English

Shqipëria sipas Klanit dhe Topit

Mbulimi fantastik medial i të gjitha skutave të procesit elektoral në Shqipëri, i kryer nga televizionet shqiptare, duke veçuar Televizionin Klan dhe Top Channel, i bëri zgjedhjet në Shqipëri, pjesë të jetës sonë të përditshme

Nga Ilir Mirena

Si asnjëherë më parë, ne shqiptarët e Kosovës mësuam përmendësh 12 qarqet, komunat, dhe emrat ekzotikë të fshatrave më të panjohura të Shqipërisë. Gradualisht mësuam edhe sistemin e komplikuar elektoral që aplikon Shqipëria me Kodin e Ri Zgjedhor.

U familjarizuam gjithashtu me koalicionet, partitë minore, pothuajse emrat e të gjithë kandidatëve të partive më të mëdha. Shto këtu edhe bastionet e të majtëve dhe djathtëve. Për herë të parë kuptuam preferencat politike të zgjedhësve të Fierit, Lezhës, Beratit, Korçës dhe gjithë qyteteve tjera të Shqipërisë. Tërë kjo sasi informatash na erdhi përmes mbulimit fantastik medial të të gjitha skutave të procesit elektoral të kryer nga televizionet shqiptare, për të veçuar Televizionin Klan dhe Top Channel. Këto dy televizione, ia dolën t'i bëjnë zgjedhjet në Shqipëri pjesë të jetës sonë të përditshme. Televizionet profesioniste të Shqipërisë përgjatë gjithë fushatës informuan dhe sqaruan qëllimet e të gjithë garuesve politikë, duke arritur që të mobilizojnë dhe forcojnë mbështetjen e qytetarëve shqiptarë për të dalë masivisht në zgjedhje, që ishte më e madhja në historinë postkomuniste të Shqipërisë. Mbulimi i tyre medial kulmoi në këto tri ditët e fundit. Gazetarë dhe moderatorë - si Blendi Fevziu, Sonila Meqo, Enkel Demi, Sokol Balla - të rrethuar me ekipe analistësh, me gazetarët më të mirë të shpërndarë fund e krye Shqipërisë, vetëm sa nuk na treguan edhe shujtat ditore dhe horoskopin e secilit votues, duke dhanë live pothuajse gjithë procesin zgjedhor. E gjitha, e përcjellë shumë mirë estetikisht në studio moderne, me grafika dhe animacione - pjesë të secilit televizion profesionist. Të dy këto TV janë edhe të përcaktuara politikisht. Klani për të djathtën, Topi për të majtën. Nuk është ndonjë sekret. Që të dy këto TV kanë qëndrimin e tyre politik, çka nuk po vërehet se është duke dëmtuar ambientin demokratik të Shqipërisë. Nëse FOX News dhe CNN, përcaktohen në secilën garë elektorale amerikane, nuk ka ndonjë të keqe që një kësi modeli të mos përcillet edhe në vende si Shqipëria. Në fund të fundit, edhe gazetarët, bashkë me pronarët e mediave, janë votues dhe në fletëvotim do t'i vnojnë kryqin dikujt. "Sa më tepër që jemi të vetëdijshëm për përkatësinë tonë politike, na ofrohet një mundësi më e mirë që të veprojmë politikisht dhe, me këtë, asgjë nuk sakrifikojmë nga integriteti ynë estetik dhe intelektual", sqaronte gazetari dhe shkrimtari Gorge Oruell për shkrimet e tij të angazhuara. E njëjta mund të vlejë edhe për mediumet. Nuk duhet të ketë mediume të njëanshme, në sensin e keqinterpretimit të lajmit, por, nuk mund të ketë medium pa një qëndrim dhe angazhim politik. As marre nuk është! Ekziston një mendjemadhësi të pagdhendurish tek disa nga njerëzit e mediave në Kosovë, të cilët e quajnë modelin e gazetarisë në Shqipëri si të përdalë. Si të ishim ne pasardhës të Gutenbergut, të vetëquajtur guru të gazetarisë në Kosovë, kanë folur përçart për rrezikun e importimit të modelit të gazetarisë së Shqipërisë në Kosovë. Është e vërtetë se në Shqipëri mediat e shkruara janë përtokë, por largësinë a atyre vizive krahasuar me tonat duhet matur me dritë. Televizionet në Kosovë janë si gazetat në Shqipëri. Kujtojeni dhe krahasojeni mes mediumeve vizive kosovare dhe atyre shqiptare prezantimin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Hun' e buzë më vonë, TV të dështuara shanin Blendi Fevziun se kishte arritur të filmonte i pari flamurin e Kosovës! Edhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2007 ishin prezantuar më mirë nga mediat e TV e Tiranës, sesa televizionet tona të kurthuara në rregullat e OSBE'së. Mund t'ia falni gjithë mbretërinë, nëse dikush arrin t'ju gjej në TV-të tona një moderator që të jetë në gjendje që për një ditë të tërë të sqarojë live gjithë zhvillimet e një procesi, siç po bëjnë gazetarët këto ditë në Shqipëri. Vetëm në televizionet tona, e ndoshta edhe në RTV Crna Gora, ekziston ende profesioni i spikerit apo lexuesit të lajmeve. Të tillët, dhjetë minuta para edicionit të lajmeve, marrin të gatshme atë që kanë për të lexuar. Në sytë e përhumbur të tyre lexohet se nuk kanë haber se çfarë janë duke lexuar. Spikerë të edicioneve qendrore në Televizionin tonë publik, pasi lexojnë fët e fët ato që kanë bërë vaki, apo edhe intervistojnë me pyetje të shkruara nga redaktorët, njerëzit më të fuqishëm dhe autoritativë që kemi, vikendeve ndërrohen për të drejtuar evenimente të miss mëhallave. E, në këtë gjendje kome, nga mediat tona vizive nuk duhet pritur, ngase as nuk dinë të kenë qëndrim politik. Sepse, edhe kjo e do një far marifeti. Krejt preferencat politike i kanë në varësi se cili shef është përgjegjës ndërrimi ditor. Krejt çka dinë të bëjnë më së miri është organizimi i spektakleve që i gjen nëpër motelet prej Prishtinës e deri në Kaçanik. Qoftë edhe me çmimin e përmbysjes së këtij vendi, skemën programore latine, e rezervuar në kohën e shikueshmërisë më të madhe, nuk e ndërrojnë. Marrëzia është ulur këmbëkryq mbi këtë vend. Shihni TV-të tona, çdo mbrëmje aty do ta gjeni. Ku ta dish, ndoshta aty ne shohim vetveten! Në ndërkohë - e kjo ndërkohë mund të jetë dekadë - në Prishtinë, diçka të ngjashme me Klanin dhe Topin, tash për tash vetëm mund të ëndërrojmë. Ngjarjet e mëdha, siç do të jenë zgjedhjet e kësaj vjeshte, prapë do të vazhdojmë t'i shohim përmes sinjaleve transmetuese që do të vijnë prej TV-ve shqiptare.

"Express"

KOMENTE