progresive. Unë kam pas fatin e madh që të hyj në politik me 0 nocion ekonomik. Kur filluam të meremi me problemin, ata që kishin nocionet kishin problem të madh me nocionet e tyre. Ato u tejkaluan më vonë. Unë mora vendimin, bëra në vitet 93-95 vendosa sistemin më të ulët fiskal, në kundërshtim me të gjitha vendimet. Ai sistem e bëri Shqipërinë me rritje dy shifrore ekonomike. Ekonomia në konceptin tim, nuk gjykoj se ka vetëm një model ka monopolin e të vërtetës në ekonomi. Unë jam tërësisht konservator me uljen e taksave dhe liberal me uljen e barrierave demokratike. Unë besoj shumë në rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Është një investim në energji njerëzore. Pse sot Shqipëria ka drita, ka se nuk ndoqa sistemin ilegjitim. Se duke prerë dritat, ata ulnin humbjet. Vitin e kaluar, nuk them se në Shqipëri janë krijuar kushtet më të mira të konkurrencës, por u bë që rritja ekonomike të bëhet dyshifrore. Modeli im funksionon dhe ky model është shkaku kryesor që Shqipëria nuk përjeton krizë ekonomike brenda saj. e vërteta është se këtu shtimi fiskal ishte paradhënie, si investimi masiv. Këto dy faktorë e mbrojtën Shqipërinë nga kriza.

Ju thoni se do hapni 160.000 vende pune dhe rritje pagash. Sa do jetë kostoja e hapjes së këtyre vendeve pune dhe cilat janë vendet në botë që do i kalojmë rritjen e pagave?

Ne kemi hedhur baza të një transformimi shumë të madh. Ne kemi të firmosura 5.6 miliardë euro kontrata, asnjë prej tyre nuk është tërhequr. Përkundrazi secili po fillon ose do fillojë. Këto kontrata janë në 104 hidrocentrale. Do jenë minimumi 240 hidrocentrale në katër vite. Do ndahen në dy grupe të mëdhatë dhe më të vegjlit. Megjithatë këto nuk do jenë faktori kryesor i punësimit. Këto do jenë 50.000 vende pune. Kryesor për punësimin do të jetë biznesi. Në vitin 2005 ne gjetëm 40.000 biznese, sot ka 102 mijë biznese. Jo të gjitha janë të reja, por po marr se 60% e tyre janë të reja. Por kjo shifër do të thotë se minimumi kanë të punësuar 60 mijë punëtorë. Do të jetë Shqipëria kantier në rrugë, shkolla, autostrada etj. Do të jenë dhe parqet industriale që është pjesë e përqendruar e biznesit. Unë kam deklaruar 160.000, por kjo është shifra më modeste. Do të ketë një ndryshim të konceptit të punësimit në fshat. Kemi deklaruar se do financojmë çdo projekt që vjen nga fermerët, këto projekte do të përmbajnë punësim. Jemi një vend me 40% fshatarë ende, më vonë do të zbresë, kjo do të thotë se numri i papunësisë nuk do të diktohet vetëm nga popullsia, por dhe nga prurjet nga fshati.

Vini theksin te zhvillimi ekonomik dhe turizmi. Të dyja mbivendosen, në kuptimin që zhvillohen Durrësi dhe Vlora?

Së pari, në Vlorë ka një përputhje të plotë të turizmit me atë që e quani park energjetik. Nuk mund të ketë një port pa rezerva nafte. Sot Vlora ka një port me standardet më të mira, s'ka gjë më të domosdoshme për turizmin. Ai termocentral e bën Vlorën me parametrat më të mirë të furnizimit. Nga Velipoja deri në Ksamil nuk do të gjesh vetëm se 30-40 km rrugë të paasfaltuara. Ne po finalizojmë tërësisht infrastrukturën moderne bregdetare. Përqendrim e kemi shumë të madh te turizmi. Dhe fakti që turizmi nga 300 mijë vizitorë arriti në mbi 2 milionë do të thotë se gjetën diçka që pëlqehet këtu. Ndërsa Durrësit, gjëmën ja bëri qeveria e mëparshme që e mbushën me pallate një nga plazhet më të bukura që kanë ekzistuar. Kurse Porto Romano, do të bëhet një nga zonat më të fuqishme ne Ballkan si park energjetik. Evropa ka standarde, detyrimi im absolut është të respektojë deri në një standardet evropiane të mjedisit. TEC-i i vlorës i kishte dy herë më të mira. Këta të vërtetojnë e të mos bëjnë lobingje të pabazuara. Në 2010 ne do të finalizojmë infrastrukturë moderne. Pastaj do tju kthehemi maleve.

