Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Pse nuk fitoi Edi Rama
English

Pse nuk fitoi Edi Rama

Edi Rama jo vetëm ndërmori një sfidë jashtë natyrës së tij të dominuar nga frika dhe ankthi, por provoi të thyejë ligjet e politikës, që të paktën për të majtën shqiptare duhej të ishin bërë mësim

Nga Armand Shkullaku

Edi Rama gjendet sot në një rrugë pa krye, në të cilën, me ndërgjegje të plotë, vendosi ta fusë Partinë Socialiste. Ai sfidoi ligjet e politikës, gjithë logjikën e numrave dhe fakteve, në emër të një pushteti absolut. Në fund të aventurës së tij, Edi Rama, dëshmoi se është shumë larg të qenit një politikan i regjur dhe se vendimet që ai merr janë shprehje e frikërave të tij të brendshme dhe jo e pjekurisë së një lideri. Megjithëse e dinte rolin vendimtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetari i ri i Partisë Socialiste provoi ta shmangte atë, duke hedhur praktikisht në kosh votat në shumicë për të majtën shqiptare. Sot, ato vota janë të pavlefshme. Partia Socialiste ka dëshpërimisht nevojë për numrat e LSI, jo më për të qeverisur, por të paktën për të tentuar të pengojë krijimin e një qeverie të djathtë. Kryetari i PS dhe i Bashkisë së Tiranës vështirë të gjejë argumente për të justifikuar marrëzinë e madhështisë së tij. Ai ka qenë dëshmitar i 3 korrikut 2005, kur Fatos Nano (njësoj si ai sot) largoi nga partia kundërshtarët politikë më qëllim që ta gëzonte i vetëm dhe i qetë mandatin e tretë qeverisës. Goditja që mori ishte e rëndë. LSI e Ilir Metës ishte vendimtare në largimin e Nanos nga pushteti dhe daljen e së majtës në opozitë. Edi Rama e dinte këtë, kur në zgjedhjet vendore të vitit 2007 i zgjati dorën Ilir Metës, u bashkua me të dhe brenda një kohë të shkurtër si kryetar i PS, korri një fitore të madhe elektorale duke fituar jo vetëm Tiranën por edhe shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Kjo ishte një tjetër provë se e majta e bashkuar funksiononte dhe mund të dilte fitimtare në betejat elektorale. Kjo ishte një provë e dytë edhe për Edi Ramën për të punuar fort në këtë drejtim. Mirëpo ai bëri pikërisht të kundërtën. Me arrogancën që i dha fitorja e re dhe me frikën permanente që i shkakton ndarja e pushtetit ose ideja se nuk e ka ai gjithçka nën kontroll, Rama e vendosi Metën në cepin e ringut: ose të pranonte pa kushte bashkëpunimin me të ose të largohej. Ai nisi kështu një aventurë të rrezikshme, vuri një bast të fortë, të llojit ose të gjitha, ose asgjë. Në emër të eliminimit të çdo tentative që mund t'ia rrezikonte pushtetin absolut brenda së majtës, Edi Rama i kërkoi votat Berishës për të miratuar një ligj zgjedhor proporcional rajonal që synonte të nxirrte nga loja një konkurrim të mundshëm të ndonjë grupimi afër Fatos Nanos dhe ta ulte në minimum peshën specifike elektorale të Ilir Metës. Paçka se ky ligj mund t'i vinte për shtat Sali Berishës, paçka se kështu shembej çdo urë bashkëpunimi me Ilir Metën, paçka se e majta rrezikonte të ndahej. Për Edi Ramën këto nuk kishin rëndësi. Në emër gjoja të "politikës së re" ai spastroi terrenin për t'i krijuar vetes gjithë hapësirën e duhur që në tortën e madhe të pushtetit të nesërm të ngulej vetëm piruni i tij. Të tjerët, nëse do të silleshin të bindur dhe kokulur, do të mblidhnin ndonjë thërrime prej dorës së tij të gjatë. Ky ishte plani i Edi Ramës: më mirë një pushtet i sigurt e nën kontroll se sa një pushtet i varur nga aleanca me të tjerët. Kësaj rruge ai vendosi t'i shkojë deri në fund. Por, oreksi i tij rezultoi më i madh se sa stomaku. I mësuar me intriga të vogla dhe jo me beteja të këtij kalibri, Edi Rama ndodhet sot në mëshirën e votave të LSI për ta quajtur veten, të paktën i barabartë me kundërshtarin. Duke pritur numërimin e votave ai po shijon frytet e hidhura të ambicies së vetë politike. Me kokën mes duarve ai ndoshta pyet veten se si ka mundësi që me gjithë ato vota të majta, me gjithë konsumimin nga pushteti dhe skandalet të Sali Berishës, ai nuk arriti të jetë fitues. Për këtë pyetje ka vetëm një përgjigje: Edi Rama jo vetëm ndërmori një sfidë jashtë natyrës së tij të dominuar nga frika dhe ankthi, por provoi të thyejë ligjet e politikës, që të paktën për të majtën shqiptare duhej të ishin bërë mësim. Sa herë liderët e Partisë Socialiste kanë ndarë pushtetin, kanë respektuar demokracinë e brendshme, kanë reflektuar të gjitha ndjeshmëritë brenda tyre, ata kanë qenë superiorë në ndeshjet me Sali Berishën. Sa herë kanë tentuar të kundërtën, si Ilir Meta pas vitit 2001 dhe Fatos Nano pas vitit 2002, janë rrëzuar nga lidershipi dhe pushteti. Edi Rama e kishte këtë përvojë të vlefshme, por zgjodhi të mbyllë sytë dhe të bëjë të njëjtin eksperiment. I dehur nga ideja e një pushteti të gjithin për vete, ai bëri hapin fatal: u lëshua në të njëjtën rrugë. Përfundimi ishte ai që parashikonin pothuajse të gjithë, që i vetëm ai nuk mund të fitonte. Por në fund humbja nuk është vetëm personale. Aventura e Edi Ramës mund t'i kushtojë Partisë Socialiste edhe katër vjet në opozitë, një gjendje e vështirë, të cilën, kryetari i Bashkisë së Tiranës, deri më sot, nuk e ka provuar asnjë ditë të vetme. Tani, i mbyllur në zyrën e tij, duke parë shiun që shpëlan bojërat që ai i ka hedhur sipër Tiranës dhe që po përmbyt rrugët e saj, Edi Ramës nuk i mbetet shumë për të bërë. Ndoshta mendon një lutje të dëshpëruar për Ilir Metën, "mikun" e tij që dy vjet më parë i dha fitoren e më pas ai e hodhi "në batakun e politikës së vjetër" ose po kërkon në hard disk fjalimet që dikur u shkruante kryeministrave socialistë. Ai vetë nuk pati mundësi ta lexojë një të tillë.

Marrë nga "Express"

KOMENTE