English

Kthimi në normalitet

Të dielën qytetarët shqiptarë ia dhuruan shtetit një mundësi ideale për t'u afruar me Bashkimin Europian. Të hënën, të martën dhe të mërkurën, shteti dhe gjithë klasa politike këtë mundësi e qëlluan për vdekje. Me dashje

Nga Berat Buzhala*

Shqiptarët, me vendosmëri të hekurt, po i kthehen gjendjes së tyre normale, një situate me të cilën janë të familjarizuar. Po kthehen aty ku ndjehen rehat. Në kaosin, pa bisht dhe pa krye. Pas tri ditë numërimi të votave - janë më pak se dy milionë - procesi është futur në një tunel shumë më të gjatë dhe shumë më te errët sesa ai i Kalimashit. Pas një dite të qetë zgjedhore, krejtësisht jonormale për vendin tonë më të dashur, pas Kosovës, tash në ekrane televizive po shfaqen emra të përveçëm fshatrash dhe komisionerësh kokëfortë. Emrat periferikë dalin e bëhen emra qendrorë, në edicionet qendrore, duke marrë në duart e tyre të ndyta fatin e vendit. Tomë Doshi, thuhet në media, ka bllokuar procesin diku në një KZAZ të veriut të Shqipërisë. Kush është Toma, që paska aq fuqi sa ta sfidojë një vend anëtar të NATO's, e me pretendime serioze për t'u bërë edhe vend anëtar i Bashkimit Europian.? Në Rrogozhinë, komisionerët, pas një rrahje solide, kanë shkuar të flenë dhe të pushojnë, për t'u kthyer në qendrat e numërimit të votave kur atyre t'u mbushet mendja që të vazhdojnë ta kryejnë detyrën kushtetuese. Kush janë ata komisionerë, që aq më nge e kanë marrë obligimin e tyre? Kanë kohë të rrahën, të flenë, dhe nëse e gjejnë një hapësirë të tretë fillojnë edhe të numërojnë ndonjë votë. Fshatrat që nuk kanë më shumë se disa qindra banorë, bëhen pjesë e pandashme e diskursit publik kombëtar. Më i rëndësishëm bëhet Paskuqani sesa krejt Tirana. Kurse pjesë e rëndësishme e krejt procesit ishte edhe një kuti e panumëruar në Berat. Brenda saj, ndodheshin rrumbullak 500 fletëvotime, ndërsa sytë drejt saj i kishin disa miliona shqiptarë, andej e këndej shumë kufijve. Ka kaluar edhe dita e tretë, e ende nuk janë numëruar krejt votat. Nuk po i numërojnë votat e popullit punëtor të Kinës, por votat e një grushti të shqiptarëve. Nëse i mbyllni veshët kur në ekran dalin "paramilitarët" Majlinda Bregu dhe Ditmir Bushati, nuk do ta dini as kush është fituesi. Në fakt, as këta dy nuk e dinë, por përpiqen t'i fitojnë zgjedhjet medialisht. Me sukses të plotë, klasa politike në Shqipëri ia doli mban që t'i bindë përfaqësuesit e OSBE/ODHIR - që kur dolën në konferencë për shtyp t'i lavdëronin për zgjedhjet e organizuara, në fakt ishin ngutur. Kishin dalë para kohe të flisnin për progres të arritur. Politikanët treguan se kurrë nuk është vonë për ta përmbysur një sukses. Dita e zgjedhjeve ishte përjashtim, për të qenë e zakonshme. Prononcimet e Sali Berishës dhe Edi Ramës ishin për mësysh. Flisnin për pranim të rezultateve zgjedhore. Premtonin edhe shkëmbim të telefonatave përuruese në fund të procesit. Kurse tash, kur procesi është pak para fundit, komunikojnë me njëri-tjetrin vetëm përmes zëdhënësve të tyre me të egër, me gjuhë të njohur. Nuk besoj që Berisha e Rama, kur flisnin për respektim të standardeve zgjedhore, kanë menduar saktësisht për këso lloj standardesh. Zërat se vonesa në përcaktimin e fituesit zgjedhor ka pasur edhe në Shtete të Bashkuara të Amerikës, i quaj shumë cinikë. Asnjë krahasim i kësaj natyre nuk mund të qëndrojë. Krahasime shumë më serioze dhe shumë më të qëndrueshme mund të gjejnë në vendet e botës së tretë. Nëse të dielën qytetarët shqiptarë ia mundësuan shtetit shqiptar një mundësi ideale për t'u afruar me Bashkimin Europian, të hënën, të martën dhe të mërkurën shteti dhe gjithë klasa politike ketë mundësi e qëlluan për vdekje. Jam i bindur se aleatët e Shqipërisë në NATO janë duke përcjell procesin me vetulla të ngrysura, kurse në Bashkimin Europian janë duke i rishikuar prej fillimit të gjitha raportet për vendin kandidat. Ditën kur po fillonin të hidheshin votat në kuti, në një intervistë televizive në Klan, deklarova që nuk besoj se shqiptarët në përgjithësi - kudo që ata ndodhën - dinë të organizojnë zgjedhje të lira. Fillimisht mendova se kisha gabuar në parashikimin tim. Thashë që diçka më paska ikur pa vërejtur në Shqipëri dhe që atje procesi po shkonte normalisht. Por, jo. Asgjë nuk më paska ikur. Përkundrazi, vullneti për të vjedhur në mesin e shqiptarëve është po aq i lartë sa ka qenë në disa dekadat e fundit. Ketë vullnet nuk e shuajnë as qëllimet madhore siç është anëtarësimi në Bashkimi Europian, e as obligimet që kanë marrë kur janë bërë pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë. Nëse dikush në Shqipëri mendon se fajin për dështimin spektakular të procesit zgjedhor do ta bartë tek kundërshtari politik, gabon rëndë. Krejt akterët politikë atje janë duke notuar nëpër ujëra të zeza. Nëse provojmë me çdo kusht që të gjejmë një diçka pozitive nga ky proces, atëherë ai është populli shqiptar, që ditën e diel votoi me dinjitet. Por, ketë dinjitet e dhunuan njerëzit që ata kishin dalë t'i votonin.

* Kryeredaktor i "Express", Prishtinë

KOMENTE