Ju ndryshuat ministrin e arsimit, por veç një administrimi të mirë, skemi parë reforma të rëndësishme. Po kështu, kur do ti rrisni rrogat e policisë rrugore, se janë njerëzit më të keqtrajtuar?

Për operën dhe teatrin për ta ka një vendim qeverie, që ka përmbysur pagat e tyre. të dyja dhe teatri dhe opera janë të përfshira në fondet, që do të thotë se ne financojmë çdo celebritet që ato do të marrin në skenat e tyre. Ministria e Kulturës ka fondin e objekteve kulturore. Për sa i përket policisë rrugore, ne bëmë shtim të pagave. Nuk them se është e përsosur por do të përmirësohet. Nuk kam asgjë kundër që atyre tu rritet buxheti. Por ne primar kishim buxhetorët, infermierët. Por nuk jemi kundër policisë rrugore.

A do e rikonsideroni çështjen e maturës shtetërore?

Po të rikthehem tek koha ime e parë në pushtet, unë për të ndihmuar zonat rurale, sepse ata që duhen ndihmuar fuqishëm, ata mbeten më pas. Para disa vitesh ne krijuam një konvikt me 600-800 nxënës nga zonat rurale, u bënim një përgatitje një vjeçare dhe më pas ndiqnin universitetin. Nuk ishte ideale por funksiononte. Kjo duhet të marrë një përgjigje të prerë. Unë në premtimet e mia që kamë bërë është që të përdor arsimin. Një rrugë për të ulur varfërinë është investimi në arsim. Zgjidhje do me çdo kusht. Mund të them se me arsimin ne nisëm punë, dhe aty ka disa rezultate. Mund të kesh pakënaqësi me ligjin e arsimit të lart, por mu duk se bota akademike duhet të respektohet gradualisht jo në mënyrë të menjëhershme. Arrita që të përgatis atë që kam ndërmend. Ligji do të ndryshojë, jam dakord me këtë.

A rriskojmë që nëse fitore, të interpretohet më shumë si humbje e opozitës dhe jo si një fitore e juaja?

Absolutisht jo. Unë kam projekte. Besoj se ju e shihni që un nuk kam retorikë. Por nuk kam retorikë, kam projekte të vështira dhe të mundimshme për t'u bërë, por ama të bëshme. Shqiptarët për mendimin tim do të votojnë për mua sepse nëse katër vite më parë të gjitha premtimet e mia ishin shpresë, sot unë jam njeri që u them, të dashur qytetar kam realizuar kaq. Ky është bazë besimi, jo për votën. Votën do ma jepni për projektin që ju paraqes për katër vitet që vijnë. Po të vini re, nuk bëj debat me opozitën dhe nuk merrem me platformën e tij fare. Unë dua të bind qytetarët shqiptar për atë që do të bëj. 280 janë takimet e mia para dhe gjatë fushatës.

Nëse fitoni do e mbani fjalën që qeveria juaj do të jetë më e vogël dhe si do ja dilni se tani ministritë janë lëmsh?

Do e mbaj. Ministritë nuk janë lëmsh, kanë funksionuar. Qeveria do të zvogëlohet dhe do të thellojë dietën. Është koncepti i konsolidimit të një praktike. Më e vogël dhe në dietë do të jetë qeveria ime.

Cili do të jetë ekipi juaj nëse fitoni. Do e ndryshoni apo do të vazhdoni me të njëjtin ekip?

Për ekipin do të flasin më vonë. Unë ekipin do e formoj por nuk kam fshehur ministrat e mi kanë pasur impaktin më të mirë ku do që kanë shkuar. Por nuk mund të them se do të jenë të njëjtët.

Nëse fitoni, cila do të jetë dosja e parë në tryezën tuaj?

Reforma e parë do të jetë ajo e shëndetësisë. E kam shpallur një gjë të tillë. Ne gjetëm një sistem tmerrësisht të dëmtuar. Infermiere të paguar me 150 mijë lek apo mjek me 220.000 lekë. Sot pas dyfishimit të rrogave, ndërhyrjes në sigurimet shëndetësore. Sot spitalet kanë probleme, por do përmirësohen.

Sa kohë do të japë fryte kjo reformë?

Do të japë efekte në gjysmën e parë të vitit të dytë.

Dosja e dytë pas shëndetësisë?

Unë me praktikat e punësimit kanë shumë përballje të ndryshme. Një nga gjërat e para që dua të bëj është të merren me nxjerrjen nga mjerimi ata që janë në nevojë e që nuk punësohen dot. Për shembull, po ke trinjakë ky shtet të jep diçka e kështu me rradhë. Ose nëse humb një gjymtyrë e humb në punë, ky shtet të ndihmon. Ka disa defekte në shërbimin social dhe do ti rregulloj. Po merremi me to kemi disa muaj, mundet që për një kategori familjes të japin kuotën e ushqimit.

Dosje tjetër?

Dosje tjetër do të jetë që do të punojmë me disa zhvillime të rëndësishme si konkurrenca. Do të kontaktojmë me ekspertë të shkëlqyer për klimën e biznesit. Të rrisim konkurencën e lirë. Është detyrimi më madhor për të forcuar zhvillimin e shpejtë ekonomik.

Do të jetë PBDNJ-ja në qeverinë tuaj, nëse i fitoni zgjedhjet dhe formoni qeverinë?

Unë kam një koalicion të gjerë, unë e kisha PBDNJ-në dhe kam përfaqësues të minoritetit.

Zonja Topalli dhe ministri Olldashi kanë bërë thirrje që të mos votojnë për aleatët, por vetëm për PD, bashkoheni dhe ju me këtë thirrje?

Thirja ime është e prerë. Të gjithë të votojnë 10-tën. Është më e vërteta.

Ju ka ngjallur zili stafi i ri politik i Edi Ramës?

Ku, cilët janë. Të them të drejtën nuk më kanë impresionuar fare. Unë nuk shoh ekip të ri. Nëse ti e merr moshën dhe vetëm atë, atëherë ajo është tjetër gjë. Ekipi i ri është ai që në moshë të re, ka dëshmuar një performancë. Këtë vlerësoj unë. Unë kam afruar të rinj dhe në 2005 por ata kanë pasur një performancë të shkëlqyer. Cilët janë të rinjtë e Ramës. Nëse më thua se është ky i ri, pa asnjë ditë punë dhe asnjë gjë konkrete. Unë pashë 0 alternativë te të rinjtë e Ramës. Pse nuk sollën alternativa këta. Ata janë thjesht punonjës bashkish. Ata u bashkuan me një parti pa alternativë. Nuk dua ti përmend me emra, se nuk më shkon kjo mua. Ata në asnjë rast nuk janë më superiorë se njerëzit e mi. Ata nuk kanë lënë asnjë mbresë të vetme. Nëse vijnë si ushtarë dhe ulen këtu pa asnjë koncept të vetin. Nëse thonë se të japësh 70% të lejeve vetëm dy njerëzve, nuk është gjë, atëherë janë kot. Ato të vjetrit i ka të gjithë aty ai, por ka një gjë ama shumë prej tyre e njohin administratën.

Ju tremb humbja?

Mos bëj shaka. Të jem i sinqertë kam bindjen më të thellë për një fitore plebishitare. Si kurrë ndonjëherë nuk kam parë në sheshet e këtij vendi me mijëra prozhektorë drite që buronin nga sytë e qytetarëve.

Do zhgënjeheni nëse humbni?

Unë do të kem fitoren më të thellë që nga 92 e deri më sot. Nga vitet 92 e deri më sot, nuk keni gjetur një proces zgjedhor të ndershëm që unë kam humbur. Nëse më gjen një proces të tillë, atëherë unë kam humbur.

Cili është mesazhi i fundit që do t'i jepni qytetarëve shqiptarë?

Një ftesë miqësore, vëllazërore në këto zgjedhje të bashkohemi. Ftoj të gjithë ata që besojnë ëndrrën e tyre evropiane dhe këta janë të shumtë. Janë shumë më tepër se mbështetësit e PD-së. Ftoj të bashkohemi për ta kthyer këtë ëndërr në realitet. Ne e kemi faktuar këtë me NATO-n që është sot realitet. I ftoj të gjithë ata që i besojnë kësaj ëndrre të bashkohen me ne për ta bërë atë realitet. Sepse në mënyrë absolute duke u bashkuar, do të votojnë për rrogat dhe pensionet e tyre, do të votojnë për një vend me rrugë moderne, për një qeveri që u shpall kampione në luftën kundër korrupsionit, do votojnë për 160 mijë vende pune të reja. Të garantoj se të hënën në mbrëmje do të më gjesh me një entuziazëm të madh siç është fitorja jonë. Çoje dhe një kamerë në Pezë.

FUND

KOMENTE